Si mund të çahet bllokada ruse ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi
Nga James Stavridis “Bloomberg”
Kur drejtoja operacionet në një destrojer të pajisura me raketat “Aegis” në fundin e viteve 1980, na u dha një mision në Gjirin Arabik. Ndërsa ishin të përfshirë në të ashtuquajturën Lufta e Tankerëve kundër Irakut, iranianët po përpiqeshin që të bllokonin Ngushticën e Hormuzit që ka një rëndësi strategjike në atë rajon.
Pjesa tjetër e botës kishte dëshpërimisht nevojë të garantonte transportin e naftës prej andej, ndaj zgjodhi një zgjidhje shumë dramatike: shoqërimin e autokolonave me cisternat e naftës, të cilat mbanin flamurin amerikan, si kur ndodheshin brenda ashtu edhe kur dilnin nga ngushtica.
I quajtur me emrin e koduar “Earnest Will” (Vullneti i sinqertë), misioni ishte në përgjithësisht i suksesshëm. Ai vazhdoi nga vera e nxehtë e vitit 1987 deri në vjeshtën e vitit 1988. (Gjithsesi në atë kohë ndodhi një tragjedi e madhe, rrëzimi i një avioni iranian që shkaktoi 290 viktima).
“Earnest Will” garantoi furnizimin e rregullt të botës me naftën arabe dhe u hoqi iranianëve një mekanizëm të fortë shantazhi. Kryqëzori që drejtoja unë “Valley Forge”, zhvilloi një dislokim të suksesshëm, dhe misioni pati një ndikim të rëndësishëm në gjeopolitikën globale dhe furnizimet me energji.
Ndërsa bota përballet sot me mungesa ushqimore për shkak të bllokadës së paligjshme të Ukrainës nga Rusia, SHBA dhe aleatët e saj duhet të marrin në konsideratë një përgjigje të ngjashme. Ukraina furnizon një pjesë të konsiderueshme të tregut global të grurit (afërsisht 7 për qind të eksporteve globale), të vajit të lulediellit dhe produkteve të tjera bujqësore të rëndësishme.
Veprimet e Rusisë nuk janë vetëm të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Por ato mund të shkaktojnë uri në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, që janë tashmë vatra të nxehta të destabilitetit. Presidenti rus Vladimir Putin zotëron kontrollin e bregdetit verior të Detit të Zi, pasi flota e tij, me më shumë se dhjetëra anije luftarake të mëdha, është deri tani më e fuqishmja në atë rajon.
Me 25.000 marinarë dhe rreth 40 anije luftarake dhe 7 nëndetëse, flota ruse është ende e frikshme edhe pas humbjes së anijes së saj të madhe “Moskva”, pas një sulmi me raketa ukrainase në muajin prill. Ndërsa aleatët e NATO-s, Turqia, Rumania dhe Bullgaria kanë forca të afta në Detin e Zi, Ukraina nuk ka praktikisht asnjë flotë të marinës për ta sfiduar bllokadën ruse.
Forcat ruse janë pozicionuar përgjatë bregdetit të saj, ndaj janë në gjendje që ta asfiksojnë ekonominë ukrianase, duke penguar produktet e saj bujqësore që të arrijnë në tregjet e tyre të synuara. Moska po përdor një strategji që të kujton atë të përdorur nga ushtria e Unionit kundër Jugut agrar në Luftën Civile të SHBA-së.
I quajtur “Plani Anakonda”, sipas gjarprit gjigant që i mbyt viktimat e tij, Unioni e privoi Konfederatën nga pasja e valutës së fortë, duke ia bllokuar eksportin e pambukut. Disa vende evropiane e sfiduan disi bllokadën detare, por pa ndonjë sukses domethënës.
Putin po kopjon sot një pjesë të strategjisë së Lincoln, dhe kjo ka një efekt. Rusët kanë propozuar tani zhvillimin e negociatave për të lejuar eksportin e grurit ukrainas në këmbim të heqjes së sanksioneve perëndimore, gjë të cilën SHBA dhe aleatët e saj nuk do ta pranojnë.
Dhe kjo na sjell tek ideja e thyerjes së bllokadës nëpërmjet shoqërimit të anijeve tregtare. Sfida e parë është më e dukshme: Kush do të bëjë shoqërimin? Kjo mund të bëhet nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, nga NATO apo një koalicion vendesh të gatshme të ndërmarrin atë që do të jetë një mision provokues dhe i rrezikshëm.
Qasja më e mundshme do të ishte që ajo të drejtohet nga SHBA, ndoshta duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën, dhe ndoshta vendet e Detit të Zi, Turqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Një sfidë e dytë do të jetë pastrimi i minave, pasi si ukrainasit ashtu edhe rusët i kanë përdorur ato në përpjekje për të kontrollojnë zonat përgjatë bregdetit ukrainas. NATO ka një forcë të përhershme të çminimit, pikërisht për këtë qëllim. Kjo flotilje është sot nën komandën e njërit prej pasardhësve të mi si komandant suprem i aleatëve, gjeneralit Tod Wolters.
Së treti, vendet që kanë ndërmarrë çdo lloj bllokade, janë të detyruara të bashkëpunojnë me vendet kryesore të transportit detar dhe tregtarët ndërkombëtarë që zotërojnë grurin dhe produkte të tjera. Kjo mund të organizohet nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO), me seli në Londër. Pjesë e OKB-së, IMO luajti një rol të ngjashëm në organizimin e reagimeve ndërkombëtare ndaj piraterisë në brigjet e Afrikës Lindore, gjatë kohës që unë isha komandant i NATO-s.
Së fundmi, Perëndimi duhet ta vërë në dijeni Rusinë mbi planin, dhe të sigurohet që Moska ta kuptojë mirë se koalicioni që do të marrë përsipër operacionin nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje, por nga ana tjetër nuk dëshiron të hyjë në luftime me flotën ruse të Detit të Zi. Moska ka të ngjarë të zemërohet, por mundësia që ajo të sulmojë direkt anijet luftarake të NATO-s në ujërat ndërkombëtare mbetet e ulët. Në rast se përkundër të gjitha gjasave, rusët do të bënin ndonjë veprim të çmendur, ata do të përballeshin me një përdorim proporcional të forcës.
Ne gjendemi aktualisht në një moment kyç të këtij konflikti:eksportet e grurit janë ndërprerë, ekonomia ukrainase është e rrënuar, dhe duhet shmangur kriza e ardhshme globale e ushqimit. Aleatët demokratikë duhet të eksplorojnë një qasje të ngjashme si ajo e operacionit “Earnest Will”. Ne nuk mund ta lejojmë Putinin të vazhdojë me bllokadën e tij detare. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/
Shënim: James Stavridis, admiral në pension i Marinës së SHBA-së, ish-komandant suprem i trupave aleate të NATO-s në Evropë.
Rruga Press