Nis hetimi për pasurinë e ish-deputetit të PS-së, Alqi Bllako
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), ka nisur hetim pasuror për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, raportoi “Euronews Albania” të hënën.
SPAK-u ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë bankare që mund të ketë Bllako.
Sipas burimeve pranë SPAK-ut, mësohet se shkresat për të verifikuar pasurinë e Bllakos janë dërguar edhe në institucionet e agjencitë e pronave, për të parë nëse ka pasuri në emër të ish-deputetit dhe familjarëve të tij.
Hetim pasuror është duke u kryer edhe për ish-ministrin Lefter Koka.
Alqi Bllako dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dyshohet se kanë falsifikuar dokumentin për llojin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit.
Ata ia kanë paraqitur qeverisë sikur ndërtesa e inceneratorit do të bëhej në tokë truall. Ndërsa SPAK-u ka gjetur prova se ajo është ndërtuar në tokë arë, vlera e së cilës është më e lirë.
Gjatë muajit të kaluar, Bllako ka dhënë dorëheqje nga posti I deputetit për t’I hapur rrugë SPAK-ut që ta kryejë punën e tij.
“Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt personal vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar t’i hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”, ka thënë Bllako.
Rruga Press