Lajme

Fjala e Kryeministrit Kurti në nder të veprës së Arbënor Deharit

Fjala ime në Tribunën përkujtimore në nder të aktivitetit dhe veprës së Arbënor Deharit:

Të dashur axha Avni e tezja Xhemile,
E dashur Arta,
Të dashur Liburn e Egzon,
E dashura Shkurta,
Të dashur aktivistë të Lëvizjes,
Të nderuar pjesëmarrës,

Arbënori, është figura e ndalur në kohën e lëvizjes, me metodën unike që Lëvizja jonë e ka ushqyer që nga themelimi: pra, të qenit i pandalshëm. Ajo është veçse një foto e ndalur e mënyrës sonë të qenies dhe të punës. Mirëpo, jo edhe jetë e kontribut i ndalur. Këtë e dëshmon edhe fakti që ne jemi mbledhur këtu dhe që Arbënorin e kujtojmë përditë dhe e gjejmë gjithandej.

Andaj Arbënori vlen si referencë. Secili nga ne që është këtu, mund të vendoset në raport me të qenit e tij ose të saj të atëhershëm në lëvizje pikërisht duke parë foton e Arbënorit. Kur e shohim këtë foto, ne e bëjmë pyetjen: ç’ishte lëvizja? Dhe përgjigjemi thjesht dhe shpejt: lëvizja ishte lumi i identitetit tonë. Të gjithë të ndryshëm ishim të njëjtë. Por kur lumi shtrihet aty afër cakut, aty afër rezultatit, aty e zgjeron shtratin, e ul forcën dhe nis e shpërndahet. Zgjerimi më i madh i lumit është te destinacioni i tij, te deti: është delta që edhe ndan edhe e bashkon lumin me detin, lëvizjen me popullin. Lumi është metafora jonë, të cilën mund ta mbajë gjallë vetëm fakti që nuk po flasim për molekula uji, por për molekula vullneti njerëzor e kombëtar dhe mendimi teorik e praktik.

E shohim foton e ndalur të aktivistit në gjendjen e tij të lëvizjes. Për dëshmorin e kemi më të lehtë të flasim, por për aktivistin e ndalur aty para nesh, si gjendja jonë e një kohe tjetër, ky lloj raporti është shumë më i vështirë. Ai na drejton një vështrim të qetë me pyetjen e rëndë: a e mbani mend formën tuaj më të bukur, atë fuqi të së pamundshmes? Sepse kohët e veprimit, edhe pse me një ndarje të vogël vitesh, nuk janë të përkthyeshme veçse me një kusht: kuptimi i vetes duke parë këtë foto, foton e Arbënorit.

Ne jemi tashmë në një kohë tjetër veprimi:
Nga koha e heshtur e aktivizmit, nga ajo thjeshtësi vështirë e dëshmueshme në të përditshmen tonë, ne kemi kaluar në forma personalitetesh;
Nga ajo kohë e njësuar, ne kemi kaluar në veprime specifike;
Nga i njëjti vend mbledhjesh, reflektimi dhe planifikimi të aktivitetit, ne kemi kaluar në tri vende e më shumë;
Nga përgjigjja parimore dhe totale, ne kemi kaluar në veprimin e përshkallëzuar dhe analitik, operativ dhe strategjik;
Nga kjo foto e aktivistit punëtor e të pazëshëm ne kemi kaluar në foto personalitetesh drejtuese.

Ky është një ndryshim jo i yni, por i gjendjes së pjesëmarrjes.

Mbiemri Dehari na i ofroi të dy simbolet: simbolin e aktivizmit dhe simbolin e sakrificës.

Mes dy kohëve nuk ka ndryshim shekujsh, por ndryshim metode veprimi. Ajo që duhet t’i lidhë këto kohë është pikërisht kjo foto, ndërgjegjja aktiviste. Metoda e re kërkon, në formën më të natyrshme, racionalitet. Koha e aktivizmit kërkon dashuri. Sa do ta mbajmë të parën brenda së dytës, sa do ta fuqizojmë të dytën brenda të parës varet nga raporti që ne vendosim me këtë foto. Me foton e Arbënorit.

Ne e dinim, nga pozitat e kësaj gjendje, se ishim një grup i vogël përballë sistemit e në raport me popullin, por ishim njësh, dhe këtu ishte epërsia jonë. Dhe vetëm vonesa jonë në kuptimin e asaj gjendje mund të bëjë që ndryshimi i metodës të shihet si ndryshim i epokave.

