Sazani “përpihet” nga flakët, dëgjohen shpërthime në zonë, pse nuk ndërhyhet nga ajri?
Prej pasdites së djeshme ishulli i Sazanit ndodhet nën pushtetin e flakëve, ndërsa autoritetet ende nuk e kanë parë të arsyeshme që të ndërhyjnë nga ajri.
Situata mbetet kritike. Abc mëson se janë dëgjuar edhe shpërthime në zonë. Dyshohet të jenë municione të vjetra por edhe pemë që po digjen nga flakët. Në zonë ndodhen mbi 100 forca për të lokalizuar flakët, por duket se është e pamundur që t’i mposhtin flakët.
Përmes një deklarate në rrjete sociale ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit, ndërsa situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen edhe për shkak edhe të erës.
“Prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit. Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë. Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll”, shkruan ministri.
Ndonëse është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, po digjen sipërfaqe të konsiderueshme me pemë dhe shkurre. Emergjencat civile në lidhje me ndërhyrjen nga ajri janë shprehur se situata është nën kontroll dhe jo çdo zjarr ka nevojë për helikopterë.
Megjithatë theksojmë se rreziku më i madh për ata që po shuajnë zjarrin janë municionet e ngelura nga viti 1997 të cilat si duket kanë filluar të shpërthejnë. /abcnews.al/
Rruga Press