Rusia vijon tregtinë me BE-në, ja sa miliarda fitoi nga eksportet gjatë 2 muajve luftë
Rusia thuajse ka dyfishuar të ardhurat nga shitja e karburanteve fosile në BE gjatë dy muajve të luftës në Ukrainë, duke përfituar nga rritja e çmimeve, edhe pse volumi i eksporteve është reduktuar.
Sipas një raporti të Qendrës për Kërkimet mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, Rusia ka marrë 62 miliardë euro nga eksportet e naftës, gazit dhe qymyrit në dy muaj që nga nisja e pushtimit.
Ndërsa për BE-në, importet e realizuara në këtë periudhë kanë arritur në 44 miliardë euro, krahasuar me 140 miliardë që ishin gjatë gjithë vitit të kaluar, ose rreth 12 miliardë në muaj.
Studimi tregon gjithashtu se si Rusia ka vazhduar të përfitojë nga vartësia energjetike e Evropës, edhe pse qeveritë janë përpjekur të parandalojnë që presidenti Putin t’i përdorë naftën dhe gazin si armë ekonomike.
Edhe pse eksportet nga Rusia janë reduktuar për shkak të luftës dhe sanksioneve, fuqia e vendit si një burim gazi ka treguar se ndërprerja e furnizimeve vetëm sa ka rritur çmimet, të cilat edhe më parë ishin të larta si pasojë e pandemisë së COVID-19.
Rruga Press