Rusia kërcënon hapur Serbinë
Tensionet në lidhje me vizitën, tashmë të anuluar të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov në Beograd, po vazhdojnë.
Lavrovit iu pamundësia fluturimi në Beograd, pasi shtetet si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ndaluan fluturimin e aeroplanit me diplomatin rus në bord.
Lajmin për anulim të vizitës, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i dha ambasadori rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko.
Ambasadori dha edhe një intervistë për të përditshmen ruse “Izvestia” dhe sipas analistëve serbë, përdori gjuhë kërcënuese e goxha jodiplomatike.
Kharchenko tha se “Serbia nuk guxon të harrojë se sa e varur është nga Rusia për gazin”, kur u pyet nëse Serbia do t’i vë Kremlinit sanksione, ashtu siç po kërkon Perëndimi për shkak të luftës në Ukrainë.
“Më duket se kjo është hera e parë që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, që dikush nga Rusia kaq lakuriq dhe pa mëdyshje ia kujton publikut se do të ketë pasoja të rënda për ekonominë tonë në rast se vendosim sanksione kundër regjimit të Putinit”, tha Milosh Nikoliq, redaktor i portalit “Talas” për gazetën “Danas” të martën. “Mesazhi është i qartë – mos harroni se sa jeni të varur nga ne dhe çfarë dëmi mund t’ju bëjmë nëse nuk merrni një vendim në përputhje me interesat tona”, komentoi Nikoliq deklaratën e ambasadorit rus.
Sipas tij, marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Federatës Ruse dhe Serbisë, janë shumë modeste.
“Serbia eksporton mallra dhe shërbime në Bashkimin Evropian me vlerë 16 herë më shumë se sa është rasti me Rusinë. Ne eksportojmë 4 herë më shumë vetëm në rajonin tonë sesa në Rusi. Për fat të keq, Serbia është në një pozicion të varur nga energjia në raport me Rusinë, dhe kjo është pasojë e politikës së keqe sistematike, që nga shitja e NIS-it në Rusi deri te mungesa e përpjekjeve serioze në fushën e diversifikimit të energjisë dhe ndërtimit të energjisë alternative”, theksoi Nikoliq.
Serbia po refuzon t’i vë sanksione Rusisë për shkak të agresionit të këtij shteti në Ukrainë. Presioni ndërkombëtar mbi Serbinë për sanksione është i madh, por me presion, tashmë edhe publikisht, po shërbehet edhe Rusia.
Serbia është ndër vendet e vetme në Evropë që nuk ia ka vënë sanksione Rusisë.
Rruga Press