Gjeopolitikë

Me apo pa Putinin, duhet një strategji për shembjen e sistemit që ka ngritur ai në Rusi

Nga Olga Lautman “Center for European Policy Analysis

Debati në lidhje me gjendjen shëndetësore të udhëheqësit nisi që në muajin shkurt, pak ditë para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, kur sjellja e çuditshme e Vladimir Putinit në një takim me zyrtarët më të lartë rusë të transmetuar nga televizionet, habiti edhe vëzhguesit profesionistë.

Në komentet e mëvonshme, sjellja e tij u përshkrua si e çuditshme, rrëqethëse dhe jashtë logjikës, ndër shumë etiketime të tjera. Pasi mori vendimin në dukje vetë-shkatërrues për të nisur një luftë të paprovokuar gjithëpërfshirëse kundër një fqinji paqësor, pati një debat të kuptueshëm nëse Putin po shfaqte ndonjë sëmundje mendore.

“I ngurtë dhe paranojak” sipas presidentit francez Emmanuel Macron, që pas një takimi me Putinin, e quajti këtë të fundit “më të vrazhdë në sjellje dhe më të izoluar” sesa në të kaluarën. Edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, mbështeti deklaratën e Macron.

“Ky që po shohim është një Vladimir Putin ndryshe. Ai ishte gjithmonë llogaritës dhe i ftohtë. Por sot është ndryshe. Duket si një njeri i marrë”- tha ajo. Spekullimet mbi shëndetin e Putinit vetëm sa u shtuan, teksa nisën të shfaqen provat për krimet e luftës por edhe për dështimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Një kanal anonim në rrjetin social Telegram me emrin “SVR General”, që pretendonte se kishte burime të brendshme, deklaroi se Putin ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, po përgatitej t’ia dorëzonte përkohësisht pushtetin shefit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev, për t’iu nënshtruar në maj një operacioni të fshehtë për shkak të një tumori nga i cili vuan prej disa kohësh.

Ky postim u publikua edhe nga tabloidet britanike, dhe zërat mbi shëndetin e Putin u shtuan akoma më shumë. Më 13 mars, u raportua se çdo drejtor rajonal i shërbimit rus të sigurisë, FSB, mori një e-mail që i udhëzoi ata të mos besonin thashethemet për “gjendjen përfundimtare” të Putinit.

Ndërkohë ish-oficeri i MI6 britanike, Christopher Steele, tha se diktatori rus ishte duke vdekur. Një oligark pranë Kremlinit u regjistrua duke thënë se presidenti rus ishte “shumë i sëmurë me kancer në gjak”. Raportimet mbi këtë çështje u bënë gjithnjë e më të zymta.

Katër tabloide britanike pretenduan më 29 maj se burimet e inteligjencës britanike besonin se Putin tashmë mund të ketë vdekur, dhe se për ta fshehur këtë gjë po përdoren disa sozi. Të tjerët raportuan se Putinit i kanë mbetur edhe 3 vite jetë. Edhe shërbimi sekret amerikan u angazhua në këtë fushatë, duke vlerësuar se Putin u trajtua për sëmundjen e kancerit në muajin prill, ndërsa i ka mbijetuar një atentati në mars.

Sigurisht, Kremlini ka lëshuar disa deklarata përgënjeshtruese. Pse ka pasur kaq shumë rrjedhje informacioni, dhe kujt i shërben kjo në një regjim që është si një “shtëpi pasqyrash”, ku fshihet e vërteta dhe ku zhvillohen shumë operacione dezinformuese? Së pari, spekulimet mbi shëndetin e Putinit kanë një histori të gjatë.

Ato nisën që në fillim të viteve 2000. Madje që gjatë ditëve të para të presidencës së tij, pati histori të pafundme që sugjeronin se shëndeti i tij ishte i dobët. Në vitin 2003, u fol shumë për ekzemën që kishte Putin në njërën nga këmbën e tij, teksa revista “Kommersant-Vlast” publikoi një foto që e tregonte atë me një kostum më të madh sesa përmasat trupore.

