Besohet se ekspedita shqiptaro-polake ka zbuluar vendbanimin e lashtë ilir pranë Shkodrës
Projekti kërkimor arkeologjik i misionit shqiptaro-polak, i nisur në Shkodër që prej vitit 2011, ka rinisur gërmimet në Bushat pas një ndërprerjeje dyvjeçare për shkak të pandemisë COVID-19.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka njoftuar të mërkurën se këtë vit ekspedita është përqendruar “në nivelin e mesëm të qytetit për të kuptuar dhe më mirë shtrirjen e tij, zhvillimin urban dhe një datim më të saktë të fazave të vendbanimit, ndërsa sfida për gërmimet do të vazhdojë deri në gjetjen e emrit të këtij qyteti antik”.
Prej vitit 2018, ky mision tashmë ka kryer kërkime arkeologjike në zonën e Bushatit, ku vit pas viti ka dalë në dritë një qytet antik i panjohur.
Projekti drejtohet nga prof. Piotr Dyczek – arkeolog, drejtues i Qendrës për Kërkime në Antikitet për Evropën Juglindore në Universitetin e Varshavës ass. prof. Saimir Shpuza nga Instituti i Arkeologjisë i Tiranës dhe Helidon Sokoli, arkeolog nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.
Ky vendbanim antik, që besohet se i përket shekullit VI para erës sonë, u zbulua në Bushat të Bashkisë së Vaut të Dejës në Qarkun e Shkodrës, në vitin 2018. Vendbanimi shtrihet rreth 10 kilometra larg Kalasë së Shkodrës dhe 20 kilometra nga Kalaja e Lisusit antik. Kjo është një prej të dhënave më të rëndësishme në identifikimin e qytetit dhe dokumentimin e vendbanimeve ilire.
Rruga Press