Shtatorja e Hasan Prishtinës në Vlorë, përmbushje e ëndrrës për nipin e tij
Zbulimi i shtatores së heroit kombëtar, Hasan Prishtina, në qytetin e Vlorës po konsiderohet përmbushje ëndrre për nipin e tij, Mehmetin.
Për emisionin “Sot” në KTV, Mehmet Prishtina ka thënë se vendosja e shtatores së ish-kryeministrit shqiptar ka qenë kulmi i arritjes për të, si përfaqësues i familjes.
Shtatorja e Hasan Prishtinës u përurua në Vlorë më 7 maj. Nipi i tij ka thënë se shtatorja në këtë qytet ka rëndësi të veçantë. E ka quajtur ëndërr të kamotshme përjetësimin në bronz të figurës së Prishtinës në qytetin historik.
“Hasan Prishtina ka qenë i të gjithëve, më shumë se i familjes. Si fëmijë i shihte nxënësit, si familje e shihte popullin. Synimi ishte ta bashkonte popullin e ndarë padrejtësisht. E kam amanet të babës, që para se të vritej në luftën e fundit, dy javë para se të vritej më 1999 në Polac, më tha që ‘mua dhe eshtrat të mos më gjinden, merruni me figurën e Hasan Prishtinës që nga Shkupi e deri në Vlorë’. Ka qenë përmbushje, kulmi i arritjes së jetës sime. I them bacës tash fli i qetë sepse amaneti yt u përmbush”, ka deklaruar ai.
Studiuesi i biografisë dhe jetës së Hasan Prishtinës ka thënë se s’ka menduar se do të marrë kaq shumë kohë deri në inaugurimin e shtatores në qendrat kryesore kombëtare.
“Nga vetë fakti se sa më shumë të merresh me këtë figurë e kam kuptuar se s’mjafton një jetë e tërë për ta kuptuar. Është aq i thellë dhe kam gjetur punime në master e doktoraturë gjithandej. Ka në botën arabe, turke e greke. Kam kuptuar se meriton edhe nga një shqiptar një temë doktorature. Kam dërguar mesazh dhe jam me fat që s’jam i vetëm, por janë disa që edhe në universitetet turke që e kanë përzgjedhur si temë figurën e tij”, ka thënë Mehmet Prishtina që ka bërë të ditur se po trajton diplomacinë e fshehtë ruse të lansuar nga Austria dhe ndikimin e saj. Ka shtuar se Hasan Prishtina ka qenë ndër figurat e rralla që ka nuhatur atë politikë dhe ka refuzuar vizitat në Moskë.
Shtatorja në Vlorë Mehmet Berishës i është dukur më e mirë në bazament./KOHA.net/
Rruga Press