Në vitin 2005, “The Atlantic” botoi një artikull ku i referohej një studimi nga Brenda Connors, një asistente kërkimore në Departamentin e Studimeve Strategjike në Kolegjin e Luftës Detare në Newport. Connors kishte një specialitet të rrallë – “analiste e lëvizjes trupore” – dhe tha për “The Atlantic”, se pasi kishte parë një kasetë nga inaugurimi i parë i Putinit në detyrë, ajo vuri re me lëvizje të ngadaltë ecjen e tij dhe pa se “krahu dhe këmba e djathtë praktikisht nuk funksionojnë, gjë që tregon pasojat ose të një goditjeje në tru ose të pësuar nga trauma apo ndonjë sëmundje në fëmijëri”.

Një studim i Pentagonit i vitit 2008, pretendonte se Putin vuante nga sëmundja Asperger. Në vitin 2010 pati diskutime mbi shëndetin e tij mendor dhe përdorimin e dukshëm të Botox-it, pasi Putin po shfaqej në foto me sytë e nxirë. Në vitin 2012, nisën të ziejnë zërat mbi këtë çështje kur kryeministri japonez i kohës Yoshihiko Noda shtyu një vizitë në Rusi, duke përmendur “problemet shëndetësore” të Putinit.

Kremlini është përpjekur që t’i hedhë poshtë këto pretendime. Në fillim të viteve 2000, u botua një intervistë me kreun e Qendrës Mjekësore të Administratës Presidenciale, Sergei Mironov që ndër të tjera thoshte: “Vladimir Putin është i shëndetshëm, i fortë, pra nuk ka probleme të natyrës mjekësore. . . Sa i përket stabilitetit të presionit të gjakut, leximeve të elektrokardiogramës, ngarkesave funksionale, matjeve të kapacitetit të mushkërive dhe disa parametrave të tjerë, Putin është shumë më i ri sesa 50-vjeçarët e tjerë”- tha ai.

Kremlini ishte i prirur të krijonte imazhin e një mashkulli Alfa (kujtoni pak fotot e kalërimit gjysmë i zhveshur dhe ndeshjet e hokejit mbi akull). Por pavarësisht pretendimeve zyrtare, zërat mbi shëndetin e Putinit vazhduan. Kështu kur Rusia po përgatiste aneksimin e Krimesë dhe operacionet ushtarake në Ukrainën Lindore, një artikull i janarit 2014 nga revista “The Week” raportoi mbi zërat se Putin ishte “i sëmurë rëndë” dhe “ndoshta” vuante nga një kancer i palcës kurrizore.

Ne nuk mund ta dimë nëse këto thashetheme, disa prej të cilave mund të supozohet se e kanë origjinën nga shërbimet e inteligjencës ruse, janë krijuar enkas për të shkaktuar konfuzion, për të demaskuar individë dhe grupimet që shpresojnë të marrin pushtetin, apo të ofrojnë shpresë të rreme se ndryshimi është shumë afër.

Por mund të jemi të sigurt se ndërsa diktatori rus supozohet se vuante nga një sërë kancerash dhe sëmundje të tjera, si fizike ashtu edhe mendore, Putini dhe regjimi i tij kanë kryer krime të panumërta, vrasje, akte sabotazhi, operacione për të përmbysur demokracitë e vendeve të tjera, sulme me armë kimike dhe radiologjike si dhe krimet e luftës në Ukrainë, Siri, Çeçeni, Gjeorgji, Republikën Çeke, Gjermani, Britani, SHBA dhe shumë vende të tjera.

Vëmendja nuk duhet të jetë tek shëndeti i liderit rus, por tek hartimi i një strategjie për ta ndalur këtë regjim, për të shkatërruar sistemin e korruptuar dhe mizor që prodhon udhëheqës si Stalini dhe Putini. Sigurisht, një ditë diktatori aktual rus do të vdesë ose do të largohet nga detyra. Por ekziston rreziku që dikush po aq i keq, ose më i keq, ta zëvendësojë atë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *