Kuriozitete

Arkeologët në Egjipt pas gjurmëve të tempullit të Zeusit

Arkeologët egjiptianë kanë gjetur në gadishullin Sinai mbetjet e tempullit të zotit greko-antik, Zeus

Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve e Egjiptit ka njoftuar se gërmadhat e tempullit janë gjetur në lokalitetin arkeologjik Tell el-Farma, në veriperëndim të Sinait.

Tell el-Farma, po ashtu njihet edhe sipas emërimit antik Pelusium, dhe daton prej periudhës së vonë të faraonëve dhe është përdorur edhe në kohët greko-romake. Ekzistojnë edhe shtresa që datojnë nga krishterimi dhe periudha e hershme islame.

Mostafa Waziri, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të lartë për antikitetit të Egjiptit, ka thënë se arkeologët kanë gërmuar mbetjet e tempullit nëpërmjet portës hyrëse, ku ishin lehtë të dallueshme dy shtylla të mëdha e të rrëzuara, punuar në gur graniti.

“Porta është shkatërruar prej një tërmeti të madh në kohët e moçme”, ka thënë Waziri, raportojnë mediat e huaja. Ka shtuar se gërmadhat janë gjetur midis kështjellës Pelusium dhe kishës përkujtimore në atë vend.

Arkeologët po ashtu kanë gjetur blloqe graniti, të cilat supozohet të jenë përdorur për ndërtimin e shkallëve, të cilat duhej t’i përdornin besimtarët që të arrinin deri te tempulli.

Gërmimet në këtë zonë datojnë qysh prej vitit 1900, kur egjiptologu francez Jean Cledat gjeti dy mbishkrime që konfirmonin ekzistencën e tempullit të Zeusit-Kasiosit, por nuk i vazhdoi gërmimet.

Hisham Husein, drejtor i lokaliteteve arkeologjike në Sinai, ka thënë se mbishkrimet e gjetura aty dëshmojnë se mbreti romak, Adriani e rinovoi tempullin. Themelet e tempullit janë në mesin e serisë së gjetjeve antike të viteve të fundit, të cilat Egjipti i ka promovuar me shpresë që të tërheqë më shumë turistë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *