Hotele në sistemin hapësinor. Akomodimi do të jetë i mundshëm brenda tre viteve
Zgjimi në një dhomë hoteli me pamje nga sistemi diellor, mund të jetë lehtë i mundshëm, shkruan CNN-i të martën. Për këtë po punon kompania hapësinore Orbital Assembly, me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Që nga 2019-a, kompania po i ideon konceptet e ndërtimit të vendbanimeve ku njerëzit do të mund të qëndrojnë në hapësirë, përfshirë edhe dukjen e dizajnin.
Koncepti futuristik i ndërtimit të vendqëndrimeve në hapësirë quhet Stacioni Von Braun.
Kompania Orbital Assembly, që po e mbikëqyr projektin, bëri të ditur se aktualisht dy stacione hapësinore do të nisen drejt hapësirës për akomodim. I pari është Stacioni Voyager, që synon t’i strehojë 400 njerëz, e i dyti Stacioni Pioneer, që do t’i strehojë 28 persona. Ky proces i strehimit parashihet të bëhet brenda 3 vjetëve të ardhshme.
Qëllimi i këtij projekti, sipas Orbital Assembly, është të krijohen hapësira biznesore dhe turistike.
Por, çmimi i një udhëtimi drejt hapësirës dhe akomodimi atje ende po cilësohet shumë i shtrenjtë.
Shefi operativ i Orbital, Tim Alatorre, tha se kjo pengesë do të hiqet.
“Qëllimi ka qenë që ta bëjmë të mundur që një sasi e madhe njerëzish të jetojnë, punojnë dhe ‘lulëzojnë’ në hapësirë”, tha ai. Të dy stacionet për akomodim njoftuan se hapësirat do t’i japin me qira.
Alatorre deklaroi se të dy stacionet do të ngjajnë në një rrotë “që rrotullohet rreth Tokës”.
Sipas tij, çështja e gravitetit duket se është zgjidhur, nëpërmjet gravitetit artificial.
“Fizika nuk ka ndryshuar. Pasi Pioneeri do të jetë më i vogël, niveli i gravitetit të tij do të jetë më ndryshe. Hapësirat me më pak gravitacion do të lejojnë edhe më shumë argëtim dhe çudi hapësinore”, tha ai.
Ambienti brenda stacionit hapësinor do të duket si një dhomë hoteli, me karrige, shtretër, kabina dushi, shkallë, dyer, dritare, e të tjera.
Ekspeditat në hapësirë janë bërë të zakonshme. Kompanitë Virgin Galactic, Blue Origin dhe kompania e Elon Musk, SpaceX, kanë organizuar udhëtime në hapësirë, por çështja e vetme aktualisht është destinacioni.
“E vetmja gjë që iu mungon të gjitha këtyre kompanive është destinacioni. Është sikur të kaloni me veturë kah Grand Canyoni (vend turistik në SHBA) dhe të ktheheni menjëherë në shtëpi”, deklaroi shefi i Orbitalit, Tim Alatorre.
Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës ka pritur turistë në të kaluarën, përfshirë turistin e parë në botë, Dennis Tito, në vitin 2001. Por, Alatorre, tha se udhëtimet e sotme do të bëhen për çështje studimi dhe pune.
“Nuk do të jetë sikur po shkoni në një fabrikë. Do të ndiheni sikur po udhëtoni në një ëndërr fantastiko-shkencore. Nuk ka tela, është hapësirë komode ku do të ndihesh si në shtëpi”.
Megjithatë, ka njerëz që i kundërshtojnë udhëtimet e tilla, nën arsyetimin se miliardat e shpenzuara për qëllime hapësinore, mund të shpenzohen më mirë në Tokë.
Iniciatori i kësaj, Tim Alatorre, tha se shumë teknologji që “e ndryshojnë jetën në Tokë”, rrjedhin nga eksplorimi i hapësirës, si GPS-i.
Ai shtoi se të jetuarit në hapësirë do të mundësojë krijimin e shoqërive më të qëndrueshme.
“Mjedisi ynë nuk është vetëm Toka, është i gjithë sistemi diellor. Ka shumë burime atje, derisa ne fillojmë t’i përdorim dhe t’i kapitalizojmë ato burime, që do ta ndryshojnë sistemin e jetesës këtu në tokë”.
Alatorre ka potencuar se ndonëse bileta është e shtrenjtë, udhëtimi drejt hapësirës nuk do të jetë vetëm për miliardët.
“Ne po bëjmë gjithçka që ta bëjmë hapësirën të qasshme për të gjithë, jo vetëm për të pasurit”.
Rruga Press