Lajme

Vuçiqi mbledh Këshillin e Sigurisë pas kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë mblidhet të premten në Beograd – një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Takimi, i thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nisi nga ora 11:00.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tubon përfaqësuesit më të lartë të sektorit të mbrojtjes dhe të sigurisë në Serbi dhe kryesohet nga kreu i shtetit.

Në rend të ditës së seancës është aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Autoritetet e Kosovës konfirmuan të enjten se kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në këtë organizatë, e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim se Prishtina zyrtare po hap një kapitull të ri.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medias çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit, prioritet”, ka deklaruar Kurti.

Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Përveç që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, Kosova nuk është as anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera.

Ku është e ku s’është Kosova anëtare?

Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Deri tash ajo është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato më të rëndësishme financiare dhe sportive

Serbia, gjatë gjithë kohës, ka bërë fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve së pavarësisë së Kosovës dhe për bllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Aleate kryesore e Serbisë në këto përpjekje është Rusia.

Rusia është përjashtuarnga Këshilli i Evropës më 16 mars të këtij viti, për shkak të agresionit që ka filluar në Ukrainë, më 24 shkurt.

Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës e njohin pavarësinë e Kosovës.

Marrë parasysh se vendimet merren me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është reale.

Në reagimin e tij ndaj vendimit të Kosovës për aplikim, Vuçiq u tha gazetarëve në Beograd se Serbia “do të bëjë më të mirën, për të treguar se mund të luftojë”.

“Kjo ka efekt shtesë në marrëdhëniet në rajon. Kujt i nevojitet dhe kush e ka bindur Prishtinën që ta ndërmarrë këtë iniciativë? Përgjigjja jonë duhet të jetë e zgjuar dhe paqësore, për të ruajtur stabilitetin”, tha Vuçiq.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Ai shtoi se “këtë lojë e udhëheqin vendet kryesore perëndimore” dhe se Serbia është “një vend i vogël liridashës, që ruan sovranitetin e saj dhe të drejtën për të vendosur”.

“Ne do të përpiqemi t’i kundërshtojmë ata në mënyrë paqësore dhe diplomatike për këtë çështje”, tha Vuçiq.

Ministri i Brendshëm i Serbisë për neutralitet politik

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se nëse Kosova arrin të anëtarësohet në Këshill të Evropës, Serbia duhet të shpallë edhe neutralitet politik, njësoj siç e ka neutralitetin ushtarak.

Serbia, e cila synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ndjek politikën e mosangazhimit në asnjë aleancë ushtarake.

Megjithatë, autoritetet në Serbi bashkëpunojnë si me NATO-n, ashtu edhe me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive, e cila ka bazën në Rusi.

“Se çfarë mendojnë realisht vendet anëtare të BE-së për Serbinë, do të tregojë vota e tyre për kërkesën e Prishtinës për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Ne nuk duhet të presim edhe njëzet vjet për të ditur nëse BE-ja e do Serbinë në radhët e saj. Do të mjaftojë të votojnë ose të mos votojnë pranimin e territorit në organizatën e përbërë nga shtetet”, tha Vulini. REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *