Sarandë: E kthyen lulishten në shesh ndërtimi, 3 zyrtarë e 3 përfitues tjetërsuan 10 mijë metra tokë
Kreu i Urbanistikës në bashki, juristja në Kadastër dhe një noter i kanë hequr banorëve të Sarandës 10 mijë metra lulishte, të cilën e tjetërsuan dhe e kthyen në shesh ndërtimi! Bashkë me ta në pranga përfunduan edhe 3 përfituesit.
10 mijë metra katror lulishte në Sarandë e kthyen në truall dhe aty kur dikur kishte gjelbërim tashmë ka ndërtime betoni.
Një rast i tjetërsimit të pronës shtet në mënyrë abuzive e korruptive u dokumentua në qytetin bregdetar.
Pandi Zhonga, Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Sarandë, dyshohet se është pjesë e skemës, ndaj u vu në pranga.
Bashkë me zyrtarin, vartës i Adrian Gurmës u arrestua juristja e Zyrës së Hipotekës në Sarandë, Rovena Alikaj dhe noteri Aleko Anagnosti.
Të tre a akuzohen për shpërdorim detyre.
Hetimet e prokurorisë së Sarandës, mësohet se kanë dokumentuar të gjithë procedurën e ndjekur.
Skema e tjetërsimit ka nisur në zyrën e noterit Aleko Anagnosti.
Ai ka prodhuar dokumente, me të cilat aplikohej për leje ndërtimi në Zyrat e Bashkisë Sarandë, ku miratoheshin nga Pandi Zhonga.
Me lejen e ndërtimit toka dhe objekti hipotekoheshin në Kadastrën e Sarandës.
Përfituesit mësohet se janë shtetasit Argonida Canaj, Fredi Merkuri dhe Valter Llomi.
Te tre përfunduan në pranga me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Ky nuk është rasti i vetëm kur zyrtarë të Bashkisë së Sarandës kapen të përfshirë në tjetërsimin e pronave në qytetin turistik.
Në muajin mars, në pranga ranë Andri Dhima ish-drejtor i Kadastrës Sarandë, Vasil Lango , përgjegjës i sektorit të hartografisë, Saimir Braho, hartograf dhe Erliton Ymeri, hartograf në këtë institucion.
Ndërsa në Shkurt 2022, u arrestua shefja e IMT-së pranë bashkisë Sarandë, Romina Pulaj dhe u shpall në kërkim inspektori, Martin Arapi.
Rruga Press