A është e rrezikshme të poshtërosh Putinin? Jo, thotë ish-shefi i NATO-s
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen ka thënë për Sky News se aleanca ushtarake ka për detyrë të ndihmojë Ukrainën me “mjetet për të luftuar” dhe “të fitojë këtë luftë”.
Ai tha se e vetmja gjuhë që kupton presidenti rus Vladimir Putin është “gjuha e fuqisë, forcës dhe unitetit”.
“Kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion maksimal ndaj Rusisë përmes dërgimit të të gjitha armëve dhe ndërprerjes së të gjitha financimeve të Rusisë”, tha ai.
“Unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të ndërpresë të gjitha financimet e makinerisë së luftës së Putinit.”
Ai tha se ishte një hap i parë i mirë për BE-në që të ndalonte rreth 75% të importeve të naftës ruse, por ai duhet të pasohet edhe nga një embargo ndaj gazit.
“Kjo do ta gjunjëzonte makinerinë e luftës së Putinit,” tha ai.
Ai vazhdoi: “Mendoj se historia na ka mësuar se paqëtimi me diktatorët nuk çon në paqe, përkundrazi, çon në luftë dhe konflikt.
“Kam vënë re se dikush [aludohet se po flet për presidentin francez Emmanuel Macron] ka propozuar se do të ishte e rrezikshme të poshtëronim Putinin.
“Vendosja e precedentit që një agresor mund të arrijë përfitime territoriale nëpërmjet një marrëveshjeje paqeje pas një lufte të pajustifikuar – kjo vetëm do të inkurajojë diktatorët e tjerë gjithashtu. Do të dërgonte një sinjal shumë të rrezikshëm.”
Ai paralajmëroi se rreziku më i madh tani është një konflikt i zgjatur, sepse “Putini dhe Rusia janë ekspertë të konfliktit të zgjatur dhe të ngrirë”.
“Unë mendoj se qëllimi i Putinit mund të jetë të vazhdojë të destabilizojë dhe dobësojë Ukrainën përmes një konflikti të zgjatur,” tha ai.
“Unë mendoj se ky është aktualisht rreziku më i madh dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të dërgojmë të gjitha armët që i duhen Ukrainës.”
©Rruga Press