KryesoreLajme

Kurti: Kosova e mirëpret njohjen nga Beogradi, por mund të jetojë dhe zhvillohet edhe pa të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Oxford Union, ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku tha se ndryshimi politik në Serbi mund të bëhet vetëm nga populli serb, dhe shton se, si kryeministër i Kosovës mund t’i ndihmojë serbët në Serbi për të arritur një gjë të tillë.

Kurti thotë se si kryeministër i Kosovës mund t’i ndihmojë ata duke ua dëshmuar se si Kosova mund të lulëzojë pavarësisht mosnjohjes së pavarësisë nga Serbia.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se njohja nga Beogradi është gjithmonë e mirëseardhur, megjithatë shton se Kosova mund të jetojë dhe zhvillohet edhe pa një gjë të tillë.

“Ndërsa një ndryshim progresiv në politikën serbe është diçka që vetëm populli serb mund ta sjellë, ka mënyra se si mund ta ndihmojmë atë nga jashtë. Si kryeministër i Kosovës, unë mund ta ndihmoj një ndryshim të tillë duke dëshmuar se republika jonë mund të lulëzojë pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Një Kosovë e fortë dhe prosperuese do ta ndihmojë popullin serb dhe elitën e tij politike të kuptojë se një politikë miqësie ndaj nesh u shërben interesave të tyre shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse qeveria ime po fokusohet në zhvillimin e ekonomisë sonë, reformimin e sistemit tonë të drejtësisë dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse. Për të qenë i sigurt, unë mbetem i përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me lidershipin aktual të Serbisë. Njohja nga Serbia është gjithmonë e mirëseardhur dhe sa më shpejt të vijë aq më mirë për të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor. Por, Republika e Kosovës sigurisht që mund të jetojë dhe të lulëzojë edhe pa të”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Këto deklarime Kurti i ka bërë pasi ka folur për ambientin politik në Serbi dhe rreth asaj se sa pak dëgjohen atje zërat e majtë progresivë që njohin të drejtën e Kosovës për pavarësi.

“Një mjedis gjeopolitik armiqësor priret të shkaktojë një dëm të rëndë në imagjinatën politike progresive. Zërat e majtë (progresivë) serb që bëjnë thirrje për njohjen e së drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar kanë qenë tradicionalisht si zëra që nuk dëgjohen. Socialdemokrati i fillimit të shekullit të njëzetë, Dimitrije Tucović, dënoi politikat imperialiste të Serbisë ndaj popullit shqiptar dhe i bëri thirrje Beogradit që të njohë të drejtën e tyre për vetëvendosje. Edhe pse mjaft margjinalë në politikën serbe, zërat social-demokratë si ai i Tucović-it, apo ato liberale progresive si ai i Milan Piroćanac-it të arsimuar nga perëndimi (shek. 19), kanë qenë vërtet shumë të çmuar. Fatkeqësisht, sot ata praktikisht nuk kanë trashëgimtarë politikë në skenën politike të Serbisë. Megjithatë, derisa politikanë të tillë të bëhen më të shumtë dhe me ndikim në jetën politike serbe, është e vështirë të shihet se si mund të ketë një paqe të drejtë dhe afatgjatë midis dy vendeve tona. Presidenti aktual i Serbisë refuzon të pranojë se masakra e Reçakut (15 janar 1999) ka ndodhur ndonjëherë, e lëre më të kërkojë falje për të. Për më tepër, ai nuk po pranon as të nënshkruajë një pakt mossulmimi midis dy vendeve tona, diçka që ia propozova një vit më parë si hap të parë drejt ndërtimit të mirëbesimit”, ka theksuar Kurti.

Lexo më shumë  Konjufca: Dhuna ndaj grave nuk luftohet vetëm me institucione

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *