Gjeopolitikë

100 ditë nga lufta të cilën Putini e quan “operacion special”

Presidenti rus, Vladimir Putin, autorizoi një operacion special ushtarak në rajonin ukrainas të Donbas në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit dhe i bëri thirrje ushtrisë ukrainase të ulë armët e të shkojë në shtëpi.

“Populli i Republikave në Donbas kërkoi ndihmën e Rusisë. Në lidhje me këtë, sipas artikullit të 51, pjesa 7 e kapitullit të Kombeve të Bashkuara, me aprovimin e Këshillit të Federatës Ruse dhe në bashkëpunim me miqësinë dhe marrëveshjet e përbashkëta me Republikën Popullore të Donetsk dhe Republikën Popullore të Luhansk, të ratifikuar nga Parlamenti rus më 22 shkurt, vendosa të urdhëroj një operacion special ushtarak. Operacioni synon të mbrojë njerëzit që kanë qenë në qendër të gjenocidit nga regjimi i Kievit, për 8 vite. Për këtë arsye, ne do të nisim demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës dhe do të vendosim drejtësi ndaj atyre që kanë kryer krime lufte ndaj civilëve, përfshirë këtu edhe qytetarëve rusë”.

Vladimir Putin, Moskë, 24 shkurt 2022

Prej asaj kohe, vendete perëndimit kanë vendosur ndaj Rusisë, sanksione të paprecedenta ekonomike mbi korporatat dhe sistemin financiar rus, duke nxitur kështu një luftë të vërtetë, këtë herë ekonomike, mes vetë Kremlinit dhe disa shteteve europiane, që furnizohen direkt nga Rusia me gaz natyror.

Rusia vazhdon ta quajë luftën thjesht një operacion special, për të çmilitarizuar vendin fqinj e për të mbrojtur popullsinë rusisht-folëse nga fashizmi. Kievi dhe Perëndimi thonë se këto janë thjesht pretekste të Moskës, për të nisur një agresion të tillë, të paprovokuar. Nga mëngjesi i 24 shkurtit, mijëra vetë, personel ushtarak, nga të dy palët, janë raportuar të vrarë nga luftimet, edhe pse shifra të sakta, ende nuk dihen. Vetë autoritetet ukrainase raportojnë për mbi 3 mijë civilë të vrarë, nga radhët e saj, si viktima të luftës.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 12 milionë vetë janë detyruar të braktisin shtëpitë, 6,5 milionë janë zhvendosur në një strehim ende Brenda Ukrainës ndërsa 5,6 milionë të tjerë janë larguar nga vendi, drejt fqinjëve të tyre, që kanë hapur dyert për t’i pritur, kryesisht Polonia.

Më 24 shkurt, ditën kur nisi lufta, presidenti Putin u takua me kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan për bisedime, në Kremlin. Pamjet e takimit u transmetuan disa orë më vonë, pasi Rusia kish urdhëruar nisjen e operacionit ushtarak kundër Ukrainës, të njoftuar më herët nga vetë Putin, në një dalje televizive përmes Televizionit Shtetëror Rus atë mëngjes të enjteje.

Putin urdhëroi ushtrinë e tij më 27 shkurt që vendosë forcat parandaluese ruse, një njësi ushtarake që përfshin edhe armët nukleare, në gjendje alerti, duke cituar deklaratat agresive të bëra nga liderët e NATO-s dhe sanksionet e para ekonomike ndaj Moskës.

“Të dashur kolegë, siç mund ta shihni, vendet perëndimore, jo vetëm që ndërmorën masa aspak miqësore ndaj vendit tonë, masa të karakterit ekonomik dhe këtu flas për sanksione ilegale që secili prej nesh i njeh shumë mirë por vetë NATO po lejon deklarata agresive, përmes liderëve të aleancës, në lidhje me vendin tonë. Ndaj kjo është arsyeja përse unë po urdhëroj ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë të vendosë forcat parandaluese ruse në gjendje alerti”

Vladimir Putin, Moskë, 27 shkurt 2022

Më 3 mars, Putini tha se operacioni ushtarak rus në Ukrainë po shkonte sipas planit të tij dhe i cilësoi ushtarët rusë si heronj. Komentet e shfaqura nga televizioni rus, duket sikur ishin të dizajnuara, në një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Moska ndaj qeverive të perëndimit dhe agjencive të huaja të inteligjencës, që thoshin ndërkohë se ushtria ruse kish nisur të shfaqë problemet e para, kryesisht logjistike, se ushtria ruse kish bërë gabime taktike dhe po përballej me atë që as nuk e kishte imagjinuar, rezistencën ukrainase.

