“Greqia bëri 22 shkelje të hapësirës ajrore”, Turqia: Iu kundërpërgjigjëm avionëve grekë
Turqia akuzon Greqinë për shkelje të hapësirës së saj ajrore në të paktën 22 raste brenda tre ditëve të fundit, teksa tensionet mes dy shteteve janë rritur së fundmi.
“Bëhet e ditur se elementët e Forcave Ajrore Turke iu kundërpërgjigjën njëlloj avionëve grekë, të cilët bënë 22 shkelje të hapësirës ajrore turke, në zonat Didim, Datça dhe Dalaman. Sipas burimeve të sigurisë, Greqia vazhdon të përfshihet në veprime të paligjshme, provokuese dhe agresive në Egje”, raportojnë mediat turke.
Ditën e djeshme, Greqia tha se ishte Turqia ajo që kishte provokuar tensionet, ndërsa kryeministri grek Qirjako Miçotaqi tha se kishte vënë në dijeni shefin e NATO-s.
Por burime për “TRT” drejtojë gishtin nga Greqia, si provokuese e tensioneve në Egje.
“Është e qartë se Greqia vazhdon aktivitetet e saj me qëllim provokimi dhe dezinformimi”, theksojnë burimet, ndërsa bëjnë të ditur se roli aktiv shumë më i madh i Turqisë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht zhvillimet në kontekstin e Ukrainës, ka shkaktuar shqetësim të madh te pala greke, e cila e sheh çdo sukses të Turqisë si dështim të saj dhe po përpiqet të zbatojë një provokim të trilluar. Edhe një herë, Greqia është ajo që përpiqet të rrisë tensionet në Egje, thanë burimet.
Rruga Press