Bota

Sekretari i OKB-së: Zona e luftës në Mariupol, si peizazh ferri

Sot është dita e 72-të e pushtimit rus në Ukrainë – lufta e parë tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi rus mbi Ukrainë filloi më 24 shkurt, kur presidenti rus Vladimir Putin nisi, sipas tij, një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare dhe është përballur me zemërim në gjithë botën.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj këtij pushtimi.

ShBA dhe shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat nga Ukraina dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.

Një operacion i tretë i Kombeve të Bashkuara është duke u zhvilluar për evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol. “Një autokolonë po vazhdon së ardhuri në Azovstal deri nesër në mëngjes, me shpresë për t’i pritur civilët që kanë mbetur në atë ferr të zymtë … dhe për t’i çuar ata përsëri në një vend të sigurtë,” ka thënë shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e ka përshkruar zonën e luftës në Mariupol si “peizazh ferri”. OKB-ja dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i kanë ndihmuar deri më tani rreth 500 civilë të largohen nga zona e fabrikës së çelikut në qytetin port jugor gjatë dy operacioneve në javën e kaluar.

Një komandant ukrainas ka deklaruar se “luftimet e rënda dhe të përgjakshme” vazhdojnë në Azovstal dhe se Rusia e ka shkelur premtimin e saj për një armëpushim, duke parandaluar evakuimin e civilëve. Svyatoslav Palamar, komandanti i regjimentit Azov që po mbron vendin, tha në një video në Telegram se “rusët shkelën premtimin për një armëpushim dhe nuk lejuan evakuimin e civilëve që vazhdojnë të fshihen nga bombardimet në bodrumin e uzinës”.

Lexo më shumë  Revizionizmi dhe dezinhibimi: Perandoria e Trumpit në Doktrinën Marco Rubio

Palamar më herët u lut për ndihmë për “ushtarët e plagosur që vdisnin në agoni të tmerrshme” dhe evakuimin e civilëve të bllokuar në uzinë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi që Ukraina t’i urdhërojë luftëtarët e saj të vendosur në Azovstal të dorëzohen, tha Kremlini. Në një telefonatë me kryeministrin e Izraelit, Naftali Bennett, Putin pretendoi se Rusia është ende e gatshme të siguronte kalim të sigurt për civilët nga uzina, sipas Kremlinit.

Ukraina nuk ka gjasa ta nisë një kundërofensivë para mesit të qershorit, kur shpreson të ketë marrë më shumë armë nga aleatët e saj, tha një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. Oleksiy Arestovych shtoi se ai nuk pret që ofensiva e Rusisë në Ukrainë të prodhonte ndonjë “rezultat të rëndësishëm” deri më 9 maj, kur Rusia feston Ditën e Fitores mbi Gjermaninë Naziste.

SHBA thotë se i ka dhënë informata inteligjente Ukrainës në lidhje me vendndodhjen e kryqëzorit raketor rus Moskva para sulmit që e fundosi anijen luftarake, por vendimi për ta sulmuar u mor nga ukrainasit. Zyrtarët amerikanë gjithashtu thuhet se kanë konfirmuar se po ofrojnë inteligjencë që ka ndihmuar forcat ukrainase të shënjestrojnë dhe vrasin shumë nga gjeneralët rusë.

Presidenti ukrainas Zelenskiy thuhet se e ka ftuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin, Frank-ëalter Steinmeier, për ta vizituar atë në Kiev. Zelenskiy e bëri këtë ftesë gjatë një bisede telefonike me Steinmeier, në të cilën “u sqaruan acarimet e së kaluarës”, pak javë pasi presidenti u shpërfill nga Ukraina, tha një burim nga zyra e presidentit gjerman. Zelenskiy konfirmoi se kishte folur me Steinmeier sot.

Lexo më shumë  Revizionizmi dhe dezinhibimi: Perandoria e Trumpit në Doktrinën Marco Rubio

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj Evraz, prodhuesit shumëkombësh të çelikut, pjesërisht në pronësi të miliarderit Roman Abramovich. Kompania më parë llogaritej ndër kompanitë më të mëdha të Britanisë. Zyra e Jashtme tha të enjten se veprimi do t’i “zvogëlojë më tej rezervat financiare të Putinit dhe do ta mbështesë rezistencën e vazhdueshme të Ukrainës”.

Bashkimi Evropian planifikon të vendosë sanksione ndaj Alina Kabaevës, e përfolur prej kohësh si e dashura e Vladimir Putinit, dhe Patriarkut Kirill, kreut të kishës

ortodokse ruse. Dy burime thanë se BE-ja ka propozuar sanksione ndaj Kabaeva, një ish-gjimnaste olimpik, paraqitja e së cilës në një listë sanksionesh u raportua për herë të parë nga Bloomberg.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka deklaruar se Vladimir Putin kishte kërkuar falje për pretendimet e ministrit të Jashtëm rus se Adolf Hitler kishte origjinë hebreje. Kryeministri izraelit, pas një telefonate me Putinin, tha se kishte pranuar faljen dhe e falënderoi presidentin për sqarimin e pozicionit të tij.

Sipas inteligjencës ukrainase, Putin shpreson ta pretendojë Mariupolin si mbështetës kyç në festimet e Ditës së Fitores. “Mariupol, sipas planeve [të Rusisë], duhet të bëhet qendra e festimeve”, tha agjencia e inteligjencës e mbrojtjes së Ukrainës. “Për këtë qëllim, qyteti po i pastron urgjentisht rrugët qendrore nga rrënojat, trupat ruse të vdekur dhe të municioneve të pashpërthyera. Vazhdon një fushatë propagandistike në shkallë të gjerë, gjatë së cilës rusëve do t’u tregohen histori për “gëzimin” e banorëve vendas nga takimi me pushtuesit”./The Guardian

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *