Bislimi: Serbia pa plan a ide në Bruksel
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të Kosovës me Serbinë, ka akuzuar palën serbe për keqpërdorim të takimeve në Bruksel.
Të premten, palët patën takime me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Takimet përfunduan pa marrëveshje për targat, ndërsa siç u shpreh Lajçaku, ka pasur përafrim për çështje tjera, përfshirë energjinë. Bislimi pas përfundimit ka thënë se Serbia ka qenë ajo që ka ftuar takimin me letrën me shkrim se ka propozim konkret për targat, në harmoni me kriteret e parapara të marrëveshjes së shtatorit.
“Ky ka qenë garancioni që na është thënë që të vijmë këtu. Fatkeqësisht pamë sjellje të çuditshme të palës serbe. Thotë se ka ide po s’mund ta shpalosë se ka probleme politike. Udhëtimi ka qenë krejt i kotë sepse si duket kanë ardhur në Bruksel sa për të krijuar lajmet në media se dëshirojnë të bisedojnë, por pa kurrfarë ideje, propozimi a zgjidhje”, ka thënë ai.
Bislimi ka thënë tutje se për energjinë ka zgjidhje të lehtë e të mundshme, por që pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për konfirmim final.
Ka thënë se Serbia ka tentuar të fusë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në agjendë.
“Unë kam kërkuar takim trepalësh, por si duket në momentin kur pala serbe është konfrontuar me këtë kërkesë i ka ardhur një intervenim nga Serbia, të cilën kanë dashur ta keqpërdorin këtë duke futur një temë të re në agjendë dhe kanë thënë që mund të ndodhë takimi trepalësh nëse fillimisht bisedohet për Asociacionin e Komunave Serbe, të cilën natyrisht s’kemi mundur ta pranojmë pasi agjenda ka qenë e paracaktuar”, ka shtuar ai.
Petar Petkoviq, si kryenegociator i Serbisë, ka thënë se bisedimet janë vështirësuar pas kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës. Sipas tij, Kosova ka refuzuar të diskutojë për asociacionin.
Rruga Press