Opinion/Aktualitet

Policia gjuhësore në Kubek

Nga David Signer për gazetën zvicerane Neue Zürcher Zeitung

Përshtatur nga Rruga Press

Ligji 96, që për synim kishte të mbronte gjuhën frënge në kurriz të asaj angleze, në Kubek është duke futur vendin në sherr. Harmonia e admiruar në Kanada po tregon të çarat e saj. Kanadaja është shtet me shumicë anglisht-folëse me një pakicë frëngjisht-folëse që jeton kryesisht në Kubek. Brenda Kubekut, nga ana tjetër, jeton një pakicë anglisht-folëse. Banorët frankofonë të Kubekut synojnë që statusin e frëngjishtes ta forcojnë me anë të një ligji, për shkak se druajnë që gjuha e tyre mund të zhduket në sajë të mbisundimit të gjuhës angleze. Anglofonët në të kundërt ndjehen të diskriminuar çdo ditë e më shumë. Është një situatë e ndërlikuar. Kubekanët anglofonë e shohin veten si viktimë të frankofonëve, të cilët po veten e shohin viktimë të anglofonëve; jo të anglofonëve në Kubek, por të mbisundimit të përgjithshëm të anglisht-folësve në mbarë Amerikën Veriore. Anglisht-folësit bëjnë një të dhjetën e banorëve të Kubekut. Shumica e tyre jetojnë në Motreal, ku përbëjnë një të pestën e popullsisë. Situata e tyre qysh tani është rënduar. Pronarët e dyqaneve para së gjithash vuajnë shpesh nga zyra Office québécois de la langue française (OLF) me kufizimet e rrepta dhe “policinë gjuhësore” të saj.  

«Swiss Vienna Pastry & Delicatessen» nuk shkon 

Ja për shembull Harry Shick. Ai në lagjen Pointe-Claire të Montrealit e mban lokalin “Swiss Vienna Pastry & Delicatessen”. Tash e disa vjet atij i shkojnë inspektorët e OLF-së në pastiçeri dhe e paralajmërojnë që t’u përmbahet rregullave. Dhe ato parashohin se një dyqan pikë së pari e ka patjetër të mbishkruhet në frëngjisht. Shkronjat në shkrimin anglisht duhet të jenë edhe njëherë më të vogla. Pastaj klientët nuk duhet t’i përshëndesësh siç ka qenë zakon në Montreal me një “Bonjour-Hi”, por vetëm në frëngjisht. Vetëm nëse konstatohet se tjetri nuk di frëngjisht, atëherë ke të drejtë t’ia kthesh në anglisht.  

Shicku e flet perfekt frëngjishten, po nuk është puna aty. “Te unë të gjithë janë të mirëseardhur”, na thotë ai. “Por megjithatë, një klient frëngjisht-folës nuk ka më shumë vlerë se të tjerët. Shumica e produkteve në dyqanin e Shickut janë në gjuhët e vendeve prej ku janë prodhuar. Përse duhet që salçiqet e Polonisë të shkruhen në frëngjisht?  

Po pikërisht kjo ia vret syrin policisë gjuhësore. Shicku në Montreal ka ardhur në vitin 1952 nga Brukseli si trevjeçar me babanë çek dhe me mamanë gjermane. Pastiçerinë ata e morën nga një zviceran dhe më vonë e trashëgoi Harry. Përveç frëngjishtes dhe anglishtes ai flet edhe gjermanisht, hungarisht, polonisht, hebraisht dhe jidisht. “Atë kohë në atë zonë jetonin shumë zviceranë dhe prandaj shumë artikuj i tregtonim sipas kërkesës së tyre”, thotë ai.  

“Ici on parle français” 

Sipas Ligjit 96 i cili do të hyjë në fuqi pas disa muajsh, të gjitha ndërmarrjet me mbi 25 bashkëpunëtorë duhet të menaxhohen në gjuhën frënge. “Kjo do të thotë, për shembull, që unë e kam patjetër të përdor vetëm kompjuterë me programe të gjuhës frënge dhe tastierët t’i blej doemos me alfabetin frëng”, thotë Shicku. Kurse mikrovala ime e re duhet të jetë gjithashtu në frëngjisht, pra pa “on/off”. Dhe kur ai të punësojë një anglofon, për këtë atij i duhet një leje adekuate. Për t’i ikur këtyre përcaktimeve ai punëson më pak se 25 veta.  

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

“Ndodh gjithnjë e më shpesh që njerëzit nëpër zyrat shtetërore refuzojnë të flasin anglisht”, pohon ai. Ata varin një tabelë në sportele me shkrimin “Ici on parle français.” (Këtu flitet frëngjisht. Shën. i përkth.). 

Shumica e banorëve të Montrealit janë bilingual dhe alternojnë pa problem midis frëngjishtes dhe anglishtes, shpesh edhe në mes të fjalisë. “Qytetarët e Montrealit nuk kanë problem”, thotë Shicku, “vetëm qeveria ka”. 

Për partinë konzervative-nacionaliste në pushtet Coalition Avenir Québec me kryeministër François Legault çështja e gjuhës është një mënyrë populliste për të fituar vota. Partia i portretizon anglofonët si një rrezik që i kërcënon frankofonët dhe çon vendin në humnerë. Sipas një logjike të pathënë, për të mos u shtypur vetë, duhen shtypur anglofonët. “Kështu ia nis kjo punë, do të thoshte im atë”, mendon Shicku. I ati i kishte mbijetuar  Ausshvicit. Mirëpo kësaj i thonë si të qëllosh mbi këmbën tënde. Shumë anglofonë po ikin nga Montreali dhe shumica e tyre vendosen në Toronto, qytet që po lulëzon e ndërkohë që Montreali po e merr tatëpjetën. Montreali po mbyllet e kështu po shndërrohet në një geto gjuhësore prej ku kozmopolitët dhe të arsimuarit ia mbathin.     

Militantja Madame Alepin 

Veçanërisht militante konsiderohet organizata frankofone Société Saint-Jean-Baptiste de Montréal. Kryetarja e saj, Marie-Anne Alepin, thotë: “Kubeku nuk është dygjuhësor. Kanadaja është dygjuhësore, Kubeku është frëng.” Gjuha frënge po tkurret me hapa të shpejtë, na thotë ajo. Por statistikat duken natyrisht krejtësisht ndryshe. Ndërmjet viteve 1901 dhe 2001 numri i kanadezëve me gjuhë amtare frënge është konstant 80 përqind. Nga 2001 deri 2016 ka pësuar një rënie të lehtë në 78 përqind. Numri i anglofonëve në vitin 1901 ishte 17.4 përqind, kurse në 2016 vetëm 8.1 përqind, pra është përgjysmuar. Kur e pyet për këtë, Alepini e kalon argumentin në shkallë kontinentale: “Në Amerikën e Veriu ne jemi si një ishull i vogël në oqean.” 

Sidoqoftë, a nuk do të duhej që pakica anglofone në Kubek të gëzojë një mbrojtje siç është rasti me frankofonët në Kanada? Përndryshe do të kemi vazhdimisht tensione. “Nuk ka fare tensione”, pohon Alepin. “Edhe anglofonët vetë i përkrahin masat më të rrepta për mbrojtjen e frëngjishtes. Problemi ndodh kur një gjuhë dominon një tjetër.” Natyrisht se me këtë fjali ajo nënkupton dominimin e anglishtes.  

Sigurisht se ish aktorja e zotëron mjaft mirë gjuhën angleze. Por ajo thotë se në Kubek refuzon të flasë anglisht. “Këtu kam të drejtë të flas frëngjisht”. Në një rast ajo ishte detyruar të shkonte me urgjencë tek një mjek i cili mezi fliste pak frëngjisht. Aty dashur pa dashur asaj iu desh të kapërcente hijen e vet. Po me të huajt, si ia bën? “Me ta flas ngadalë dhe me durim frëngjisht.” Nuk mund t’i kuptoj disa që policinë gjuhësore e konsiderojnë si pedante, madje qesharake? “Jo”, pohon ajo. “Bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Është njësoj sikur një inspektor sanitar në një restorant. Nëse ai zbulon kakërdhia miu në kuzhinë, atij i duhet të marrë masa adekuate!” 

Ligji 96 për të nuk është më ndryshe. Ajo kërkon ndarjen nga Kanadaja. Vetëm në këtë mënyrë Kubeku mund të jetë i lirë. Sipas një anketimi, 40 përqind të kubekanëve e favorizojnë pavarësinë e provincës së tyre.  

