Federata Ruse drejt shpërbërjes, thotë historiani i njohur
Nga Alexander Etkind “The Moscow Times”
Çfarë ndodhi me Perandorinë Ruse? Ajo u shpërbë në fund të një lufte imperialiste. Çfarë ndodhi me Bashkimin Sovjetik? Ai u shpërbë në fundin e Luftës së Ftohtë. Çfarë do të ndodhë me Federatën e sotme Ruse? Përgjigjja është e qartë, edhe nëse mund të duket e zymtë.
Patriotizmi rus është i një shkalle dhe i një natyre të tillë, që edhe ata që nuk e mbështesin regjimin e Kremlinit, nuk janë gati të njohin natyrën perandorake që ka shteti aktual rus. Edhe ata që e konsiderojnë qeverinë aktuale ruse të padrejtë, të paaftë apo thjesht të rrezikshme, besojnë në mbijetesën e Federatës Ruse në kufijtë e saj aktualë.
Edhe njerëz si unë, që dëshirojnë një fitore ushtarake të Ukrainës, dhe një gjyq ndërkombëtar për udhëheqësit rusë, nuk janë të gatshëm ta pranojnë se kjo do të çojë rrjedhimisht në fundin e vetë këtij vendi. Kolapsi ka qenë prej kohësh një skenar, të cilit rusët i druhen, por në fakt edhe i parashikuar.
Ai mund të ishte ngadalësuar duke përfituar nga situata e favorshme ekonomike, duke u mbështetur tek një qeveri kompetente, një lojë diplomatike e shkathët, apo thjesht duke u bazuar tek fati. Partia në pushtet kishte arritur të zgjidhte një emër, që pasqyronte frikën e saj të thellë nga shpërbërja por edhe mungesën e vlerave të tjera: ”Rusia e Bashkuar”.
Në skenën ndërkombëtare, partnerët e Rusisë nuk e donin këtë shpërbërje. Disa ishin mirënjohës ndaj federatës për dhënien fund të Luftës së Ftohtë, e cila ishte e rrezikshme dhe të kushtueshme. Të tjerët i kundërshtuan ndryshimet, pavarësisht se cilat ishin ato, duke iu frikësuar atyre më shumë sesa vetë luftës.
Rënia që e kërcënon sot federatën ruse, nuk do të ndodhë për shkak të popujve apo qeverive të huaja, por kundër vullnetit të tyre dhe në kundërshtim me parashikimet e tyre. Ka të ngjarë që kjo të ndodhë edhe kundër vullnetit të popullatës ruse. Zakonisht probleme të tilla nuk zgjidhen me votime.
Për një kohë të gjatë – 2 dekada – në Rusi nuk ka ndodhur asgjë vërtet e rëndësishme. Gjithçka ndryshoi me luftën e dytë Rusi-Ukrainë, një luftë që nuk duhej të niste kurrë nga mbështetësit e idesë së një Rusie të bashkuar. Për ata që shqetësohen për ruajtjen e federatës, ka ardhur momenti i së vërtetës.
Epoka e perandorive ka perënduar prej kohësh. Perandoritë e së kaluarës u shembën pas luftërave dhe kryengritjeve, dhe një mori shtetesh-kombe dolën nga rrënojat e ish-kolonive të tyre. Shkrimtari polako-britanik Joseph Conrad, tha dikur se nuk kishte asnjë territor në botë që të mos ishte kolonizuar.
Anglia, një ish-koloni romake, u bë metropoli i një perandorie të re. Polonia, qendra e gravitetit në Evropën Lindore, u nda midis 3 shteteve armiqësore. Prusia Lindore, një ish-metropol dhe vendi i kurorëzimit të mbretërve, u bë një koloni. Më herët, thuajse e njëjta gjë kishte ndodhur me territorin e tatarëve.
Historia shpaloset pa kurrfarë rregulli. Perandoritë ngrihen dhe bien, si dallgët në një det të trazuar. Thënë këtë, gati të gjitha perandoritë u zhdukën gjatë shekullit XX-të, në një proces që është quajtur “de-kolonizim”. Perandoritë u mundën nga lloje të tjera shtetesh:kombëtare dhe federale.
Rusia bashkëkohore, një shtet-komb, e quan veten një federatë, si Gjermania apo Zvicra, kur në fakt ajo po sillet si një perandori në orën e fundit të jetës. Cili është dallimi midis një federate dhe një perandorie? Një federatë përcaktohet nga hyrja dhe dalja e lirë e anëtarëve të saj.
Perandoritë mbahen në këmbë me forcë, ndërsa federatat nuk e kundërshtojnë vetë-shpërbërjen e tyre. Në fillim të shekullit XX-të, kjo u quajt “e drejta për vetëvendosje, duke përfshirë shkëputjen”. Ky parim u përfshi në Deklaratën e të Drejtave të Popujve të Rusisë, të miratuar nga bolshevikët në nëntorin e vitit 1917.
