Ringjallja e skemave që shtrembërojnë realitetin
Nga Sadri Ramabaja
Në lëmin e mendimit politik dhe jo vetëm, skemat e kundërveprimit ndaj forcave progresive, të promovuar në vitet ’90-ta të shek. të kaluar, janë edhe sot e kësaj dite tepër problematike.
Opozita e sotme, një pjesë krejt në mënyrë të pavetëdijshme, funksionon brenda kornizave të atyre skemave.
Standardet e ulëta të imponuara ato vite, rrënuan piramidën e vlerave kombëtare.
Atëbotë duke aplikuar ato skema, që Arbër Xhaferi i përmbledhë në tri sosh, më qenësoret – e para: komunist – antikomunist; e dyta: i moderuar – radikal; e treta: relativizmi, atëbotë pamundësuan ndërtimin e mirëfilltë të aksiomës kombëtare, në themel të të cilës do të duhej të ishte lufta jonë për çlirim, ndërkaq sot rikthimi tek këto skema, sidomos tek skema e tretë, përmes së cilës pretendohet të relativizohet e keqja që LDK/PDK:AAK… i sollën Republikës për më se 20 vite rresht, po insistohet, sidomos nga mediat, të vazhdohet tutje me rrënimin e aksioma moderne jona – lufta politike për FUNKSIONALIZIMIN E REPUBLIKËS si pjesë e strategjisë sonë kombëtare për bashkim.
Takimet e km me pronarë e aksionarë, por edhe përfaqësues të kompanive prestigjioze të IT, të cilat kanë bërë revolucion në mënyrën e të jetuarit në shoqërinë moderne dhe madje edhe në luftë (përdorimi i dronëve etj. në Ukrainë), janë neglizhuar fare! Kjo flet qartë për aplikim skemash të viteve ’90-ta në lëmin e politikës, duke aplikuar një lloj opozitarizmi morbid. Natyrisht ky reagim an bllok i mediave vizive dhe opozitës së skematizuar kaq mbrapsht, flet shumë edhe për varfërinë konceptuale të saj dhe natyrën reale të oligarkëve që iu shërbejnë kësaj opozite.
Në të njëjtin shabllon skematik të ngritur në ato vite të mbrapshta të dekadës së fundit të shekullit 20-të, veprohet gjithandej, në të gjitha segmentet e shoqërisë e Shtetit: në shëndetësi, arsim, ekonomi…
Relativizmi si një lloj kodi i imponuar dikur nga lidershipi i LDK-së, i shërbeu mbrëmë edhe një opinionisti sharlatan, sa ngriti paralele mes kongresistëve e senatorëve amerikan që takoi km Kurti me palaçon Abelard Tahiri!
Ky relativizim absurd i mediave dhe opozitës, sidomos duke bërë përpjekje titanike ta nënvleftësoje deri në batërdi vizitën e km Kurti në SHBA, flet shumë për intencën që po shënjon fenomeni i ringjalljes së skemave që vazhdojnë ta shtrembërojnë realitetin edhe tashti, në dekadën e tretë të shekullit 21.
Rruga Press