Nga 6.8 euro rritja e pagave për të gjithë në Kosovë
Nën 7 euro është rritja që secili i punësuar do të përfitojë në pagën mujore neto, po që se deputetët e Kuvendit të Kosovës i thonë po edhe në shqyrtim të dytë projektligjit për ndryshimin e ligjeve që përcaktojnë pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale.
Kuvendi të martën votoi në parim projektligjin. Me projektligj hiqet ndërlidhja me pagën minimale e pensioneve të disa kategorive, përfshirë ato të veteranëve që protestuan javën e fundit e paralajmëruan për protestë sërish këtë javë.
Paga minimale në vend do të bëhet 264 euro bruto, nga 130-170 sa ishte qe 11 vjet. Pos rritjes së pagës minimale, që sipas Qeverisë, prek mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat, rritje “minimale” do të kenë edhe ata që kanë pasur e vazhdojnë të kenë pagë mbi 250 euro neto.
Sipas ligjit, një ndryshim në shkallët tatimore do të bënte që secila pagë të rritej prej 6.8 euro. Sipas Qeverisë, nga ndryshimi i shkallës tatimore përfitojnë rreth 380 mijë punëtorë.
Aktualisht, pagat tatohen sipas shkallëve tatimore nga 0 deri në 10 për qind për punën primare, ndërsa për ato sekondare mbi 10 për qind.
Pos kontributit pensional, pesë për qind nga i punësuari dhe pesë nga punëdhënësi, secili punëtor kontribuon me tatim mbi pagë në shtet.
Si funksionon llogaritja e pagës me shkallët tatimore të deritashme.
Shembull:
Paga bruto: 300 euro
Kontributi pensional: 5% punëtori (15 euro) dhe 5% punëdhënësi (15 euro)
Paga që tatohet: 300-15 (kontributi i punëtorit) = 285 euro
Shkallët tatimore aktuale në Kosovë:
Paga prej 0 – 80 euro (0 për qind tatim) = 0 euro
Paga prej 80 – 250 euro (4 për qind tatim) = 6.8 euro
Paga prej 250 – 450 euro (8 për qind tatim) = 2.8 euro (285-250=35; 8 për qind e 35 euro=2.8 euro)
Gjithsej tatimi për pagë bruto 300 euro: 0 + 6.8 + 2.8 = 9.6 euro
Paga neto: 300-15 (kontributi pensional) – 9.6 euro (tatim) = 275.4 euro
Ndërkaq me propozimin e ri, shkalla tatimore ndryshon dhe ajo e dyta, prej 4 për qind hiqet. Pra, çdo punëtor do të paguajë 6.8 euro më pak tatim për pagë. Në rastin me 300 euro pagë bruto, paga neto do të ishte 282.2 euro.
Rruga Press