Më vonë, ai u zhduk nga tekstet kushtetuese. Disa federata “të përbëra” janë shpërbërë pa përdorimin e forcës, si Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia. Por raste të tjera të shpërbërjes, kanë shkaktuar luftëra civile përmes ndërhyrjes ndërkombëtare.
Kjo ka ndodhur më herët në Shtetet e Bashkuara, dhe ka ndodhur para syve tanë në Jugosllavi:forcat ishin të pabarabarta, dhe njëra palë ia impononte vullnetin palës tjetër. Në raste të tjera, shpërbërja ka qenë paqësore, por krenaria e plagosur dhe ambiciet e ndërprera çuan më vonë në akte dhune.
Ky quhet revanshizëm, dhe i hap rrugën një lufte të re. Unë nuk po bëj thirrje për shkatërrimin e Federatës Ruse, por po e parashikoj atë, dhe kjo përbën një ndryshim. Shpërbërja mund të ishte shmangur. Mjafton që të mos fillonte luftën me Ukrainën.
Por ndenja e revanshizmit ishte më i fortë se sa kujdesi. Shembja e kësaj federate – një komunitet kompleks, artificial, shumë i pabarabartë dhe gjithnjë e më joproduktiv – do të ndodhë vetëm për shkak të udhëheqësve të saj në Moskë.
Ata që e duan federatën; ata që mendojnë se nëse do të zhdukej, njerëzit do të jetonin më keq; ata që e shohin idenë e një Rusie të bashkuar si vlerën kryesore dhe madje të vetme politike, duhet të fajësojnë vetëm ata që e filluan këtë luftë.
Në sa pjesë do të shpërbëhet federata, dhe a do të përputhen këto pjesë me përcaktimet aktuale të republikave dhe krahinave të saj? Në çdo rast, do të jenë njerëzit ata që do të vendosin. Në nivel lokal, institucionet ekzistuese, drejtuesit dhe kufijtë do të kenë një rol për të luajtur në zbatimin e “të drejtës për vetëvendosje, duke përfshirë edhe shkëputjen”.
Por ekzistojnë shumë faktorë të tjerë përcaktues:ekonomikë dhe kulturorë, vendas dhe ndërkombëtarë. Shtetet e reja do të jenë të ndryshme:disa do të jenë demokratike, të tjerat autoritare. Të gjithë do të lidhen më shumë me fqinjët e tyre, partnerët e tyre tregtarë dhe të sigurisë, sesa me “të afërmit” e tyre të vjetër, të lodhur dhe të neveritshëm.
Territoret që u përkisnin entiteteve të tjera kombëtare, përpara se të bëheshin pjesë e Rusisë pas Luftës së Dytë Botërore (Prusia Lindore, pjesë të Karelisë, Ishujt Kuril) do të largohen me shumë kënaqësi nga federata. Tensionet etnike dhe fetare në rajone, sidomos në rajone komplekse si Kaukazi, mund të çojnë në luftëra të reja.
Me rënien e federatës, do të rriten më tej pabarazitë sociale, një shenjë dalluese e Rusisë në dekadat e fundit. Provincat që prodhojnë lëndë të parë, do të jenë më të pasura, ndërsa rajonet e tjera do të jenë më të varfra. Duke shijuar lirinë, njerëzit e tyre do të tregojnë aftësi të reja krijuese.
Do të nisin të tregtojnë, ato që mund të krijohen vetëm nga shoqëritë e lira. Ata do të shpikin avantazhet e tyre krahasuese, të reja dhe unike. Historia do të vazhdojë. Herët a vonë komuniteti ndërkombëtar, të cilit nuk i pëlqejnë trazirat, do t’i marrë parasysh ndryshimet, dhe do të bëjë përpjekje për të shmangur gjakderdhjen.
Në këtë pikë, do të mbahet një konferencë për paqe, sipas modelit të Konferencës së Parisit të viteve 1918-1919, e organizuar nga fitimtarët e Luftës së Parë Botërore. Rusia, e cila nënshkroi një marrëveshje të veçantë paqeje në Brest-Litovsk, nuk u ftua në atë konferencë. Në traktatin e ri të paqes, negociatat do të ndërmjetësohen nga fqinjët e vendeve të reja:Ukraina, Kina, Norvegjia, Polonia, Finlanda, Kazakistani etj. Federatat historikisht më të suksesshme si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, do të kenë rolin e tyre për të luajtur. Një Traktat i ri Euroaziatik, do ta përfundojë punën e nisur në Versajë një shekull më parë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/
Shënim:Alexander Etkind, profesor i historisë dhe kryetar i marrëdhënieve Rusi-Evropë në Institutin Universitar Evropian në Firence, Itali.
Rruga Press