Bota

Ish-kryeministri rus: Rusia duhet ta humbasë luftën e Putini të poshtërohet

Mikhail Kasyanov ishte kryeministri i parë pas ngritjes së Vladimir Putinit në pushtet dhe ai nuk e kishte imagjinuar kurrë se ish-shefi i tij do të fillonte një luftë gjithëpërfshirëse kundër Ukrainës.

Duke folur në një video-intervistë për France24, Kasyanov, kryeministër i Rusisë nga viti 2000 në 2004, tha se lufta mund të zgjasë deri në dy vjet, por është edhe i bindur se Rusia mund të kthehet në një rrugë demokratike.

Ai tha se është e domosdoshme që vendi i tij ta humbasë këtë luftë, në mënyrë që të flaket Putini nga pushteti dhe demokratizohet vendi.

“Nëse Ukraina bie, vendet e ardhshme do të jenë shtetet baltike”, tha ai. Vende baltike janë: Estonia, Lituania dhe Letonia, të tria ish-anëtare të BRSS-së dhe tash anëtare të NATO-s.

64-vjeçari, i cili si kryeministër mbronte lidhjet e ngushta me Perëndimin, tha se, si shumë rusë të tjerë, nuk besonte çfarë po ndodhte në javët para luftës.

Kasyanov u bind se Putini nuk po bënte blof kur e pa atë të thërriste lidershipin e lartë të vendit në një takim teatral të Këshillit të Sigurisë, tri ditë përpara nisjes së pushtimit të Ukrainës.

“Kur pashë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Rusisë, kuptova se do të kishte një luftë”, tha Kasyanov.

Shtoi se po ndien se Putini nuk po mendon më siç duhet.

“Unë i njoh këta njerëz dhe duke pashë se Putini kishte dalë prej vetes. Jo në kuptimin mjekësor, por në atë politik. Unë njoha një Putin tjetër”, tha ai.

Lexo më shumë  Kemi marrë vetëm 10% të ndihmës së miratuar nga SHBA-ja, thotë Zelensky

Pasi Putini e shkarkoi atë, Kasyanov iu bashkua opozitës ruse dhe u bë një nga kritikët më të zëshëm të Kremlinit. Ai tani është kreu i Partisë së Lirisë së Popullit në opozitë, ose Parnassus.

Paligjshmëri e plotë

Kasyanov tha se Putin, një ish-agjent i KGB-së që mbush 70 vjeç në tetor, ka arritur të ndërtojë një sistem të bazuar në mosndëshkimin dhe shkaktim të frikës në 20 vjetet e fundit.

Këto janë arritjet e një sistemi që, me inkurajimin e Putinit si kreu i shtetit, filloi të funksionojë në një mënyrë edhe më cinike e më mizore sesa në fazën përfundimtare të Bashkimit Sovjetik. Në thelb, ky është një sistem KGB-së i bazuar në paligjshmëri të plotë. Ata (zyrtarët e Kremlinit v.j.) nuk presin asnjë dënim”, tha ai.

Kasyanov tha se ai u largua nga Rusia për shkak të luftës dhe u vendos në Evropë, por nuk pranoi të zbulojë vendndodhjen e tij për shkak të shqetësimit për sigurinë e tij. Aleati i tij i ngushtë dhe politikani i opozitës, Boris Nemtsov, u qëllua për vdekje në Moskë në vitin 2015.

Kritiku më i famshëm i Putinit, Alexei Navalny, 46 vjeç, u helmua me agjent nervor në vitin 2020 dhe tani është në burg.

Kasyanov parashikoi se lufta mund të zgjaste deri në dy vjet dhe tha se është e domosdoshme që Ukraina të fitojë.

Dhe, rezultati i luftës, sipas tij, do të përcaktojë të ardhmen e Rusisë, tha ai. Kasyanov shtoi se ai “kategorikisht” nuk pajtohet me sugjerimin e presidentit francez Emmanuel Macron se Putini nuk duhet të poshtërohet. Ai hodhi poshtë gjithashtu thirrjet që Ukraina të dorëzojë territor për t’i dhënë fund luftës.

Lexo më shumë  Sekretari Rutte takohet me Von der Leyen për herë të parë pas marrjes së detyrës

“Çfarë bëri Putini për ta merituar atë?”, pyeti ai.

“Kjo është shumë pragmatike. Unë besoj se kjo është e gabuar dhe shpresoj se Perëndimi nuk do të shkojë në atë rrugë”, pohoi ai.

Detyra të mëdha e presin Rusinë pas ikjes së Putinit

Kasyanov beson se Putini përfundimisht do të zëvendësohet nga një “kuazi-pasardhës” i kontrolluar nga shërbimet e sigurisë. Megjithatë, pasardhësi nuk mund ta kontrollojë sistemin për një kohë të gjatë dhe në fund, Rusia do të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, tha ish-kryeministri.

“Jam i sigurt se Rusia do të kthehet në rrugën e ndërtimit të një shteti demokratik”.

Ai vlerësoi se do të duheshin rreth dhjetë vjet për të “dekomunizuar” dhe “deputinizuar” vendin.

“Kjo do të jetë e vështirë, sidomos pas kësaj lufte kriminale”, tha Kasyanov.

Ai tha se do të duhet të rivendoset besimi me vendet evropiane, të cilat ai i quajti “partnerët natyrorë të Rusisë”. Kritikët kanë akuzuar opozitën ruse në të kaluarën për ndarje të pashpresë, por Kasyanov tha se është i bindur se gjërat do të jenë ndryshe tani.

“Nuk kam asnjë dyshim se tani, pas tragjedisë që të gjithë jemi dëshmitarë, opozita do të bashkohet. Rusët do të përballen me detyrën e madhe për të rindërtuar vendin e tyre. Gjithçka do të duhet të rindërtohet. Në thelb, e gjithë seria e reformave ekonomike dhe sociale duhet të fillojë rishtas. Këto janë detyra të mëdha dhe të vështira dhe duhet të kryhen”, shtoi ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *