Deputeti i Bundestagut: Ka ardhur koha për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut
Deputeti i Bundestagut, Peter Beyer (CDU) tha në Tiranë, se Gjermania e mbështet idenë e anëtarëve të asociuar në BE, si një mundësi për të bashkëpunuar më ngushtë dhe afruar këto vende me BE.
Peter Beyer, deputet dhe kryeraportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman deklaroi në Tiranë, se ka ardhur koha për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, (MV) lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe zhvillimin e Konferencës së parë ndërqeveritare të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Ka pak pak gjasa që brenda Presidencës franceze të Këshillit Europian, që mbaron në fund të këtij muaji, Bullgaria të heqë dorë nga veto kundërshtuese ndaj Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave. Nëse Bullgaria nuk tërhiqet ka ardhur koha që Shqipëria të shkëputet nga Maqedonia e Veriut. Asnjë prej dy vendeve nuk duhet të mbetet peng i tjetrit”, tha Beyer në konferencën e shtypit të mbajtur të martën, (07.06) në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Tiranë.
Bullgaria vendosi veton ndaj Maqedonisë së Veriut në nëntor 2020 për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me gjuhën dhe identitetin e Maqedonisë së Veriut. Autoritetet bullgare njohin gjuhën dhe identitetin maqedonas vetëm pas vitit 1945. Sipas tyre para kësaj periudhe ato kanë pasur “rrënjë bullgare”. “Kemi një situatë të turpshme për Bashkimin Europian në atë që po ndodh me Bullgarinë. Shqipëria s’duhet të vuajë në këtë proces. Ka ardhur momenti të zhbllokohet kjo situatë dhe për këtë gjë unë i bëj thirrje Bullgarisë ta tërheqë këtë bllokim”, tha Peter Beyer në konferencën për shtyp.
Integrimi në BE detyrë herkuliane – le ta bëjmë së bashku
Lidhur me pyetjen e DW për qëndrimin e Gjermanisë ndaj idesë së krijimit të një “Bashkësie politike europiane” me vende që do të jene anëtarëve të asociuar në BE, përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur disa prej tyre, përfshirë edhe Shqipërinë kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, Peter Beyer tha: “Gjermania e mbështet procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor (BP) në BE dhe idenë e anëtarëve të asociuar në BE, si një mundësi për të bashkëpunuar më ngushtë dhe afruar këto vende me BE. Integrimi në BE është një detyrë herkuliane, rruga është e gjatë, le ta bëjmë së bashku. Ka një përqasje të re ndaj rolit të BP si një rajon i rëndësishëm. Lufta në Ukrainë, ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet e Rusisë për ta rritur atë, kanë sjellë një situatë, ku Ballkani Perëndimor duhet të merret seriozisht nga BE”, theksoi ai.
Nga pozicioni i kryeraportuesit për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Peter Beyer tha se”Shqipëra duhet të bëjë progres në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor”.
Gjermania mbështet “Ballkanin e Hapur” nëse nisma bëhet me transparencë të plotë
Vizita zyrtare e deputetit gjerman, Peter Beyer në Tiranë përkoi në kohë me zhvillimin e samitit të „Ballkanit të Hapur|”në Ohër. “Nëse nisma „Ballkani i Hapur” bëhet me transparencë të plotë, me një thelb të qartë dhe pozita të barabarta mund të sjellë përparim për të gjitha vendet, pasi bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal. Kjo është një gjë që ne duam ta mbështesim gjithmonë, nëse zhvillohet në mënyrën e duhur në vijimësi si të Procesit të Berlinit dhe jo si nismë e veçantë”, tha Beyer.
Lidhur me deklaratën e ministrit të jashtëm rus Lavrov, se „Rusia mbështet nismën e „Ballkanit të Hapur”, kur BE dhe NATO duan një “Ballkan të Mbyllur”, Peter Beyer tha se “Rusia nuk duhet të përzihet në ꞔështje që nuk i takojnë. Ne nuk do të rrimë duarkryq para veprimeve të Rusisë dhe agresionit të saj ndaj Ukrainës”. /DW/
Rruga Press