Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanun;
GJERGJ FISHTA – 28 NANDUER 1913
1 Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thânun;
Pse sod ditë kanget s’âsht per mue e tye.
Po ç’gzim kjo ditë nè mundet me na dhânun,
Kúr, qe, mbas njì motmoti q’i u pelqye
Europës Shqyptarin zot n’shpi t’vet me e lânun
E kúj, posë Hyut, m’ketë jetë mos me i sherbye,
Shqyptari i dám prap me vedvedi gjindet
E shk’ âsht mâ zí, prej vedit edhè s’bindet ?…
2 E kù kjo punë kisht’ ndodhë posë se n’Shqypní,
Qi ‘i popull, s’parit dalun prej robnimit,
Per nji motmot të rrijë ai n’anarkí
E t’bâhet prralla e gazi i rruzullimit,
Ke i zoti s’âsht ai sod m’u vû m’hullí,
Edhè me u thânë anmiqve e t’tânë njerzimit:
“Un ktú sundoj ! M’ketë shkamb mue m’vûni Zoti,
E kndej nuk luej, pa u shuemun stina e moti” ?!
3 Ah ! t’mjerët na, t’mjerët ! E sod, me ‘i pecë të kuqe
E me ‘i orrl duem qi Shqyptarija e mjera
T’dalë vedit n’dritë, si vedit çilë n’bubuqe
Nji drandofille e njomë, kúr kthen prendvera…
Jo, jo, Shqyptarë! Por bânje flamrin duqe
E zhytnje n’Drî t’mos t’ a zhvillojë kurr era.
Flamrin kombtár nuk ka shka bân nder né,
Po kje se dashtuní nuk kem’ p’r Atdhè!
4 E, drue dashtní p’r Atdhè nuk ka Shqyptari;
Me gjasë, s’çán kryet Shqyptari per kómb t’vet,
As per njatë gjuhë të ambel qi i la i Pari,
As pse Shqypnija n’vedi u bâ sod shtet;
Pse e shoh se veç atje, kû xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:
Si Krishtin shiti juda Iskarjotë,
Drue Atdheu nder né po shitet p’r ‘i zallotë…
5 A thue mos fola keq ?… Po lypi t’falun;
Perse ktû vetë me fye nuk due kurrkendin.
E pse âsht mirë fjalen n’zemer t’frŷt m’e ndalun,
Por njai, qi të liruem me e pasë s’do vendin,
A prej se s’mundet vetë m’shkamb t’naltë me dalun,
A prej se tjervet s’don m’u a lshuemun rendin
A thue ai s’âsht Judë ? Po, kambë e krye Iskariota!,
E prà, ksi nipash ka ‘dhè shum Kastriota…
6 E po p’r ata, qi, zyre e nderë harrue,
Qi, marre e turp kaherë flakrue mbas shpinet,
M’visàr t’Atdheut me t’huejë shkojn tue tregtue
(Kush ndŷt mbas Frankut rrêjtë, kush mbas Sterlinet
Kush pse Dinari teper i âsht lakmue),
E Atdhén prej s’huejësh me e qitun duen bashtinet,
Thue edhè per ta ndokuj do t’i hijë çudia,
Kúr thom, se nuk janë tjeter, veç se Juda?…
7 Po, Juda janë, e gjinde janë tradhtare,
Porsi njata, qi n’mend prej s’huejësh mahitun,
Varzat e djelmt, – e para uzdajë shqyptare –
Me ndiesí t’hueja n’shkollë i çojn me i rritun,
Tue lànë mbas doret t’amblen gjuhe amtare,
Pa t’cillen kombi s’mundet n’dritë me u qitun;
E me çakrrija t’mbetna shkret mbas tregut,
E lânë me u rrêjtë nipnín e Skanderbegut.
8 O Skanderbeg Kastrijota! O rrfé mizore!
Serbjani i mnishem, po, ke votra pshtetun,
Nipavet t’vet u flet m’lahutë zâtore,
Sá forcë e anmikut pît nen shpatë t’ka mbetun:
Por nipat t’ú n’Shqypni sod nder msojtore,
(Kû gjuha shqype hin si fmij i gjetun…)
As êmni, ndoshta, nuk e dijn si t’quhet;
Pse tjerë fatosa atŷ me zânë u duhet.
9 Veç po; njat’êmen t’and t’bekuem, t’madhnueshem,
Si t’huejë, si nipa t’ú, dijm me t’a quejtun,
Kúr ndonji lâsh dobijet fort t’ngatrrueshem
Me tê duem me zhgatrrue, e kúr me vuejtun
Duem ndonji kundershtim, qi n’vend t’naltueshem
S’na lên m’u kapë mbas dshirit t’onë të pruejtun:
Nen êmen t’and, po, t’gjith atë herë na strukmi,
Kúr atdhetarë n’sŷ t’kombit duem qi t’dukmi.
10 Ah! Jo; kangë gzimit sod, moj Zanë, nuk due!
Sod un due qi kah fjalët e mija t’dalin,
Si rrkajë Vulkanit t’shkojn tue gurgullue:
T’ shkojn tue therun, si thika qi thér djalin
E vetem ambel m’prehen t’nanës pushue:
T’bumbullojn, po, si rrfeja, qi trandë malin;
Pse teper keq Shqypnija e ngratë ka ngelun,
Teper pa nderë pse nâmi i saj âsht shkelun.
11 Oh váj! Oh kob! Oh marre e turp per né!
Sot sheklli mbarë prír synin prej Shqyptarvet,
Me pá si perkujdesmi per Atdhé;
E si u dishmojm me punë na kundershtarvet
Se jemi t’zott me u lidhë me besë e fé
Edhè vetë me sundue vendin e t’Parvet:
E na, harû e si polipa deti,
Veç hapim syt me shkye ndo ‘i send per veti!…
12 Shqyptarë! Shqyptarë! Ndigjoni, pashi Zotin!
Pa jú kurr s’mundet n’dritë me dalë Shqypnija:
A thue, prá, n’terr po e lini m’e shkue motin.
Tash qi u dergoi t’bardhë fatin Perendija
Flamur me ngrehun n’vedi ? e Gjergj Kastrjotin
E t’Parët, a thue, kshtû do t’korisë nipnija,
Ke shoq me shoq enè s’kem’rá na n’fije?
Ke vêmë fitimin para çdo Shqypnije?
13 Ah! Jo, Shqyptarë, jo; mos e lshoni doret
Shqypnin e mjerë, – ketë Atme t’uej t’bekueme
E cilla sod, pervûjtë si vashë kunoret,
S’parit po hîn nder fise t’qytetnueme.
A thue pse teper t’ngushta i ka terthoret
M’e lânë me dnesë prap nen kambë t’huej t’poshtnueme?
Mâ e vogel se Rusija pat kenë Sparta,
Por nami i saj âsht shkrue me shkrola t’arta.
14 Ah! Ktû, Shqyptarë, po, ktû; e m’vorr t’Kastrijotit
Per rreth Flamurit t’onë t’gjith t’bâhmi ‘i vllà,
Edhè t’apim shoshojt besen e Zotit
Se per Atdhé na kem’ m’u orvatë pa dá,
Tue shkrî per te të gjitha ditt e motit:
Se para t’ gjith në vorr na kem’ me u kjá,
Se e lâmë Shqypnín me e shkelë prap themra e huej.
Posë Zotit n’qiellë, s’do t’i sherbejm mâ kuej.
Rruga Press