KryesoreOpinion/Aktualitet

Pavarësia e Kosovës është kompromisi!

Nga Donik Sallova

Ka ikur koha e kryeministrave që bënin kompromise në dëm të interesit tonë. Të gjithë me radhë prej vitit 2007 e tutje kanë bërë kompromise duke e zvetnuar konceptin dhe idenë e shtetit të Kosovës.

Nga aspirata për shtet shqiptar në shtet multietnik, që na ktheu nga komb në komunitet me identitet jopolitik. Pastaj nga shtet multietnik në shtet që vazhdonte negocimin për sovranitet e funksionalitet shtetëror me Serbinë. Kjo e solli marrëveshjen për serbizimin e sistemit të drejtësisë dhe strukturave të sigurisë në veri, si dhe marrëveshjen antikushtetuese për Asociacionin etnik serb.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Në shtetin multietnik u bë kompromis që të themelohet entitet politik njëetnik, si aspiratë e drejtpërdrejtë e Serbisë për ta formalizuar mosqasjen e institucioneve qeverisëse të Kosovës në komunat e banuara me shumicë serbe. Nga fusnota (Kosovo*) që na e rikthente 1244 në përfaqësimin tonë të jashtëm e deri tek marrëveshja për heqje dorë (qoftë edhe përkohësisht) nga aspirata legjitime si shtet i pavarur për të aplikuar për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë, janë kompromise që nuk janë në dinjitetin e një përfaqësuesi të një shteti të pavarur.

Të gjithë këta kryeministra që i bënë këto kompromise e harruan se për shqiptarët e Kosovës, pavarësia ishte kompromisi më i madh kundrejt Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Çdo kompromis tjetër kundrejt Serbisë është i barabartë me më pak pavarësi për shtetin e Kosovës, e më pak sovranitet për këtë pjesë të kombit shqiptar. Kosova nuk mund të ketë më kryeministra që nuk janë të zot e këmbëngules për interesat tona për aq sa ato janë të drejta e legjitime!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *