“Nuk ka më dritë në fund të narkotunelit”, amerikanët mbyllin një ndër rrugët më të fortifikuara të trafikut të kokainës
Autoritetet amerikanë kanë zbuluar një tunel gjigant, të gjatë sa gjashtë fusha futbolli, që lidhte një magazinë në Tijuana me qytetin San Diego në Kaliforni. Kalimi i fshehtë ishte i pajisur me sistem hekurudhor, elektricitet, sistem ventilimi dhe mure të fortifikuara.
Tuneli i gjatë mbi 530 metra dhe 18,5 metra i lartë, u zbulua nga efektivët e Sigurisë Kombëtare. Në dekadën e fundit, në zonën industriale të qytetit, janë gjetur dhjetëra tunele të tillë. Autoritetet thanë se nuk e dinin për sa kohë kishte qenë në veprim tuneli, por gjatë operacionit u sekuestrua 799 kg kokainë, 75 kg metamfetaminë dhe 1,6 kg heroinë.
Gjashtë persona, të moshës 31 deri në 55 vjeç, të gjithë shtetas amerikanë, u arrestuan të akuzuar për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
“Nuk ka më dritë në fund të këtij narkotuneli”, tha prokurori amerikan që drejtoi çështjen, Randy Grossman. “Do t’i mbyllim të gjitha rrugët nëntokësore që do të gjejmë për të mos lejuar që droga të arrijë në rrugët tona dhe të shkatërrojë familjet dhe komunitetet tona”.
Tuneli është një ndër më të fortifikuarit që është zbuluar ndonjëherë dhe është prova e radhës që muret e ngritura në kufi kanë kufizimet e veta sa i përket rolit për të frenuar trafikun e lëndëve narkotike, apo të njerëzve. Sipas ligjit federal amerikan, autoritetet amerikane duhet të mbushin me beton pjesën e tyre të tunelit.
Ai është i 272-ti i zbuluar në kufirin meksikano-amerikan që prej vitit 1993 dhe i 15-ti prej vitit 2006. Ai u jep mundësi trafikantëve të kalojnë nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara sasi të mëdha drogash të forta, si kokaina dhe heroina, diçka e pamundur kur kalimi bëhet mbi tokë, me makina dhe ku ekziston gjithmonë rreziku i kontrollit të imtësishëm nga ana e policisë.
Autoritetet ligjzbatuese nuk pranuan të lidhnin tunelin e zbuluar me ndonjë kartel specifik meksikan, por Joaquin El Chapo Guzman, dikur kreu i Kartelit të Sinaloas, shquhej si “shpikësi” i kësaj rruge trafikimi. Edhe pse sot El Chapo ndodhet pas hekurave, ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm, duket se metoda e tij vijon të shfrytëzohet nga trafikantët për të kaluar drogën, por jo vetëm atë, në Shtetet e Bashkuara.
Rruga Press