E fundit – Gjykata Speciale dënon Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn me burgim
Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale. Ata u dënuan lidhur me akuzën për publikim të dokumenteve të Gjykatës Speciale. Në vitin 2020, në zyrat e OVL-UÇK-së ishin sjellë dokumentet nga persona të panjohur.
Në dënim do përllogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, që është nga shtatori i vitit 2020.
Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.
Në vendimin e dënimit përfishihet edhe 100 euro gjobë.
Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.
Aktgjykimi i plotë gjendet KËTU
Në aktakuzë thuhet se këto dokumente kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore. Gjatë gjykimit, ata e kanë cilësuar Gjykatën Speciale si “gjykatë njëetnike”, që për synim ka vetëm “dënimin e shqiptarëve”, ndërkohë që amniston kimet e kryera nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë.
Ky ishte aktgjykimi i parë i Gjykatës Speciale, ndërkohë që gjykimi ka nisur edhe ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, si dhe Salih Mustafës e Pjetër Shalës.
Rruga Press