Joseph: Urime Sergey Lavrovit që i dha “puthjen e vdekjes” Ballkanit të Hapur
Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, ka ‘përgëzuar’ ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, që, sipas tij, i dha ‘puthjen e vdekjes’ nismës Ballkani i Hapur, për të cilën tha se ishte një ide e administratës së ish-presidentit amerikan Trump që e avancon agjendën e “partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë”.
Pas anulimit të vizitës në Beograd, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, deklaroi se “NATO-ja dhe BE-ja duan ta kthejnë Ballkanin në një projekt të tyre të quajtur ‘Ballkan i Mbyllur’”, duke iu referuar Ballkanit të Hapur.
Për këtë Joseph tha se Lavrovit i takojnë meritat për shkaktimin e dështimit të Open Balkan.
“Sikurse duhet falënderuar Putinin që i injektoi jetë NATO-s, lavdërime edhe për Sergey Lavrov që i dha puthjen e vdekjes Ballkanit të Hapur. Kjo ide e administratës së Trump avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë, nën Aleksandar Vuçiqin”, ka shkruar Joseph.
Ai thotë se për këtë Sputnik Serbia, të cilën e quajti zgjatjen kryesore të Rusisë në Serbia, e ka mbështetur vazhdimisht Ballkanin e Hapur.
“Open Balkan është ftesë e hapur për Vuçiqin që të shfrytëzojë madhësinë ekonomike të Serbisë për avantazhe politike – pa kufizime politike apo vlera të BE-së. OpenBalkan = ‘Bota Serbe’ nëpërmjet tregut për fqinjët më të vegjël të Serbisë”.
Joseph ka thënë se jo domosdoshmërish tregtia krijon besim, duke marrë shembull edhe shtete të tjera që marrëdhëniet tregtare nuk ia kanë zgjidhur problemet politike.
“Duke besuar se Aleksandar Vuçiq dëshiron të anëtarësohet në BE, zyrtarët e SHBA-së kanë pranuar nocionin se ‘tregtia është e barabartë me besimin’. Ajo që ka rëndësi është karakteri i regjimit me të cilin po tregtoni. Pyeteni Ukrainën: deri më 24 shkurt, Rusia ka qenë partneri kryesor tregtar i #ievit, për eksporte dhe importe. Pyesni Japoninë, Korenë e Jugut ose Tajvanin nëse tregtia ka krijuar besim me Kinën”.
Ai thotë se e njëjta histori është edhe në Ballkan.
“Serbia është partneri tregtar numër një i Malit të Zi, për importe dhe eksporte – dhe Beogradi është në vendin e fundit për sa i përket besimit. Përkrahja e fundit e kryeministrit të Malit të Zi për Open Balkan ka përkeqësuar ndasitë në vend”.
Joseph thotë se çdo politikë në Ballkan që përballet me kërcënim të drejtpërdrejtë nga Serbia është skeptike, nëse jo dyshuese ndaj Open Balkan.
“Sikurse BERZH vuri në dukje se në Bosnje, problemet thelbësore ekonomike janë të natyrës politike. Ashtu siç ka e ka shtyrë Putini NATO-n, shpresojmë se Lavrov do të nxisë alternativat për Open Balkan që ndërtojnë një treg të përbashkët rajonal mbi vlerat e përbashkëta të BE-së”.
Vizita e Lavrovit u ndalua për shkak se Mali i Zi, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut s’lejuan që aeroplani i tij të kalonte nëpër hapësirën e tyre ajrore.
Rruga Press