Tifozët shqiptarë rrezikojnë finalen e Ligës së Konferencës
Problem nuk e kemi vetëm kur vjen puna për marrë online shërbimet për pensionin.
Shqiptarët duket se do të dëmtohen mjaft nga mungesa e familjaritetit me aplikimet përmes internetit edhe përsa i përket finales së Ligës së Konferencës.
Në 25 maj do të luhet finalja në “Arenën Air Albania” dhe sipas burimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, numri i tifozëve nga Shqipëria është mjaft i ulët në krahasim me numrin e përgjithshëm.
Deri përpara sesa të luheshin gjysmëfinalet, pra deri të enjten, informacioni ishte që kishin aplikuar vetëm 1 700 shtetas shqiptarë, në krahasim me rreth 13 000 aplikime gjithsej.
Të shtyrë nga tradita e shumë dekadave, ende me qindra e mijëra shqiptarë që jetojnë në vend, vazhdojnë të këmbëngulin për të gjetur bileta nëpër sportele apo me miqësi personale.
Në Federatë sqarojnë se finalen e organizon UEFA dhe se procesin e shitjes së biletave po ashtu e ka ky organizëm.
Një mëkat i madh sepse UEFA e ka bërë të qartë se tifozët shqiptarë do të kenë përparësi në pranimin e aplikimeve online.
Sidoqoftë, kemi ende shpresë që të mos dalim pa gjë, sepse një tjetër informacion nga Federata është që për tifozët nga Shqipëria mund të rezervohen të paktën 4 000 bileta.