Euro në rënie të lirë, prek nivelin më të ulët historik që prej vitit 2001
Euro zbriti këtë javë në nivelin më të ulët historik që prej Dhjetorit të vitit 2001. Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë e llogarit nivelin e valutës europiane në 120.18 lekë, nga 121.56 lekë që ishte në fillim të muajit.
Faktorët që po ndikojnë në këtë rënie të euros janë të ndryshëm, por praktikisht lidhen me kërkesën e ulët për të blerë valutë. Përgjatë muajve të fundit, një prej aktorëve kryesore që ndikonte në treg ishte edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i detyruar për të bërë blerje të energjisë në disa qindra milionë euro.
Ndikim në këtë rënie dha edhe anulimi nga ana e Bankës së Shqipërisë i të paktën 3 ankandeve për blerjen e valutës, duke krijuar tepricë të euros. Ekspertët ndërkohë nuk përjashtojnë as mundësinë e kanaleve informale të furnizimit me valutë.
Megjithatë sipas tyre, pavarësisht se kursi nuk mund të parashikohet, kjo situatë nuk pritet të zgjasë. Përveç faktit se leku sipas tyre është i mbivlerësuar në këtë moment, kursi i ulët i euro do të ndikojë në tërheqjen e shumë individëve për të blerë prona në euro, apo i kompanive për të bërë furnizime dhe investime në euro, duke rritur kërkesën për këtë valutë dhe rrjedhimisht duke i rritur çmimin.
Momentalisht një euro e ulët zbut ndikimin e rritjes së çmimeve për produktet që importohen nga eurozona, partneri ynë kryesor tregtar.
Rruga Press