Historia dhe legjendat për mbretëreshën ilire, Teuta
“Çdo tregim në Ballkan, fillon me Ilirët” – Aleksandër Stipçeviq
Mbreti ilir, Agroni, në vitin 250 para Krishtit, kishte bashkuar fiset dhe kishte formuar një shtet, mbretëri të fortë ilire, që shtrihej prej ujdhesës Hvar (të Dalmacisë) deri në Akarnani në Epir.
Pas një beteje dhe fitoreje të lavdishme që korri, kur u kishte shkuar në ndihmë Akarnanasve (maqedonë) kundër Etoliasve (grekë), sapo ishte kthyer nga ekspedita, kishte vdekur, dhe për vdekjen e tij ka dyshime se e ka helmuar Demetrije Hvarasi, komandanti i ushtrisë ilire. Vdekja e tij ishte goditje e madhe për shtetin ilir.
Pas vdekjes së mbretit ilir Agronit, mbretërimin e mori bashkëshortja e tij Teuta, si mëkamëse e djalit të mitur të Agronit (Pinesit). Ajo mbretëroi tri vjet shtetin Ilir (vitet 231-228 p.e.r.). Është paksa e çuditshme, se si Teuta u bë mëkamëse e djalit të mitur të Agronit, që nuk ishte djali edhe i saj, por i gruas tjetër të Agronit (Triteutës). Ky fakt i atribuohet zotësisë së saj, prandaj Këshilli i Pleqëve (Këshilli i Miqëve të Mbretit) ia kishte besuar asaj mëkamësinë, gjegjësisht mbretërimin, si gruaja e parë e mbretit Agron.
Mbretëresha Teuta ishte një grua ambicioze, që synonte të vazhdojë me bashkimin e të gjitha fiseve ilire edhe të Dardanisë, në një shtet të vetëm, më të fortin në Siujdhesën Ilire (Ballkani i sotëm). Në këtë synim, pas luftërave dhe fitores në Epir, e Korfuz, Teuta e zgjëroi kontrollin e saj prej Neronës (qytet i vjetër, në Luginën e Neretvës, në Bosnje) në veri, e deri në Gjirin e Ambrakisë në jug, dhe kështu shteti ilir u bë shteti më i madh në Mesdhe. Vazhdoi ekspansionin kundër kolonive greke prej ujdhesës Issa (Vis) në veri, përgjatë bregdetit deri në Durrah (Durrës) dhe Apoloni, në jug.
Mbretëria e Romës, që synonte të pushtojë bregun lindor të Adriatikut, mori si pretekst për pushtimin e Ilirisë shkakun se kusarët e Ilirisë po plaçkitnin anijet tregtare romake dhe greke në Detin Adriatik dhe Jon. Roma e kishte dërguar një delegacion te Mbretëresha Teuta me kërkesë për t’i ndalë kusarët në det dhe për të ndërprerë rrethimin e kolonisë greke në Issa (Vis). Me qenë se nuk ishte arritur marrëveshje për këto kërkesa, një anëtar i delegacionit romak kishte deklaruar: “ Roma ka zakon t’i ndëshkojë ata të cilët bëjnë padrejtësi, dhe t’iu ndaihmojë atyre të cilëve iu bëhet e padrejtë” (duke aluduar në koloninë greke të Issa-s). Thuhet se mbretëresha e ofenduar me këtë arrogancë dhe kërcënim, kishte dhënë udhër që ai anëtar i delegacionit romak të vritet në të këthyer për Romë dhe ky urdhër ishte kryer.
Derisa forcat e Ilirisë ishin të angazhuara dhe mbanin të rrethuar koloninë greke (ujdhesën Vis), Roma kishte dërguar forca të mëdha (200 anije, me 20 mijë ushtarë-legjionarë dhe 2000 kalorës), për të sulmuar në disa pika mbretërinë e Ilirisë. Komandanti i ushtrisë ilire, Demitrije Hvarasi-Fari, që ishte me prejardhje nga kolonia greke e Hvarit, me arsyetimin se nuk mund t’i bënte ballë forcës romake, e kishte dorëzuar pa luftë Këryren (Korfuzin) dhe tërë flotën detare që kishte në atë pjesë. Kjo ishte tradhti e komandantit të ushtrisë. Flota ilire u shkatërrua. Teuta ishte tërhequr në kështjellën e saj në Rizon (Risan) dhe kishte vazhduar luftimet kundër romakëve. Me qenë se flota detare i ishte shkatërruar dhe disa prijsa të fiseve ishin kundër politikës së saj të vazhdimit të luftës, në vitin 228 p.e.r. mbretëresha Teuta abdikon dhe zhduket, ashtu që pas kësaj nuk ka burime historike për fatin e Mbretëreshës Teuta. Por Teuta si mbretëreshë e Ilirisë mbeti në histori dhe në legjenda deri në ditët e sotme.
Udhëheqjen e luftërave kundër romakëve dhe mbretërimin e merr i vëllai i Agronit, Skerdiliadi, por atëherë shteti ilir ishte nën protektoratin e Romës. Skerdiliadin e trashëgoi Pleurati, për të cilin thuhet se i shërbeu me besnikëri Romës. Pas tij vjen Genti (viti 180 para Krishtit). Genti deshi të bënte aleancë me Maqedoninë, që asokohe ishte shtet i fortë, por këtë Roma nuk e duroi, dërgoi një forcë të madhe e pushtoi tërë Ilirinë në vitin 168, e mori Gentin me tërë familjen, e internoi në robëri, në Itali. Ky ishte fundi i mbretërisë ilire, e cila pastaj u nda në tri pjesë, me sundimtarë të ndryshëm, kryeparë fisesh, në shërbim të Romës.
Aty ku sosin burimet (historike), fillojnë legjendat
Në mungesë të provave dhe burimeve historike, për mbretëreshën Teuta janë thurur legjenda të ndryshme, dhe ato jo në një vend, por në të gjitha vendet e mbretërisë së saj.
Sipas legjendës, Teuta ishte vajza e një mjekeje popullore, Persena, nga Narona, e cila shëronte sëmundje të ndryshme me barëra natyrale. Për shërimin e një sëmurje, mbreti Agron kishte shkuar te ajo mjeke dhe kur e kishte parë Teutën ishte mahnitur nga bukuria e saj dhe ishte dashuaruar në te e pastaj ishin martuar. Nëna e Teutës kishte tri vajza: Teutën, Diteutën dhe Triteutën. Sipas një verzioni tjetër të legjendës, pas 18-19 vjetëve martese, pasi nuk kishte pasur trashëgimtar, mbreti Agron ishte martuar me motrën e vogël të Teutës (“Triteutën”), me të cilën jetonte në Shkodër, që ishte selia e mbretërisë së Ilirisë. Me Triteutën e kishin një djalë, Pinesi, i cili ka vdekur në moshën 15 vjeçe.
Për bukurinë e Teutës, legjenda thotë se “zotërat (atëherë besohej në shumë zotra), për herë të parë ishin aq dorëlirë në dhënien e bukurisë, sa që më pastaj u bënë xhelozë dhe e thyen “kallëpin”, që të mos lindë më as të mos përsëritet aso bukurie. Në këtë bukuri të papersëritshme qëndronte madhështia dhe fatkeqësia e saj. Kështu është gjithnjë. Edhe me Teutën u përsërit e vërteta e vjetër. Zotërat i dhanë asaj gjithçka dhe të gjitha ia morën, të bindur se do ta shkatërronin armën e saj më të fortë – bukurinë. Por u mashtruan. Ajo shkëlqen qe 23 shekuj mbi tokën që dikur ishte mbretëri e saj. Pas së gjithash, dhe përkundër së gjithash, ka mbetur legjenda për atë bukuri që i ka mbijetuar zotërat dhe kohën. Dhe përsëri u realizua në këtë libër”, thotë shkrimtari malazez Mirash Martinvoiq, në romanin e tij historik – TEUTA.
Profesori i letërsisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Splitit (në Kroaci), Marko Dragiq, ka mbledhur e botuar dhe interpretuar në një libër të tij 40 gojëdhana e legjenda që flasin për mbretëreshën Teuta. Ato i ka mbledhur në periudhën e viteve 2001 – 2017, në disa qytete e fshatra të Kroacisë, të Bosnjes dhe të Malit të Zi.
Sipas një legjende të banorëve të Bokës së Kotorit (Mali Zi), perenditë ilire e kanë mallkuar mbretin Agron, që të mos martohet me Teutën, se është tepër e bukur, dhe është gjaknxehtë që vetëm do t’i sjell kob e fatkeqësi Mbretërisë ilire. Megjithatë, Agroni u martua me Teutën, e ndërtoi një qytet, i quajtur Agronium, me arena, kështjella e lulishte. Derisa ishte në luftëra, i erdhi lajmi se Teuta po bënte një jetë të shfrenuar, prandaj mbreti u kthye për të vërtetuar lajmin. Teuta e priti me ibrik me verë, në të cilin Demetrie Hvarasi kishte hedhur helm. Mbreti kishte vdekur pak kohë pasi e kishte pirë helmin. Për shkak të vdekjes së mbretit, për dënim prej perendive ishte bërë termet shkatërrues, sa që shtatë lumej mbitokësore që rridhinin në ato anë, ishin fundos e shndërruar në shtatë liqej nëntokësor. Asnjë lum nuk ka dalur më mbi tokë, dhe do të dalin vetëm kur një grua me bukuri të tillë hyjnore, si Teuta, do të mbretërojë në Carine. Qyteti mitik Agronium është shembur nën tok dhe e kanë mbuluar valët e detit”,- thotë legjenda.
Në ujëdhesën Sholta, afër Shibenikut (Kroaci), gojëdhëna thotë se Teuta ka pasur pallatet e selisë së saj në Luginën e lumit Senj. Banorët e asaj ujëdhese akoma e quajnë ishulli i Mbretëreshës Teuta, dhe peshkatarët tradicionalisht organizojnë një manifestim të quajtur “Legenfeshta”, në kujtim për Mbretëreshën e tyre, e cila iu ka dërguar anijet dhe i ndihmuar të shpëtojnë kur peshkatarët i ka përfshi stuhia në det të hapur.
Një banor i moshuar (Tonko Millatiq) nga ishulli Hvar (Kroaci), thotë se Mberetëresha Teuta ka jetuar në vendin e quajtur Doll, ku e ka humbur një enë për ujë, që ishte prej ari, dhe banorët akoma e kërkojnë atë enë, të quajtur “siç”. Ata thonë gjithashtu se Teuta ka pasur një klloçkë me zogjë, motiv të punuar prej ari, të cilin e ka fshehur në tokë. Thonë se aty Teuta e ka pasur fabrikën e farkimit të monedhës ilire ,të quajtur “cikin”, prandaj vendasit atij vendi i kanë dhënë emrin Cikindol. Një shesh i Cikindolit mbanë emrin “Shetitorja e Teutës”. Thonë se themelet e pallatit të Mbretëreshës Teuta në Cikindol vërehen edhe sot.
Nga ishulli Sveti Andreja (Shën Andreu), afër Visit, që tashmë nuk është i banuar, një banore e moshuar (Raketina Meshkatello, 1938), thotë se “aty ka sunduar mbretëresha ilire Teuta, e cila ka zhvilluar luftëra të ashpra kundër romakëve. Romakët ishin shumë të zemëruar nga piratët ilirë, Teuta nuk dëgjonte t’i ndalë kusarët, plasi lufta të cilën e humbi Teuta. Ishte e njohur për bukurinë, guximin dhe mençurinë. Edhe sot mendohet se fshihet thesar i madh nën kullën që kishte në ishullin “Svetac” (Shenjtor), por deri sot nuk e ka gjetur askush”.
Një tjetër gojëdhënë (tregon Boshko Radun), thotë se kur Teuta e ka humbur luftën kundër romakëve në Issa (Vis), ka kërcyer prej kullës që e kishte në Krajicino, dhe kështu i ka dhënë fund jetës. Atje disa toponime lidhen me emrin e Teutës.
Legjenda tjetër (e treguar nga Marija Shtërkall nga Mërkonjiqgradi), thotë se Teuta ka pasur rezidencë në Jezero, afër Jajcës në Bosnje. Aty kishte urdhëruar hapjen e një kanali të madh, për të ndarë ujin e lumit Pliva, dhe për të krijuar ishull midis lumit e kanalit. Për të kaluar kanalin e për të hyrë në pallatet e rezidencës, ishte ngritur urë e metalt, që hapej dhe mbyllej me xinxhirë me çekërk.
Një mjeshtër i poçërive prej dheut (Pero Çeriq) ka trashëguar gojëdhënën, se Mbretëresha Teuta ka pasur shtëpi të verës (vikendicë) në kodrinën Borko, në Shiroki Brijeg (Bosnje), ku i ka kaluar edhe ditët e fundit të jetës dhe aty është vorrosur. Dhe Teuta e ka mallkuar çdo ushtri që do të shkonte në atë vend e ta shqetësonte, kështuqë asnjë ushtri, madje as ajo turke, nuk e ka shkelur atë vend. Për historinë e Teutës, ky rrëfyes i gojëdhënës flet sikur e thotë historia. Ky mjeshtër thotë se gojëdhënën e ka dëgjuar prej gjyshit të tij, ndërsa ky vet ka bërë shumë vepra poçërie të cilat i ka quajtur “Mbretëresha Teuta në Borkë”.
Një gojëdhënë tjetër, që është larg realitetit dhe kohës, thotë se në Strazhnjë, afër Tomisllavgradit (në Bosnje), edhe sot gjendën mbeturinat e kullës, në të cilën kanë jetuar mbreti Agron dhe Mbretëresha Teuta, para ardhjes së turqëve. Kur mbreti ka vdekur, mbretëresha ka mbetur e vetme. Kur kanë ardhur Turqit afër Strazhnjës dhe kanë dashur ta marrin mbretëreshën, një plakë i ka thënë mbretëreshës, të ikë në atë mënyrë që kuajve t’iu mbathën patkojtë prapësht. Mbretëresha arriti të ikë, ndërsa Turqit silleshin vërdallë e s’mund ta gjenin. (Kjo legjendë është 1700 vjet larg realitetit, duke pasur parasysh kohën kur ka jetuar Mbretëresha Teuta dhe kohën kur kanë ardhur dhe kanë sunduar Turqit në Bosnje (1463-1878).
Është e kuptueshme se legjendat për Mbretëreshën Teuta qarkullojnë më së shumti në popullsinë e Malit të Zi, duke pasur parasysh se selia e saj ishte në Risan, të Bokës së Kotorit. Aty edhe jane bërë dhe akoma vazhdojnë të bëhen gërmime arkeologjike në lokalitetet e quajtura Carina dhe Gradina dhe janë gjetur shumë artefakte të rëndësishme, veç tjerash edhe monedha të mbretit ilir Balajosh.
Në legjenda hyjnë vetëm prsonalitete të zgjedhura, që janë të veçanta përkah pozita, karizma, fati a fatkeqësia, bukuria, trimëria e veçori të tjera, ashtu që edhe pas vdekjes fizike të jetojnë në kujtesën e popullit. E tillë ishte Mbretëresha ilire Teuta. Gojëdhëna e legjenda që tregohën në Risan e gjithandej në Mal të Zi për Teutën, thonë se “ishte e bukur si zana, e mençur si gjarpëri, e guximshme si luani; kishte zemër burri në krahëror gruaje”.
Thesari i Mbretëreshës Teuta
Jo vetëm për personalitetin, por edhe për thesarin e Mbretëreshës ilire Teuta, janë thurur e tregohën gojëdhëna e legjenda të ndryshme, në vende të ndryshme. Në vendin ku Teuta e kishte selinë e saj të fundit, në Risan të Bokës së Kotorit (Mali Zi), thonë se Ilirët kanë qenë popull i pasur, që kanë krijuar pasuri të madhe nga luftërat e fituara, nga tregtia e zhvilluar dhe nga pirateria e anijeve tregtare të cilat i kanë rrëmbyer ose plaçkitur në Detin Adriatik dhe në Detin Jon. Për mbretëreshën Tuta pas humbjes së pushtetit, kanë dy verzione tregimesh. Sipas verzionit të parë, ajo është zënë rob në ishullin Zakintos, në Detin Jon, ndërsa sipas verzionit tjetër, më i përhapur, ka ikur në kodrat dhe malet pas shpinës së Rizonit, bashkë me të emën e vet, Birsena, të shndërruara në fshatarae që mbledhin barëra dhe përgatitsin ilaçe popullore, ashtu që askush nuk i njeh. Ushtria romake gjithnjë e ka kërkuar, por kurrë s’ka mund ta gejë. Legjenda thotë se lulja magjike dhe e pazhdukshme “Iliris”, ngjyrëkaltër, ka marrë ngjjyrën e syve të Teutës dhe është ilaç për shumë sëmurje.
Sa i përket thesarit, legjendat thonë se thesari është i mëshehur nën tokë, në liqejtë e Sopotit, ku askush nuk mund të ketë qasje, dhe se atë e ruajnë gjarpinjë të mëdhenj e tejet të helmueshëm. Kur bie shumë shi mbi Sopot dhe uji i liqejve derdhet në det, në shtratin e terur të rrjedhës së ujit, gjendën monedha ilire?
Përkundër gojëdhënave e legjendave të shumta për thesarin e Mbretëreshës Teuta, gjoja të mëshehur nën tokë, dhe në vende të ndryshme, historiani i vjetër romak, Tit Livi, ka lënë me shkrim, se kur kryekomandanti romak Lucie Ancie e ka zënë rob mbretin e fundit ilir, Gentin (në vitin 168 p.e.r), ka marrë edhe thesar të madh, madje edhe të gjitha mobiljet luksoze të pallatit mbretëror. Sipas historianit Livi, nga thesari i Ilirisë ka marrë 27 ngarkesa (qerre) ari, 19 ngarkesa argjend, 13000 denarë dhe 120.000 monedha ilire prej argjendi. Para karavanit të qerreve të ngarkuara me thesarin dhe plaçkat tjera, i ka vu mbretin Genci me gruan, fëmijët, vëllaun (Karavanti) dhe disa fisnikë tjerë ilirë, të mbyllur në kafaze metali, ka defilua nëpër rrugët e Romës, për të treguar madhështinë e fitores së vet para romakëve që i duartrokisnin.
Ndërsa mbretëresha ilire Teuta ka hyrë në histori, në gojëdhana e legjenda dhe ka mbetur në kujtesën popullore të popujve të ndryshëm që ma se 2300 vjet dhe vazhdon tutje. Askund nuk është i shënuar vorri i saj, prandaj atij/asaj që nuk i gjendet shenjë varri, konsiderohet se është i/e gjallë.
Të paktën – në tregime e legjenda!
Rruga Press