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Profesori i brengosur Boberg 

Çarls Boberg është profesor i linguistikës në Universitetin McGill në Montreal dhe autor i veprës standarde “The English Language in Canada”. 57 vjeçari vlerëson se qeveria e trajton çështjen e gjuhës në mënyrë alarmante dhe polarizuese. Viteve të shkuara është kthyer më në fund pakëz qetësi, por tani raportet midis dy grupeve gjuhësore po helmatisen përsëri. Sipas tij, rënia e numrit të frëngjisht-folësve nuk është si rezultat i pretenduar i dominimit anglofon, por si rezultat i rënies së natalitetit. Kubekanët, pavarësisht nëse janë frankofonë apo anglofonë, kanë vetëm 1.5 fëmijë për grua. 

“Firon e popullsisë po përpiqen ta kompensojnë përmes mërgimit”, pohon ai. “Megjithatë shumica e mërgimtarëve parapëlqejnë më shumë të flasin e mësojnë anglisht sesa frëngjisht.” Autoritetet duan të tërheqin mërgimtarë para se gjithash nga vendet frankofone. Por meqë shumë pak evropianë po vijnë, bëhet fjalë më shumë për njerëz nga shtetet e Afrikës perëndimore, po edhe nga Libani dhe Haiti. Por kjo bie ndesh, pohon Boberg, me kërkesat e tregut të punës si dhe me nacionalizmin kulturor të partisë në pushtet, e cila në vitin 2017 për shembull ndaloi në Kubek mbajtjen e mbulesës në shërbimin publik, përfshi edhe shkollat, gjë që shkaktoi valë debatesh në Kanada.  

Përveç tjerash, qeveria do që të përcaktojë qartë se kush është frankofon e kush anglofon, thotë Boberg. Vetëm ato që mund të dëshmojnë se vijnë nga një familje me prindër anglofonë, kanë të drejtë të ndjekin mësimin në shkollat anglofone. Kjo qartësi e sforcuar nuk merr parasysh kalimet fluide e as format e përziera të njerëzve në këtë qytet de facto dygjuhësor. Është për të qeshur, thotë Boberg, se vetë politikanët fëmijët e tyre i çojnë nëpër shkolla private anglofone apo në universitetet amerikane, sepse e dinë mirë që pa anglishten sot nuk mund të bësh karrierë. Ata kësisoj ia pamundësojnë popullsisë frankofone rastin për të mësuar mirë anglishten dhe i fusin në një burg gjuhësor e kulturor. Dygjuhësia sipas tij është një pasuri që duhet kultivuar dhe aspak një disavantazh.  

Francezja me librarinë në gjuhën angleze 

Aude Le Dubé para dy vitesh hapi një librari ku tregtonte vetëm libra në anglisht. Ka ndodhur shpesh kur “Nacionalistët” e inatosur vërsulen brenda dyqanit të saj duke valëvitur flamurin e Kubekut e duke e sharë. “Dukej sikur kam hapur një Sex-Shop në mes të Vatikanit”, thotë ajo. 

Turma e inatosur, nisur nga fanatizmi i tyre, kujtonte se ajo ishte një anglo-shovene. Mirëpo ajo me origjinë është nga Bretanja dhe ka botuar romane në frëngjisht. Frëngjishtja e saj e përsosur trazoi të menduarit ose-ose të turmës së inatosur. Librarinë e saj ajo e pagëzoi qëllimisht me një emër që nuk është as frëng as anglez, e quajti “De Stiil” dhe ndodhet në Duluth Avenue. Në ndërkohë gjakrat janë qetësuar disi fal edhe sharmit të saj. “Po të kisha qenë disa rrugë më tutje, në ndonjë lagje konzervative, s’do kisha pasur asnjë shans.”  

Ajo ka mirëkuptim për frikën e pakicave, por të ardhmen megjithatë nuk e shikon në purizëm, por në diversitet. Gjuhët janë si qeniet e gjalla, ato pësojnë ndryshime vazhdimisht. Parë afatgjatë, totalitarizmi gjuhësor e shkatërron atë që mundohet ta mbrojë. 

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *