Përse SPAK-u rri sust përpara oligarkëve të naftës?!
Me luhatjet e fundit në bursë, tashmë nuk ka asnjë pikë dyshimi se çmimet e naftës dhe të benzinës në Shqipëri nuk vendosen nga tregu, por nga një grusht njerëzish që kanë vënë në dorë edhe të ashtuquajturin Bord i Transparancës.
Bordi e ka treguar në këto muaj që është në detyrë se kur në tregjet ndërkombëtare nafta rritet, qoftë edhe disa cent, mblidhet me urgjencë për ta reflektuar në Shqipëri, ndërsa kur ajo ulet edhe ndjeshëm në bursa, ose harron të mblidhet, ose mblidhet e bën një ulje qesharake e tallëse me shqiptarët, si në rastin e fundit kur e uli me 4 lek.
Pra, i gjithë tregu, me dhe pa bord, është në duart e një karteli. Pas këtij karteli qëndrojnë njerëz të fuqishëm financiarisht dhe me lidhje të forta politike, siç është Shefqet Kastrati.
Përballë fuqisë financiare dhe pushtetit të Kastratit, Autoriteti i Konkurrencës është i pafuqishëm. Fundja, ky autoritet ka në kompetencë vetëm gjobitjet, që në pjesën dërrmuese të tyre as që i vjel dot, pasi me gjykata e procese gjyqësore të stërzgjatura ‘oligarkët’ u shpëtojnë këtyre ndëshkimeve.
Megjithatë, abuzimi në tregun e naftës, që është edhe motori i një ekonomie, nuk mund të çmontohet vetëm me një hetim administrativ, siç mund ta ndërmarrë Autoriteti i Konkurrencës, por duhet një goditje më e fortë.
Këtë goditje mund ta japë SPAK-u, që nëse do të hetojë e t’i shkojë deri në fund hetimit të tregut të naftës dhe trajtës së tij prej karteli ndoshta mund të gjejë qoftë korrupsion në radhët e pushtetarëve që kanë për të detyrë të mbrojnë xhepat e qytetarëve, qoftë ‘krim të organizuar’ në radhët e oligarkëve të naftës.
Por SPAK-u ka heshtur përballë këtij spekulimi dhe kjo nuk është hera e parë. Prokuroria e Posaçme ka heshtur edhe në rastin më flagrant, kur publikisht u hodhën akuza se 25 deri në 30 për qind e naftës që konsumohet në vend hyn kontrabandë.
SPAK-u nuk është marrë me këto akuza, megjithëse janë akuza kaq serioze, pasi kjo do të thotë se shqiptarët blejnë një në tre litra karburant që hyn kontrabandë. Automatikisht kjo përkthehet në 30 për qind më pak të ardhura në buxhetin e shtetit nga shmangia e TVSh-së dhe akcizës.
Pra, një akuzë kaq serioze s’mund të kalojë në heshtje nga SPAK-u, që duhet t’i japë fund qëndrimit leqe-peqe (pak a shumë si bordi i çmimeve) përballë oligarkëve të naftës. /VoxNews/
Rruga Press