“Të dashur shokë. Dua t’iu them se operacioni special ushtarak po vazhdon në të njëjtën linjë siç e kishim parashikuar. Sipas planit. Të gjitha detyrat po ekzekutohen me sukses”

Vladimir Putin, Moskë, 3 mars 2022

Më 11 mars, Putini tha se është bërë pak progres nga bisedimet e me Ukrainën por nuk dha asnjë detaj. “Ka disa arritje pozitive, kështu thonë negociatorët tanë”, do të thoshte Putin gjatë takimit me homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko, duke theksuar po ashtu se negociatat do të vazhdojnë çdo ditë.

Putini nuk e shprehu, por televizioni shtetëror rus deklaroi se detajet e negociatave, shefi i Kremlinit i ndau privatisht me Lukashenkon. Putin tha më 16 mars, se Rusia ishte gati të diskutonte në takime, për statusin neutral të Ukrainës, me synim për t’i dhënë fund luftimeve në terren, me Moskën që fillimisht do të duhej të arrinte qëllimet e saj nga operacioni ushtarak, për të cilin përsëri pohoi se po shkon sipas planit. Putin justifikoi edhe aksionin ushtarak të ushtrisë ruse përtej kufijve të 2 rajoneve të vetë-shpallura të pavarurua, Luhansk e Donjetks, duke thënë se për ndryshe, konflikti i armatosur do të zgjaste përgjithmonë dhe se forcat e NATO-s do të ishin vendosur në këtë rajon, shumë shpejt dhe në mënyrë agresive.

“Nëse forcat tona do të vepronin vetëm në republikat popullore të Donetsk dhe Luhansk, do të ndihmonin vetëm në çlirimin e tokave të tyre por nuk do të kishte një zgjidhje përfundimtare. Kështu nuk do të kishte paqe dhe nuk do të eliminohej kërcënimi për vendin tonë, për Rusinë. Përkundrazi, një front i ri lufte do të niste qark Donbasit, përtej kufijve të tij dhe provokimet do të vazhdonin gjatë. Ndaj, konflikti i armatosur do të vazhdonte përgjithmonë, ushqyer nga histeria revanshiste e regjimit të Kievit. Dhe forcat e NATO-s do të vendoseshin në këto rajone, më shpejt dhe në mënyrë  më agresive”

Vladimir Putin, 16 mars 2022

Dy ditë më vonë, më 18mars, televizioni shtetëror rus do të shfaqte presidentin Vladimir Putin duke folur në një stadium të mbyllur në Moskë, për të përkujtuar 8-vjetorin e aneksimit të gadishullit të Krimesë, më 18 mars të 2014, në një event të mbushur me këngë e performanca patriotike.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Spektatorët valëvisnin flamuj rusë, të lyer në fytyrë me ngjyrat patriotike të nënës Rusi. Mbizotëronte kudo germa “Z”, që shoqëron ende ushtrinë ruse në fushatën e saj ushtarake në Ukrainë, por që në 18 mars, rrethonte edhe muret e stadiumit. Televizioni shtetëror rus transmetoi vetëm një pjesë shumë të shkurtër live të fjalimit të Vladimir Putinit, në atë që më vonë nga vetë Kremlini u përshkrua si një “gabim teknik”

“Prova më e mirë është mënyra sesi ushtarët tanë po luftojnë në këtë operacion special ushtarak. Krah më krah. Ata ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin. Nëse është e nevojshme, ata mbajnë në krah shokun në fushë-betejë, e mbulojnë shokun, njësoj si të jenë vëllezër. Nuk kemi parë kaq shumë bashkim prej një kohe shumë të gjatë”

Vladimir Putin, 18 mars 2022

Më 23 mars, Putini tha se Rusia do të nisë menjëherë ti shesë gaz vendeve “jo-miqësore” vetëm në monedhën rubël, pas ngrirjes së aseteve ruse nga kombet e huaja, duke thyer kështu besimin e Moskës zyrtare. “Vendosa të ndërmarra aksione sa më shpejt të jetë e mundur, për të ndryshuar mënyrën e pagesës për gazin tonë natyror, do ta nisim duke i shitur gazin tonë vendeve jo-miqësore, vetëm në rublën ruse”.

Më 12 prill, Vladimir Putini do të thoshte se bisedimet e paqes me Ukrainën po shkonin drejt një pike të vdekur, në komentin e tij të parë për konfliktin pas më shumë se një javë, duke u zotuar se trupat e tij do të fitojnë dhe se perëndimi do të dështojë në përpjekjen për t’i vendosur Rusisë, shkopinj nën rrota. Po ashtu, shefi i Kremlinit i mohoi akuzat e Ukrainës dhe perëndimit, se Rusia po kryen krime lufte.

Që pas tërheqjes së trupave ruse nga qytetet dhe fshatrat që rrethojnë kryeqytetin Kiev, trupat ukrainase i kanë treguar edhe gazetarëve trupat e civilëve të vrarë nga rusët, shtëpitë e shkatërruara e qytetet e shkrumbuara. Reuters filmoi trupat e të vrarëve në Bucha. Ukraina thotë se Rusia është fajtore për gjenocid dhe presidenti amerikan Joe Biden ka akuzuar drejtpërdrejtë homologun rus për krime lufte.

“Operacioni special ushtarak po shkon sipas planit. Sigurisht, unë po ndjek me shumë vëmendje diskutimet në shoqërinë tonë dhe përtej. Nuk duhet të fshehim asgjë nga publiku dhe duhet ta ndjekim operacionin ushtarak, me objektivitet.

Po ndodh e njëjta gjë, besoj e mbani mend, siç ndodhi me qindra e mijëra të vdekurit, edhe mes civilëve, në Afganistan. Pati vetëm qetësi. Por nuk pati po aq qetësi kur nisën provokimet në Siri. Kur pretendohej se presidenti sirian Bashar Al Assad po përdorte armë kimike. Më pas rezultoi se ishte e rremë. Po njësoj, të rreme, janë akuzat edhe për Bucha-n.

Tani, sa i përket bisedimeve. Ne kemi arritur pak dakordësi nga negociatat në Stamboll, atje ku Ukrainës iu siguruan disa garanci por këto garanci nuk sigurohen në territore të tilla si Krimea, Sevastopol dhe Donbas. Siç mund ta shihni, ne i qëndruam angazhimit tonë, për të krijuar të gjitha kushtet për të vazhduar bisedimet. Në vend të tyre, përballemi me provokimet me Buchan. Dhe ç’është më e rëndësishme, pala ukrainase nuk e respektoi marrëveshjen e Stambollit. Tani, sa i përket garancive për sigurinë, ka një gjë, si përkthehet kjo marrëveshje në Krime, Sevastopol dhe Donbas, duhet të vendosen disa piketa. Ndaj jemi përsëri në një pikë të vdekur në bisedime”

Vladimir Putin, 12 prill 2022

Më 18 prill, Putini tha se Perëndimi ka qëlluar në shenjë dhe ka fituar atë që kishte synim, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, duke e vendosur vetë ekonominë e shteteve të saj, në pikëpyetje. Por duke folur për ekonominë e brendshme ruse, Putini tha se inflacioni po stabilizohej dhe se kërkesa e brendshme po normalizohej.

“Tani mund të themi plot besim, se një politikë e tillë, ndaj Rusisë, ka dështuar. Strategjia e tyre për të ngrirë ekonominë ruse rezultoi e pasuksesshme. Sanksionet nuk i arritën qëllimet. Vetë nismëtarët u goditën, dua të them inflacioni, papunësia dhe dinamikat ekonomike u dëmtuan në vetë Europën dhe SHBA-të. Standardi i jetesës ra për vetë europianët dhe kursimet e tyre u dëmtuan”

Vladimir Putin, 18 prill 2022

Më 21 prill, presidenti Putini urdhëroi ushtrinë rusë të anulojnë planet për të sulmuar fabrikën e Azovstal, në qytetin port të Mariupolit dhe tha se donte vetëm ta mbante atë të bllokuar nga të gjitha anët. Për këtë, Putini urdhëroi ministrin e tij të mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili më herët kish deklaruar se 2 mijë luftëtarë ukrainas ende qëndronin Brenda fabrikës, në nëntokën e saj. Putini e argumentoi vendimin me faktin se kështu do të shpëtonte jetën e ushtarëve rusë, vetëm nga kjo ishte motivuar.

“Propozimin për të bombarduar zonën industriale e konsiderova të panevojshme. Ju urdhëroj ta anuloni. Ky është rasti ku ne duhet të mendojmë, dua të them që ne gjithnjë mendojmë, por në këtë rast po mendojmë për të shpëtuar jetën dhe shëndetin e ushtarëve dhe oficerëve tanë. Nuk është nevoja të hapim varre të reja, për ata që fshihen nën fabrikën industrial. Por ne do ta bllokojmë atë, në mënyrë që askush të mos hyjë e të mos dalë prej andej”

Vladimir Putin, 21 prill 2022

Putini mori pjesë në meshën e mbajtur me rastin e pashkëve më 23 prill, të mbajtur në Kishën Ortodokse Ruse, që fuqimisht kish shprehur edhe mbështetjen publike për shefin e Kremlinit dhe operacionin special ushtarak të nisur në Ukrainë. Televizioni shtetëror rus transmetoi pamje të Putinit brenda katedrales “Krishti shpëtimtari” në Moskë, me një qiri në dorë.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Më 26 prill, Putini tha se Rusia dhe Ukraina po vazhdonin negociatat online. Në një takim me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Moskë, Putini tha se shpresonte që bisedimet të prodhonin një rezultat pozitiv. Por presidenti rus paralajmëroi se marrëveshjet e sigurisë nuk do të firmoseshin prej tij deri kur “çështjet territoriale” të zgjidheshin, dhe këtu i referohej gadishullit të Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në 2014 dhe rajonit të Donbas, pavarësinë e të cilit, Moska e shpalli pak ditë përpara se të niste operacionin special ushtarak në Ukrainë. “Ne nuk mund të firmosim asnjë garanci me Ukrainën, pa zgjidhur më parë çështjet territoriale që lidhen me Krimenë, Sevastopolin dhe Republikën Popullore të Donbas. Megjithatë negociatat vazhdojnë online. Shpresoj në një rezultat pozitiv”

Putini paralajmëroi më27 prill se çdo vend që do të përpiqet të ndërhyjë në Ukrainë do të përballej me një përgjigje të menjëhershme nga Rusia dhe tha se të gjitha vendimet sesi Moska do të përgjigjej, tashmë ishte gati. Në fjalën e tij përpara ligjvënësve në Shën Pjetërburg, Putini tha se perëndimi do ta ndajë Rusinë në disa pjesë dhe e akuzoi se është perëndimi vetë që e shtyn Ukrainën drejt konfliktit me Rusinë.

“Nëse ndokush përpiqet të ndërhyjë nga kashtë dhe të krijojë kërcënime strategjike për Rusinë që për ne do të ishin të papranueshme, duhet të dinë se përgjigjen do ta marrin me shpejtësinë e erës. i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Dhe të mos kenë asnjë dyshim se ne do ta bëjmë. Dua që të gjithë ta dinë këtë. i kemi marrë të gjitha vendimet në lidhje me përgjigjen tonë”

Vladimir Putin, 27 prill 2022

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *