Demi: Përse nuk protestuan “veteranët”më 2017?
Analisti në Institutin GAP, Agron Demi, ka thënë se veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të duhej të orientonin protestat ndaj bashkëluftëtarëve të tyre që janë në politikë, e që “kanë përfituar financiarisht e politikisht nga fryrja e listave të veteranëve”. Ai ka shtuar se veteranët duhet të kërkojnë vetë pastrimin e listave dhe kategorizimin, sipas ligjit të vitit 2017.
“Çka do tjetër është vetëm instrumentalizim i veteranëve për pushtet”, ka shkruar Demi në Facebook të enjten, në ditën kur veteranët kanë protestuar që nga mëngjesi, pasi Kuvendi miratoi në parim të hënën projektligjin për rritjen e pagës minimale, e që shkëput ndërlidhjen me pensionet e veteranëve.
“Ku është logjika këtu: sipas nismës së Qeverisë për me shkëputë pagën minimale prej pensionit të veteranëve, veteranët vazhdojnë me i marrë 77 milionë euro në vit për pensione; nëse do aplikohej ligji i ndryshuar për veteranët i vitit 2017, kur PDK ishte në pushtet, buxheti për veteranë do të ishte 52.3 milionë euro (0.7% e GDP). Përse atëherë nuk protestuan veteranët më 2017?” ka shkruar Demi.
Ai ka thënë se do të ishte padrejtësi e madhe nëse shteti i Kosovës nuk arrin të sigurojë vende të punës apo edhe një ndihmë sociale të dinjitetshme për luftëtarët kur nuk ka mundësi punësimi.
“Por, vetë veteranët e vërtetë duhet me qenë më të zëshmit dhe të kërkojnë spastrimin e listave dhe kategorizimin e veteranëve, me qëllim që të paguhen 250 euro, ashtu si e parasheh ligji”, ka shkruar më tej.
Veteranët aktualisht marrin kompensim mujor 170 euro, sa është paga minimale. Kuvendi ka miratuar në parim rritjen e pagës minimale, por nga kjo rritje është shkëputur lidhja me pensionet. Më 2017, ligji për pensionet e veteranëve pësoi ndryshim dhe u shkëput lidhja me pagën minimale, por ai nuk hyri në fuqi për shkak të moskategorizimit. Nga kategorizimi ishte paraparë që një pjesë e veteranëve të paguheshin 250 euro, ndërsa vlera minimale ishte 120 euro në muaj.
Kryeministri Albin Kurti po ashtu ka paralajmëruar rritje të pensioneve të veteranëve, por ka thënë se për këtë duhet të ketë pastrim listash nga 60 mijë veteranë sa janë aktualisht.
Rruga Press