Propagandisti i Putinit: Të sulmojmë Gjermaninë, të hapim frontin e dytë
Nga Filipp Piatov, BILD
Asnjë shenjë nga fundi i luftës, ndërkohë që luftënxitësit në televizionin rus po hyjnë në një raund tjetër. Objektivi kryesor i agjitatorëve të Kremlinit: GJERMANIA.
Në prag të udhëtimit në Kiev të kancelarit Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrit të Italisë, Mario Draghi, në televizionin shtetëror rus shpërthyen siguresat e fundit.
Vladimir Solovyov, i cili ka qenë prej vitesh një nga luftënxitësit më të rëndësishëm të Kremlinit, bëri thirrje për një sulm të hapur ndaj Gjermanisë.
Fillimisht ai ia dha fjalën propaganduesit tjetër të Kremlinit, Alexander Sosnovski, i cili jeton në Gjermani dhe analizoi dobësinë e supozuar ushtarake të vendeve të NATO-s.
“Çdo ushtri që është pjesë e NATO-s ka hapur magazinat dhe ka nisur gjithçka ka në front,” tha Sosnovski.
Solovyov e pyet shpresëplotë: “A kanë dërguar shumë?”
“Ushtrisë gjermane nuk i ka mbetur pothuajse asgjë”, përgjigjet Sosnovski.
Solvyov nuk ndalet.
“Atëherë ne duhet të hapim një front të dytë dhe të godasim Gjermaninë, ndërsa ata janë plotësisht të paarmatosur,” bërtet propagandisti i Kremlinit. “Që të mos ketë më iluzione mes nazistëve”.
Mantra është e njohur: kushdo që kundërshton Kremlinin, do të shpallet shtet nazist. Ashtu si Ukraina, e cila qeveriset nga presidenti hebre Volodymyr Zelensky, ashtu edhe Gjermania që qeveriset nga kancelari i SPD, Scholz.
Nuk ndodh çdo ditë që një propagandist i shquar i Kremlinit të bëjë thirrje për sulm ushtarak ndaj Gjermanisë në televizionin shtetëror rus në kohën në të mirë televizive.
Solovyov, që e ka krahasuar Scholz me diktatorin nazist Adolf Hitler në programet e mëparshme, vazhdoi të kritikonte kancelarin. Ai spekuloi se tre krerët e qeverive do të nxisin negociata mes Ukrainës dhe Rusisë kur të vizitojnë Kievin dhe paralajmëroi që të mos u besohet atyre.
“Ata duan që ne të besojmë naivisht se do t’u mundësojmë atyre (Ukrainës) të furnizohen me pajisje ushtarake. A mendon Scholz se ne jemi budallenj?” u ankua Solovyov.
Në Rusi, propagandistët kryesorë kanë thënë prej muajsh se vendi i tyre tani është në luftë me NATO-n. Sulmi ndaj Ukrainës, nga ana tjetër, cilësohet si ‘operacion special ushtarak’.
Rruga Press