Familjet në Lviv hapin shtëpitë për refugjatët
Miliona ukrainas janë larguar drejt vendeve fqinje, që kur Rusia filloi sulmin ndaj vendit të tyre. Të tjerë janë zhvendosur drejt Ukrainës perëndimore, që për momentin është relativisht e sigurtë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Anna Kosstutschenko, na sjell historitë e vullnetarëve në qytetin Lviv, që kanë hapur shtëpitë e tyre për të zhvendosurit.
Tre vjeçarit Matviy i pëlqen të luajë jashtë, të hidhet mbi trampolinë dhe të shëtisë në kopsht.
Gjërat do të ishin edhe më mirë nëse do të kishte babanë pranë. Por, kjo nuk është e mundur, pasi babai i tij ka shkuar në luftë.
“Përkrah meje gjendet motivuesi im kryesor. Ai nuk është fëmija im, nuk është nipi im, por jemi bërë miq që ditën e parë që u takuam dhe jam shumë i lumtur që e shoh çdo ditë!”, thotë Dr. Serhiy Rubanov, banor dhe vullnetar në qytetin Lviv.
Serhiy dhe Galyna Rubanov mirëpritën Matviyn dhe familjen e tij në shtëpinë e tyre në rrethinat e Lvivit në muajin mars, pasi atyre iu desh të largohen nga qyteti Kharkiv, të cilin forcat ruse vazhdojnë ta bombardojnë që kur filluan sulmin më 24 shkurt.
“Hodhëm sytë nga dritarja dhe dukej si një mjegull. Zhurma ngjasonte me bubullimat, por shumë më e lartë. Ndezëm televizorin dhe morëm vesh se po sulmoheshim nga të ashtuquajturit vëllezërit tanë”, thotë Anna, gjyshja e Matviyt.
Më 4 mars, e gjithë familja, së bashku me stërgjyshen invalide të Matviyt dhe qenin e tyre, u larguan nga Kharkivi. Kur mbërritën në Lviv, vullnetarët i vendosën në banesa të përkohshme derisa një familje vendase u ofroi strehim.
“Gjyshi dhe babai i tij e sollën djalin këtu dhe u kthyen prapë për të luftuar. Cila është gjëja më e çmuar në vendin tonë? Fëmijët tanë, nipërit tanë. A mund të luftosh duke ditur se fëmijët gjenden në rrezik?”, thotë dr. Rubanov.
Familja e Matviyt gjeti këtu një shtëpi të re.
Ata gatuajnë, bëjnë pazar, madje edhe kujdesen për perimet në kopsht. Nëna e Matviyt, Katerina, thotë se po i ndihmon normaliteti i rikthyer në jetën e përditshme të familjes.
“Kur mbërritëm na duhej diçka për të hequr mendjen. Galyna na e dha këtë mundësi. Mbollëm qepë të njoma, rrepa, majdanoz dhe patate. Serhiy na ndihmoi për gjithçka”, thotë Katerina.
Megjithëse janë të sigurtë këtu, lufta ka lënë gjurmët e saj në familje. Matviy vazhdon të trembet nga zhurmat e larta.
“Ka shumë ankth, frikësohet nga zhurmat e larta dhe avionët që fluturojnë… Ka një batanije që e mban me vete që nga koha kur ishte foshnje”, thotë gjyshja e Matviyt, Anna.
Kateryna dhe familja e saj luten që lufta të përfundojë së shpejti dhe babai dhe gjyshi i Matviyt të kthehen të gjallë në shtëpi. Kateryna ëndërron që një ditë djali i saj i vogël të mos ketë më frikë nga zhurmat e larta./voa/
Rruga Press