BE mbetet pa birrë, lufta dëmton prodhuesit
Rritja e kostos së prodhimit dhe çoroditja e zinxhirëve të furnizimit kanë prekur prodhuesit e birrës në Belgjikë. Kompanive të ndryshme po u mbarojnë shishet dhe për më tepër u mungojnë ingredientët, që vinin nga Rusia.
“Bëhet fjalë për shishe 0.33 litra. Disa kompani të tjera po punojnë me shishe të vogla dhe për shumë prej tyre kjo po kthehet në problem. Është një problem edhe për ne, pasi eksportojmë 87% të prodhimit. Ndaj, ato shishe nuk kthehen më,” – u shpreh Alain de Laet, drejtor i “Huyghe Brewery”.
Çmimet e enëve të qelqit u rritën ndjeshëm për shkak të kostos së energjisë, në një kohë kur prodhuesit përpiqen të rrisin prodhimin. Përdorimi i kanoçeve mund të jetë një zgjidhje. Por bota ka probleme edhe me aluminin.
Përfaqësuesit e industrisë së birrës thonë se kompanitë e vogla e të mesme ka gjasa të preken më shumë.
“Pa dyshim që disa prodhues do të preken më shumë se të tjerët. Dhe kjo varet nga forma e tyre e paketimit. Çështjet janë disa. Nga po i marrin furnizimet? Në cilin vend po veprojnë? A është sistemi i shisheve i kthyeshëm? A eksporton kompania jashtë Evropës? Ndaj, çdo kompani ka specifikat e veta. Gjithashtu mendoj se do të ketë një impakt edhe tek çmimet. Madje, disa prodhues mund të ndërpresin operacionet,” – deklaroi Simon Spillane, zëdhënës i shoqatës Birraritë e Evropës.
Kjo është një tjetër goditje për prodhimin e birrës në Evropë, sektor që në tërësi krijon mbi 2 milionë vende pune, nga gruri tek xhami; që do të thotë se rreziku është i madh në një kohë kur ekonomia e brishtë evropiane po përpiqet të rimëkëmbet pas pandemisë së COVID-19.
Rruga Press