Macron edhe 5 vjet në krye të Francës, cili është vizioni i tij për Ballkanin?
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ia ka arritur të sigurojë edhe një mandat 5 vjeçar për të udhëhequr Francën, njëri nga shtetet kryesore të BE-së. Presidenti i ri dhe i vjetër francez që ka peshë kur është fjala për politikat e zgjerimit të BE-së e bashkë me holandezët e ka në dorë edhe çështjen e vizave për Kosovën, gjatë muajit janar kishte shpalosur edhe vizonin për Ballkanin Perëndimor në një fjalim në Parlamentin Evropian.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron në një fjalim të tij në Parlamentin Evropian gjatë janarit, kur Franca e kishte marrë kryesimin e BE-së, kishte folur ndër të tjera për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe synimet që ka shteti i tij gjatë udhëheqjes 6 muajshe me unionin.
Në fjalën e tij, presidenti i Francës theksoi se Evropa nuk mund t’i kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor është gjeografikisht dhe historikisht, për të kaluarën e tyre tragjike dhe një të ardhme më të madhe, në zemër të kontinentit evropian. Ata kanë plagë që na tregojnë se sa e brishtë mund të jetë paqja dhe sa i fortë mund të jetë Bashkimi ynë. Prandaj sot duam të mendojmë për marrëdhëniet tona me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’u japim atyre një perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Macron.
Ai tha se ky proces nuk ka qenë i drejtuar kundër askujt dhe as tentimi për të destabilizuar dikë tjetër.
“Është një aderim pozitiv, i cili duhet të kryhet në një afat kohor të arsyeshëm. Ne kemi modernizuar procedurën e negociatave gjatë muajve të fundit”, theksoi Macron, duke iu referuar metodologjisë së re të anëtarësimit të miratuar me iniciativën e Francës.
Megjithatë, ai përsëriti qëndrimin e tij se Evropa aktuale me rregullat e saj nuk mund të bëhet Evropë e 31, 32, 33 shteteve anëtare.
“Do të bënim shaka me veten nëse do ta mendonim këtë. Pra, në kuadrin e Konferencës (për të Ardhmen e Evropës) dhe rezultatet e pritura në maj, ne duhet të mendojmë përsëri për rregullat tona dhe t’i bëjmë ato më të qarta, t’i bëjmë ato më të lehta në mënyrë që të vendosim më shpejt dhe më lehtë dhe gjithashtu të jemi i sinqertë për Evropën ku Ballkani Perëndimor ka vend”, tha presidenti i Francës.
Ai përfundoi me një thirrje për të rivlerësuar mënyrën se si funksionon Evropa.
“Kjo është arsyeja pse Konferenca për të Ardhmen e Evropës duhet të pasohet nga një konferencë për Ballkanin Perëndimor, që trajton këto tema vendimtare”, tha Macron.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor është pjesë e një prej tre prioriteteve të Presidencës Franceze: Një Evropë më sovrane, e cila përfshin gjithashtu forcimin e zonës Shengen, mbrojtjen e kufijve evropianë, kontrollin e migracionit dhe përmirësimin e politikës së azilit.
Dy prioritete të tjera janë Një model i ri evropian për rritje, në të cilin zhvillimi ekonomik përafrohet me qëllimet klimatike, dhe Një Evropë humane, me fokus në ruajtjen e sundimit të ligjit dhe vlerave evropiane.
Rruga Press