Eurodeputetja Von Cramon këshillon Vuçiqin të dalë nga kthetrat e Rusisë
Eurodeputetja Viola von Cramon ka takuar të hënën në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vetëm një ditë pasi ai pati një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Von Cramon, siç raporton gazeta “Danas”, tha se ia ka përcjell shumë porosi Vuçiqit e Serbisë dhe se kryesorja prej tyre është se duhet të zvogëlojë ndikimin rus.
Ajo tha se sanksionet ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë duhet të merren “brenda qeverisë serbe” në interes të Serbisë.
Serbia është prej pak vendeve evropiane që nuk i kanë vënë sanksione Rusisë.
“Nuk na takon neve nga BE-ja ta imponojmë këtë, por vendimi duhet të vijë nga brenda, nga qeveria serbe, me mirëkuptimin e tyre që nëse duan të jenë pjesë e BE-së, kjo shkon me vlerat dhe standardet që përfshijnë zbatimin e sanksioneve”, tha Viola von Cramon, deputete e Parlamentit Evropian dhe raportuese e BE-së për Kosovën.
Von Cramon pranoi para gazetarëve në Beograd se gati i gjithë muhabeti me Vuçiqin u përqendrua te marrëdhëniet me Rusinë.
“Tema e parë, natyrisht, janë marrëdhëniet serbo-ruse, nëse doni ta quani kështu. Ne folëm për varësinë e Serbisë nga gazi rus, ato lidhje të ngushta dhe çfarë do të thotë kjo për ekonominë. Unë e kuptoj varësinë nga gazi rus, por kjo duhet të reduktohet në të ardhmen”, shtoi ajo.
Po ashtu vuri në pujëpyetje atë që tha Vuçiqi të dielën se ka arritur marrëveshje me Putinin për furnizim me gaz. Sipas saj, kjo nuk është përmendur në komunikatën e Kremlinit zyrtar.
Po ashtu përsëriti edhe kërkesën e të Gjelbërve të Evropës për mbylljen e Qendrës Humanitare Ruse në Nish.
“Sigurisht që jemi të shqetësuar për qendrën humanitare në Nish, nuk është vetëm një kërkesë e të Gjelbërve. Ne duam të shohim reduktimin e ndikimit rus dhe tërheqjen e diplomatëve dhe institucioneve ruse nga Serbia. Nuk mund të jesh nën ndikimin e dikujt që po bën një luftë të përgjakshme në skaj të Evropës”, tha ajo.
Von Cramon tha se ka prekur edhe temat të tjera me Vuçiqin, që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, demokracinë dhe lirinë e mediave.
“I kujtova Vuçiqit se ne duam të shohim një ndryshim në sferën mediatike, për shembull, ndarjen e frekuencave kombëtare për mediat e pavarura”, tha ajo.
Rruga Press