Bota

Egjipti blen 400 mijë tonë grurë. Grosistët vendas: Çmimet mund të vijojnë rritjen, por furnizimi nuk rrezikohet

Blerësi shtetëror i drithërave në Egjipt, Autoriteti i Përgjithshëm për Furnizimin e Mallrave (GASC) ka përfunduar tenderin ndërkombëtar për blerjen e 400 mijë tonë grurëve.

Gruri është blerë me çmimin e 480 USD/ton nga Rumania, Rusia dhe Bullgaria. Egjipti është një nga importuesit më të mëdhenj në botë të grurit. Transporti i 6 anijeve me grurë do të bëhet në periudhën 20- 31 qershor, 1 -22 korrik dhe 1 deri 10 gusht.

Grosistët vendas të kontaktuar nga “Monitor” pohuan se mbyllja e tenderit për blerjen e 400 mijë ton grurë nga Egjipti është sinjal për një tjetër rritje të çmimit të grurit në tregjet e huaja. Efektet do të ndihen edhe në tregun vendas. Sipas tyre, edhe vendimi i Indisë për bllokimin e eksportit të grurit për shkak të thatësirës dhe temperaturave të larta si dhe reduktimi 50% i eksportit nga Ukraina për shkak të luftës do të jenë faktorët kryesorë për rritje të çmimit.

Lexo më shumë  Pistorius e hodhi poshtë kandidaturën – Scholz do të rikandidojë për kancelar të Gjermanisë

“Aktualisht çmimi i grurit në tregjet e huaja është 480 deri 485 USD/ton nga 220 deri 240 USD/ton që ishte vitin e kaluar, pra, është dyfish më i lartë. Situata e çmimeve është e paqëndrueshme. Për shkak të sulmit të një porti në Ukrainë çmimet në tregjet e huaja janë rritur 40 USD për ton nga 440 USD që ishte çmimi pak ditë më parë. Parashikohet në muajt në vazhdim të ketë rritje tjetër të çmimeve”, theksoi një nga grosistët e grurit në vend.

Kompanitë e blojës pohojnë se nuk rrezikohet furnizimi me grurë, ndërsa shtojnë se muaji korrik, kur nis korrja do të jetë përcaktuese për vijueshmërinë e furnizimeve.

Sipas tregtarëve, çmimi i miellit me shumicë në vend është 8,200 deri 8,400 Lekë/kv nga 4,400 deri 4,500 Lekë/kv që ishte vjet (rreth 90% rritje). Sipas furnizuesve konsumi i miellit në vend është deri 40% më pak në raport me vjet për shkak të shtrenjtimit të çmimeve. Çmimet e shitjes së miellit në vend prej disa javësh përcaktohen nga Bordi i Transparencës.

Lexo më shumë  Seuli: Rusia, raketa kundërajrore Koresë së Veriut në këmbim të ushtarëve

Rritja e çmimit të grurit nisi qysh verën e kaluar, si rezultat i rritjes së kërkesës dhe rënies së ofertës, për shkak të të korrave jo shumë të mira dhe problemeve me zinxhirin e furnizimit. Në muajin tetor 2020, çmimi i grurit të zhdoganuar, sipas kompanive kryesore të blojës, arriti 220 dollarë/ton dhe çmimi i miellit ishte 48 lekë /kg. Një vit më pas nga fundi i shtatorit -fillimi i muajit tetor çmimi i grurit të zhdoganuar arriti 340 Dollarë/ton dhe çmimi i miellit në treg 55 deri 58 lekë/kg. Çmimi i grurit të zhdoganuar në harkun e 1 viti u shtrenjtua 63%./Monitor./

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *