1 mln € në ditë për energji, Shqipëria importon 1/3 e nevojës për konsum
Sezoni veror dhe marrëveshja e Bashkimit Europian për embargon e naftës dhe gazit rus kanë dhënë goditjet e para në tregjet e energjisë.
Çmimi për 1 megavat orë energji elektrike u rrit me 30% që prej të shtunës duke kushtuar 220 euro.
Shqipëria po importon afro një të tretën e nevojave për konsum, çka ka çuar kostot e blerjes së energjisë në 1 milion euro në ditë.
Vetëm për 5 ditët e para të qershorit, Korporata Elektroenergjetike ka blerë 5 milionë euro energji, me një çmim mesatar 227 euro për megavat orë.
Prodhimi ditor i Kaskadës së Drinit është i kujdesshëm, me 6 mijë megavat në ditë, në mënyrë që të ruajë rezervën hidrike për muajt e verës, të cilët njihen si periudha më e thatë e vitit.
Aktualisht niveli në Fierzë është 288 metra, dhe prurjet mesatare janë 140 m3/s.
Rezerva hidrike është dyfishuar që prej marsit duke arritur në 1047 gigavat. Me këtë sasi vendi mund të furnizohet pa ndërprerje për dy muaj.
Situata e çmimeve të larta ka goditur jo vetëm financat e sektorit energjetik, por dhe buxhetin e shtetit i cili ka dhënë 230 milionë euro fonde për përballimin e nevojave për blerje të energjisë.
Qeveria është duke diversifikuar burimet energjetike në licencimin e parqeve diellorë, ndërsa së fundi ka hapur ankandin për licencimin e kompanive që kërkojnë të prodhojnë energji nga era. Kapaciteti i licencave që do të jepen për parqet eolikë është 100 megavat.
Rruga Press