Wali, snajperisti më i mirë në botë flet nga vija e parë e frontit në Ukrainë – tregon detaje tronditëse
Ai është një nga snajperët më të frikshëm në botë dhe po lufton kundër ushtrisë ruse në Ukrainë. Kanadezi, i cili njihet me pseudonimin “Wali”, është në aksion prej dy muajsh.
Në një intervistë për gazetën Bild, Wali tregon përvojat e tij në Ukrainë. Në lidhje me ofensivën e re ruse në Ukrainën lindore, ai shpjegon: “Në periferi të Kievit ishte një betejë urbane, ideale për taktikat guerile ukrainase. Terreni në lindje është më i përshtatshëm për njësi të mëdha, të mekanizuara, kështu që në fakt një avantazh për Rusinë”.
Megjithatë, sipas tij, rusët nuk janë të zgjuar dhe kanë frikë.
“Kështu që ju mund t’i dëmtoni ato me artileri”, thotë ai.
Rusët “qëlluan pa dallim në shtëpitë ku fëmijët bërtisnin”
Në fund, snajperisti Wali beson se Ukraina mund ta fitojë luftën – megjithëse me shumë viktima.
“Ne mund t’i ndalojmë, por nuk duhet t’i nënvlerësoni. Dhe numri i të vrarëve do të jetë i lartë. Rusët kanë mijëra armë moderne”, shprehet Wali.
Snajperisti kanadez ishte gjithashtu në Bucha, ku trupat e Putinit kryen masakër.
Ai tregon detaje tronditëse
“Ne kishim informacione se ushtarët rusë – të frustruar që nuk po bënin ndonjë përparim në front – ishin dehur. Ata qëlluan pa dallim në shtëpitë nga ku vinin zëra fëmijësh që bërtisnin. Çdo zë i bezdiste rusët, ata synonin dritaret nga vinin”, tregon Wali.
Papritur pati një “shpërthim të madh”
Edhe nëse Wali është një qitës me përvojë, ai gati sa nuk u vra në luftën në Ukrainë. Në pjesën e përparme, ai dhe ushtarët e tjerë u rrethuan nga rusët. Ata u mbrojtën në një llogore të vogël.
“Dy ushtarë ukrainas të papërvojë dolën nga hendeku i vogël dhe tymosën cigare”, thotë ai.
Ai u bërtiti dy burrave që të fiknin cigaret sepse kjo do tu jepte mundësi rusëve t’i gjurmonin. Por shumë vonë. Pak sekonda më vonë pati një shpërthim të madh. Dy ukrainasit më pas ranë të vdekur pranë kanadezit.
Snajperisti beson se tanket ruse përdorën kamera termike për t’i gjurmuar – bazuar te detektimi i cigareve të ndezura. Wali është i sigurt për këtë.
“Fakti që ata i goditën ushtarët aq shpejt dhe me aq saktësi, të bën ta hamendësosh këtë.”
Mësoi se si të përdorë raketa antitank me YouTube
Pavarësisht situatës së ndërlikuar, kanadezi e kishte vlerësuar më mirë ushtrinë ruse përpara se të dilte në front.
Më pas ai zbuloi se trupat e Putinit përbëheshin kryesisht nga njerëz që vinin nga rajone të varfëra.
“Për shumë njerëz, një televizor është padyshim luks. Morali i rusëve është përtokë, kanë humbur shumë shokë”.
Në fakt, Wali është një snajperist i shkëlqyer. Por, ai gjithashtu mund të përdorë armë të kalibrit më të madh – falë internetit.
“Unë e mësova veten se si të përdor raketa antitank – me një video në YouTube dhe një videolojë”.
Wali nuk e di se sa do të qëndrojë në Ukrainë.
“Në një moment më duhet të kthehem. Unë kam dy detyra kryesore tani, njëra si baba dhe tjetra ndaj njerëzimit”, shpjegon kanadezi.
“Por e di që së shpejti do të më duhet të mbaj përsëri familjen time”, përfundon Wali.
Rruga Press