Në këtë foto është i heshturi më i mirë, i miri më i heshtur. Kam frikë se ai po na sheh ne shumë më tepër se ç’e shohim ne atë.

Fitoret tona në zgjedhje deri tani kanë qenë fitore plebishitare, fitore të aktivizmit me jehonë rajonale, kontinentale e madje dhe më gjerë. Ato janë si prona publike të pandashme mes pjesëtarëve të komunitetit, sepse u takojnë të gjithëve. Aktivistët janë të thirrur sipas një programi të ri, atij profesional politik dhe profesional teknik. Edhe në këtë etapë i kthehemi fotos së Arbënorit. Sepse përsëri duhet ditur se si t’i projektohet kjo fitore pjesëmarrjes së Lëvizjes, grupit të deputetëve, trupave ministeriale.

Lumi duhet të bëhet det dhe lumi duhet të mbetet lumë. Lumi do të tretet në det, por deti duhet të ruajë diçka prej ritmit të lumit.

Thellësia politike e Arbënorit ishte paravajtëse, jo vetëm nga leximi i përditshëm, por edhe studimi i tërësishëm. Arbënori ishte aktivist model, por ishte edhe student e studiues. Nga leximi dijetar te ai emancipues, nga leximi profesional te ai politik, Arbënori ishte shembull i çdo gjëje që studioi, e me siguri, në veçanti, të gjuhës gjermane. Ai e studioi atë, jo vetëm si linguistikë, por edhe si gjuhë të historisë së vendit, të antropologjisë së individit.

Teksa shikojmë foton e tij, kujtojmë punën e tij, e pyesim veten: A do të mbajnë gjallë aktivistët aftësinë për të propozuar më të mirin?

A do ta kenë deputetët dhe trupat tanë nëpër ministri aftësinë për të ruajtur frymën e zellin e aktivizmit, apo edhe për ta fituar atë nëse janë të rinjë mes nesh? A do ta kuptoj votuesi qytetar e qyetari votues se ç’ishte ajo frymë që e fiton dhe e mbron Kosovën? Në të katër trupa kërkohet ndershmëri, punë dhe guxim: tek aktivisti, te deputeti, te punonjësi ynë në ministri, te votuesi? Por te cili prej tyre është më e natyrshme, te cili më e thjeshtë për t’u ruajtur, te cili më e thjeshtë për t’u shprehur?

Të gjitha këto pyetje mund të na shkojnë në mend në çdo çast, por jam i bindur se ato mund t’i shprehim në mënyrë të drejtpërdrejtë e me zë të lartë, në grup, para jush, mes jush, vetëm me një kusht: me foton e Arbënorit në krah, përballë, e në sfond.

Ndjenja e mirë dhe e drejtë politike na mban bashkë mes nesh, bashkë me të rinjtë, e bashkë me qytetarët anembanë Kosovës, e me mbarë kombin shqiptar.

Fitorja jona sigurisht që prodhon edhe një asimetri mes kohëve. Kujdes me mendimin e kësaj date të fitores. Nëse nuk dimë ekuilibrin, atëherë fitorja nuk është proces por një çast i shkurtër. Fitorja duhet të jetë proces i gjatë emancipimesh, nga aktivizmi politik në profesionalizmin jo vetëm politik. Njëra kohë, ajo ekzekutive duhet ta shtjellojë tjetrën, atë aktiviste. Racionaliteti i të parës duhet të mirëmbajë ndjenjën e së dytës. Dhe të dyja kërkojnë vetëm një gjë: të mendosh ende përgjegjësinë personale, pa pyetur nëse fitorja u takon të gjithëve. Po, fitorja u takon dhe do të ju takojë të gjithëve. Sepse vetëm atëherë ajo është fitore, kur rezultatet e saj i ndjejnë të gjithë. Ky është edhe njëfarësoji betimi i heshtur i aktivizmit.

Aktivisti i ndalur është referenca që e bën të qartë këtë peisazh të fitoreve politike mbi sociologjinë si lëmi e shkencë. Pa figurën e lartë të referencës, Arbënor Deharin, do ta kishim shumë të vështirë sot të kemi dëshminë e frymës politike në aktualitetin e vet. Ai që është më aktivisti, është Arbënori që nuk është më mes nesh. Ai e sjell dhe e riaktualizon kohën tonë në të sotmen tonë. Andaj të dashur aktivistë, duke kujtuar e duke u përulur, para veprës e jetës të shkurtër por të madhe të Arbënor Deharit, të gjithë ne mbesim ajo që duam: vetja jonë për popullin tonë.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *