Merrni frymë dhe ndieni aromat e së kaluarës në pazaret e kalldrëmta shqiptare
Tregu mbetet një vend i përsosur për ndërlidhjen njerëzore. Tregjet e para zakonisht janë të vendosura në natyrë ose në sheshet e qytetit e nuk mbeten vetëm vende ku shkëmbehen mallrat e të mirat materiale. Është një vend i përsosur takimi i ndërlidhjes njerëzore e ku shkëmbehen përvoja, kultura dhe zakonet e një komunitetit a më gjerë. Të tilla tregje janë formuar prej njerëzve, për t’u shërbyer po atyre. Ato kanë qenë direkte dhe të larmishme dhe kemi pasur një sërë tregjesh të kalldrëmta shqiptare mjaft të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë të para viteve tridhjetë.
Pazari i Krujës
Pazari i vjetër i Krujës ose siç thirret nga vendasit, Pazari i Derexhikut, shtrihet në të dyja anët e rrugës së vjetër të shtruar me kalldrëm që të çon për në kala, një vendpazar që ka ekzistuar nga koha e Skënderbeut. Gojëdhënat thonë se në Derexhik macja kalonte tjegull më tjegull, në një gjatësi mbi 7 kilometra nga fshati Zahari deri në Picrrakë. Derexhiku ka ardhur gjithnjë duke u zvogëluar, pak e nga pak, për të mbetur sot vetëm një rrugicë që bashkon kohë krejtësisht të ndryshme
Pazari i vjetër i rezistoi pushtimit turk për 500 vjet, për të qenë një ndër qendrat më të rëndësishme të zhvillimit tregtar. Një pjesë e mirë e pazarit është djegur në kohën kur Shqipëria sundohej nga Ahmet Zogu. Më pas, për vite me radhë mbeti si relikt i qytetit, ndërsa tani shfrytëzohet si pikë turistike
Në dyqanet e tij prej druri dikur grupoheshin zejtarë të ndryshëm, si bërësit e pajisjeve prej bakri, qëndistarë e punues të armëve, ndërsa tani gjen artizanë që thurin dhe endin në vegjë, punojnë qeleshet, burra që gdhendin drurin, punojnë bakrin, ildisin veshje kombëtare dhe që, në sajë të traditës, sigurojnë jetën në kohët moderne. Artizanati i harruar rikthehet në këto kohë moderne, më shumë sesa për vendasit, për të huajt.
Çarshia e vjetër e Shkupit
Çarshia e Shkupit vazhdon të ekzistojë prej më shumë se shtatë shekujsh. Ajo shtrihet nga Ura e Gurit deri te Bit pazari dhe kalaja. U ndërtua sipas modelit të metropoleve të tjera bizantine. Në shekullin e 16-të dhe 17-të u bë një nga çarshitë orientale më të rëndësishme në Ballkan dhe, në mesin e shekullit të 17-të, ka pasur mbi 2150 dyqane.
Edhe pse ka përjetuar disa katastrofa, siç ishte rënia e një zjarri në vitin 1689 dhe një tërmet në vitin 1963, çarshia ka mbijetuar deri në ditët e sotme dhe përbën krenari për qytetin. Tani mbizotëron arkitektura otomane, por vërehen edhe mbetje nga periudha bizantine. Veçanti të famshme janë bujtinat, midis të cilave Suli Hani, Kapan Hani e Karvan Saraji i Kurshumli Hanit, si dhe hamamet siç janë Çifte Hamami ose Hamami i Daut Pashës – secili prej tyre përmban një histori të papërsëritshme.
Çdo objekt i rëndësishëm i çarshisë sot është bërë galeri ose muze. Bëni një shëtitje nëpër rrugët e ngushta me kalldrëm të labirintit të çarshisë, kënaquni në bukurinë e arkitekturës, vizitoni ndonjë nga dyqanet, shijoni lahmaxhunin, kërnackat a ndonjë byrek, ëmbëltohuni me llokume ose pini një çaj
Pazari i Shkodrës
Fillimet e Pazarit të Vjetër të Shkodrës mendohet se i përkasin dinastisë së Bushatllinjve. Kulmin e lulëzimit e arriti gjatë pushtimit osman, kohë në të cilën u bë qendër e madhe tregtare e trevave shqiptare dhe më gjerë në import–eksportin e mallrave nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Manastiri, Bullgaria dhe anasjelltas, pra në gjithë Rumelinë. I shtrirë midis pjesës së vjetër dhe të re të qytetit, ky treg lejonte një kapacitet me mbi 30.000 njerëz në ditë pazari.
Ai u bë qendra më e madhe tregtare. Asokohe në breg të liqenit dhe lumit Buna ankoroheshin dhjetëra anije të vogla e të mëdha, deri tek avulloret 1000-tonëshe, e kishte një pazar anijesh që ishte edhe në “garë” me “Pazarin e Madh”, edhe vazhdim i tij. Aty ishin ngritur magazina të mëdha për hyrje–dalje mallrash, kishte zyra të mëdha doganore, banka dhe afro 1.500 dyqane të papërsëritshëm edhe sot e kësaj dit
Dyqanet ishin vendosur në mbi 30 sokakët e pazarit, të cilat ishin ndarë sipas zanateve (zejeve) e ku punonin qindra zanatçinj e çirakë, që mësonin e punonin çdo ditë. Brenda tij kishte rregull e disiplinë të veçantë dhe kryheshin shërbime kafeje, berberhane, hekurosjeje etj. Për fat të keq pazari nuk ekziston më. Malazezët më 1913 dogjën dhe shkatërruan qëllimisht mbi 250 dyqane, më të mirët, në pothuajse gjithë Pazarin e Madh në Shkodër. Të njëjtën gjë bënë edhe kolonët grekë. Goditjen e fundit pazari e mori me vendosjen e regjimit komunist.
Rruga Press