Lajme

Afera e vitit/Qeveria i fal Plazhin e Gjeneralit një kompanie private

Nga Klodian Tomorri

Qeveria vijon tjetërsimin masiv të pronave publike në zonat më të lakmuara të bregdetit për llogari të biznesve afër saj duke përdorur ligjin kontrovers të investimeve strategjike. Këtë herë kthetrat e grabitjes kanë rënë mbi Plazhin e Gjeneralit, një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar.

Përmes një vendimi në Komitetin e Investimeve Strategjike, qeveria ka vendosur t’i japë falas 635 mijë metër katrorë tokë publike, praktikisht të gjithë atë që njihet si Plazhi i Gjeneralit një kompanie private të quajtur Mediterranean Wave. Kjo është një kompani e krijuar vitin e kaluar dhe zotërohet 100 për qind nga Shijaku shpk e Shpëtim Shijakut.

Mbi pronën e falur shtetërore kompania do të investojë sipas saj 50 milionë euro për të ndërtuar një resort turistik. Sipas vendimit, resorti do të ketë në përbërje hotele, vila (fshat turistik), shërbime të hotelerisë, parqe, hapësira për aktivitete dhe sistemime të vijës  bregdetare. Por favoret nuk përfundojnë vetëm me faljen tokës në bregdetit.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Kompania ka marrë statusin e investitorit strategjik dhe përmes tij qeveria i ka dhënë asaj edhe të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të plazhit ranor për 30 vjet. Paralelisht shteti ka marrë përsipër të ndërtojë të gjithë infrastrukturën rrugore, ujësjellësin, impiantin e ujërave të zeza si dhe nënstacionin e energjisë elektrike. Të gjitha këto vepra që do të shërbejnë ekskluzivisht vetëm për resortin dhe të pasurit që do të blejnë vila aty do të ndërtohen me paratë e qytetarëve.  

Ky është një vendim, ku me një të rënë të lapsit i fallen një kompanie private minimalisht 60 milionë euro prona publike. Por privatizimi falas i Plazhit të Gjeneralit nuk është prona e parë publike që i jepet kompanisë Shijaku.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Dy vjet më parë qeveria i dha asaj po falas, kundrejt çmimit simbolik 1 euro edhe 140 mijë metër katrorë tokë publike, pjesë e vendkomandës qendrore të Ushtrisë në zonën e Saukut. Ndërsa vetëm pak muaj më parë, kjo kompani arriti të marrë lejen për të çmontuar Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, që ndryshe njihet si Uzina e ARMO-s.  

E klasifikuar si sektor Strategjik, legjislacioni në fuqi e ndalonte në mënyrë kategorike falimentimin apo çmontimin e ARMO-s. Kjo ishte arsyeja se pse një numër i madh tentativash të mëparshme nga shumë kompani private për të çmontuar ARMO-n kishin dështuar. Deri pak muaj më parë, kur kompania Shijaku arriti ta shtinte në dorë këtë pasuri dhe të siguronte lejen për çmontimin e saj duke e shitur për skrap./mcn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *