Civilët në Bucha u vranë nga rusët me shigjeta metalike
Dhjetëra civilë që vdiqën në qytetin Bucha të Ukrainës janë vrarë me shigjeta të vogla metalike, raporton e përditshmja britanike Guardian. Këto shigjeta janë qëlluar nga predhat e artilerisë ruse.
Mjekët që kanë kryer analizat e trupave të viktimave në varret masive, thonë se kanë gjetur shigjeta të tilla- të quajtura edhe flesheta- në gjoksin dhe kokën e viktimave.
Ekspertët e pavarur, që kanë parë pamjet e këtyre shigjetave, thanë për gazetën se këto janë flesheta, një armë anti-njeri e përdorur gjerësisht gjatë Luftës së Parë Botërore.
Këto shigjeta të vogla metalike futen në predha të tankeve ose të artilerisë. Çdo predhë mund të mbajë brenda deri në 8 mijë flesheta.
Pasi qëllohen, fleshetat me një gjatësi rreth 3 deri në 5 centimetra, dalin nga predha dhe shpërndahen në një hark konik. Kur prekin trupin e viktimës, shigjetat mund të humbasin formën, duke u përkulur si një grep, ndërsa pjesa e pasme e shigjetës, e përbërë nga katër pendë, zakonisht shkëputet duke shkaktuar një plagë të dytë.
Sipas një numri dëshmitarësh në Bucha, predhat me flesheta u qëlluan nga artileria ruse disa ditë përpara se forcat të tërhiqeshin nga kjo zonë në fund të marsit. Një ekspert që pa fotot e këtyre fleshetave, tha se ato përdoren nga artileria ruse. Një dëshmitare tha se kishte gjetur shigjeta të tilla të ngulura në makinë në Bucha.
Edhe pse grupet e të drejtave të njeriut kanë kërkuar të ndalohet përdorimi i këtyre armëve, ato vazhdojnë të përdoren. Megjithatë, përdorimi i armëve vdekjeprurëse pa precizion në zonat me popullsi të dendur civile është një shkelje e ligjit humanitar.
Rruga Press