Shehu: PS-ja s’e votoi rezolutën për Srebrenicën nga frika se zemërohet Vuçiqi
Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Tritan Shehu, ka thënë se deputetët e Partisë Socialiste nuk votuan për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë përmes një rezolute, pasi sipas tij, kjo do ta zemëronte presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Kuvendi i Shqipërisë të enjten rrëzoi rezolutën për Srebrenicën, të iniciuar nga deputeti Shehu, pasi nuk gjeti përkrahjen e shumicës. Kjo nxiti diskutime në opinion shqiptar, por edhe më gjerë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka thënë se nisma e tillë ishte “lojë e ulët” nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Rezoluta ishte për të dhënë një mesazh të qartë politik e njerëzor në rajonin tonë. Duke kërkuar njohjen e gjenocidit, dënimin e tij dhe vazhdimin e ndëshkimeve për ata që janë përgjegjës për këtë gjenocid. Do të ishte një dokument që do t’i bënte nder Shqipërisë në këtë kohë me trazira, me tensione në rajon e me influencën ruse. Jemi i vetmi vend në rajon që s’ka një dokument të tillë. Deputetët e PS-së nuk votuan, sepse unë besoj në interferencat e Serbisë dhe Vuçiqit në Partinë Socialiste. Kjo administratë serbe është vazhdimësi e Millosheviqit. Është ndërvarje e Ramës ndaj presidentit serb. Kjo dëshmohet edhe me nismën serbe, Ballkani i Hapur. Edhe me shkëmbimin e territoreve. Ata nuk votuan nga frika se zemërohet Vuçiqit, hezitimi para Vuçiqit”, ka thënë Shehu në “60 Minuta” të KTV-së të premten.
Sipas Shehut, mosmiratimi i një rezolute të tillë ka dëmtuar rëndë imazhin e Shqipërisë në botë.
“Në Shqipëri, kjo është parë si skandal i madh. Mosmiratimi i saj ishte gabim fatal”, shtoi Shehu.
Deputeti i PD-së paralajmëroi se shumë shpejt do të procesojnë në Kuvend edhe një rezolutë, për ta dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
Rruga Press