Samiti në Bruksel, BBC: S’ka përparim për Tiranën dhe Shkupin, shpresë vetëm te propozimi i Macron!
Sot dhe nesër (23-24 qershor) do të mbahet samiti i Bashkimit Europian në Bruksel, ku kryeministri Edi Rama ka mbërritur tashmë në kryeqytetin belg në pritje për të mësuar vendimin që do të marrin 27 vendet e unionit.
Por, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se nuk do të ketë përparim në lidhje me negociatat duke qenë se një ditë më parë qeveria e Bullgarisë ra dhe vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut qëndron ende.
Ndryshe nga zvarritja e procesit për Tiranën dhe Shkupin, Ukraina pritet të marrë statusin e vendit kandidat për integrimin në Bashkimin Evropian.
Statusi i kandidatit është hapi i parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE dhe Franca tha këtë javë se kishte “konsensus total” për Ukrainën. Mund të duhen shumë vite për t’u bashkuar dhe nuk ka asnjë garanci për këtë gjë, por marrja e këtij statusi ishte i nevojshëm për Ukrainën.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë vende kandidate prej vitesh, ndërsa Bosnje Hercegovina aplikoi për kandidaturë në vitin 2016, por ende nuk ia ka dalë, shkruan BBC.
Udhëheqësit e BE-së takojnë gjithashtu homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor të enjten në mëngjes, përpara samitit kryesor, por diskutimet priten të jenë të vështira.
BBC shkruan se disa shtete anëtare po bëjnë presion që Bosnjës t’i jepet statusi i kandidatit, por kjo nuk pritet të ndodhë.
Përveç vendosjes se cilat vendeve duhet t’u jepet statusi i kandidatit, krerët e BE do të diskutojnë gjithashtu sigurinë ushqimore në dritën e bllokadës ruse të porteve ukrainase, të dënuar nga shefi i politikës së jashtme të BE këtë javë si një krim lufte. Dhe ata do të vlerësojnë propozimin e Presidentit Macron për një “Komunitet Politik Evropian” më të gjerë .
Sipas projekt-përfundimeve të samitit të parë nga BBC, qëllimi do të ishte “të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët në mënyrë që të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian”.
Udhëheqësi francez ka sugjeruar se komuniteti, një bllok parallel me BE-në të përfshijë vende që presin të anëtarësohen, si Ukraina dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, apo edhe ato që janë larguar, si Mbretëria e Bashkuar. Megjithatë, një numër diplomatësh të BE-së e kanë hedhur poshtë idenë e krijimit të këtij blloku, por kryeministrit Rama i është dukur ‘ide vizionare’.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, ka thënë se preferenca e saj do të ishte ndërtimi i strukturave ekzistuese si G7 dhe NATO.
Një kërkesë e liderit të Opozitës dhe ish-kryeministrit Boyko Borisov rizgjoi shpresat se në Parlamentin e Bullgarisë mund të rrëzohej vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut. Paradite ai deklaroi pro 59 votat e grupit të tij, por pasdite, qeveria e kryeministrit Kiril Petkov ra me 123 vota pas procesit të votëbesimit që iu nënshtrua në Kuvend. Tani vendi do të shkojë në zgjedhje.
Rruga Press