Taktika e Rusisë në Siri dhe Ukrainë është e njëjtë
Ajo që bëri Rusia në luftën në Siri mund të shërbejë që të parashikojmë se çfarë do të ndodhë në Ukrainë, thotë Hanna Notte, eksperte pranë “Vienna Center for Non-Proliferation and Disarmament”
Fillimisht Çeçenia dhe Siria, tani Ukraina. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë ekspertët shohin paralele mes luftërave të mëparshme të rusëve dhe asaj aktuale. Hanna Notte, eksperte pranë Vienna Center for Non-Proliferation and Disarmament (VCDNP), merret prej kohësh me aspektet e sigurisë dhe të kontrollit të armëve, me fokus të veçantë në Rusi dhe Lindjen e Mesme. Me DW ajo flet për ngjashmëritë midis veprimeve të Rusisë në Siri dhe tani në Ukrainë dhe çfarë mund të rezultojë prej tyre.
DW: Ju shihni paralele në veprimet ruse në Siri dhe Ukrainë. Cilat janë ato?
Hanna Notte: Kam identifikuar pesë paralele. E para, Rusia po e zhvillon luftën në sekuenca, në faza të caktuara. E dyta është taktika e rrethimit të qyteteve dhe e bombardimit të tyre dhe më pas, citoj, krijimi i “korridoreve humanitare”. Duhet të keni kujdes me këtë term.
E treta: Luftëtarët e huaj. Kjo është një çështje komplekse, sepse Rusia nga njëra anë akuzon palën tjetër për mobilizimin e legjionarëve të huaj, por më pas e bën vetë. Paralelet katër dhe pesë kanë të bëjnë me dezinformimin, kur pohohet se kundërshtari po shfrytëzon njerëzit si mburoja. Rusia ka akuzuar shpesh terroristët, se përdorin njerëzit si mburoja. Tani po bëjnë të njëjtën gjë me batalionin Azov në Mariupol. Dhe Rusia përdor dezinformata: Ajo akuzon palën tjetër për kryerjen e sulmeve kimike të fshehta. Pavarësisht nga të gjitha paralelet, është e rëndësishme të shihen edhe dallimet mes dy operacioneve ruse në Siri dhe Ukrainë, si nga synimet, ashtu edhe nga dimensioni.
Çfarë kuptoni saktësisht me termin “luftë me sekuenca”?
Në Siri kemi vënë re se regjimi i Asadit dhe ushtria ruse, e cila ndërhyri në shtator 2015, i ndërprisnin vazhdimisht luftimet në pjesë të caktuara të vendit për të vepruar diku tjetër.
Në fillim të vitit 2017 ata krijuan të ashtuquajturat “zona de-eskalimi” në Sirinë perëndimore, gjë që i dha mundësi regjimit të Asadit të bashkojë forcat për të marrë territor në lindje të vendit. Por edhe për t`u riorganizuar dhe rimbledhur fuqitë. Në vitin 2018 regjimi i Asadit, i mbështetur nga Rusia, u rikthye dhe rimori këto “zona de-eskaluara”, me përjashtim të Idlibit, i cili edhe sot e kësaj dite nuk është nën kontrollin e qeverisë siriane.
Në Ukrainë Rusia ka njoftuar se faza e parë e “operacionit special ushtarak” ka përfunduar dhe tani janë përqendruar në “çlirimin”, citoj, të Donbasit. Dhe në të vërtetë trupat ruse janë tërhequr nga zona e Kievit dhe nga veriu i Ukrainës. Nëse unë theksoj tani këtë paralele të fragmentimit të luftës, jo aq sepse besoj, se do të shohim sërish po të njëjtën gjë. Më shumë dua të porosis të kihet kujdes nga optimizmi i parakohshëm dhe supozimi se vetëm ngaqë rusët kanë thënë, se tani duan të fokusohen në Donbas, luftimet në pjesë të tjera të vendit kanë marrë fund përfundimisht.
Përpjekjet për të krijuar korridore humanitare nga qytetet e rrethuara, veçanërisht Mariupoli, kanë dështuar disa herë. Çfarë strategjie mund të fshihet pas kësaj, nga perspektiva ruse?
Po për fat të keq edhe shembulli i Sirisë tregon se korridore të tilla duhen parë me kujdesin më të madh, për arsye të ndryshme. Le të marrim rrethimin e Alepos në 2016. Ai zgjati më shumë se gjashtë muaj, edhe këtu rusët hapën korridore, të cilave shumë civilë shpesh nuk u besonin. Një problem tjetër është se njerëzit, që nga frika nuk dëshirojnë t`i përdorin korridoret, si në periferi të Damaskut në vitin 2018, shihen nga ushtria ruse si objektiva legjitime sulmi. Narrativa ishte: njerëzit patën mundësi për t`u larguar nga qyteti. Kush qëndronte, konsiderohej “terrorist”. Kjo është shqetësuese, kur ke parasysh atë që ndodh në Ukrainë.
Nëse shikojmë Mariupolin dhe përpjekjet për të krijuar atje korridore mbrojtëse, gjërat komplikohen. Në Siri njerëzve u ofrohej të paktën një lloj opsioni nga rusët, kur ngriheshin korridoret në zonat e de-eskalimit, ose të dorëzonin armët dhe të qëndronin – ose të dilnin jashtë. Shumica shkuan pastaj në Idlib. Tani në Mariupol ka një problem, që civilët me sa duket u detyruan të evakuoheshin në drejtim të Rusisë, që autobusët sollën qindra njerëz nga Mariupol në Rusi. Atje me sa duket civilët u detyruan të jepnin prova të rreme për atë që ka ndodhur në Mariupol.
Le të vijmë te tema e armëve kimike. Ka frikëra të madhe se Rusia mund t’i përdorë ato në një moment. Në çfarë rrethanash mendoni se ky do të ishte një opsion për Rusinë?
Fillimisht duhet thënë se vija e kuqe për përdorimin e armëve kimike është dobësuar ndjeshëm nga ajo që ndodhi në Siri. Madje edhe pasi Siria tha se kishin shkatërruar të gjitha arsenalet e armëve kimike, ndodhën sulme të tilla. Dhe Rusia madje e ka mbrojtur Sirinë në OPCW, Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike. Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe vendet perëndimore nuk kanë arritur ta ravijëzojnë përsëri qartë këtë vijë të kuqe.
Tani mbetet pyetja: a do të përdorë Rusia armë kimike në Ukrainë? Dhe këtu nuk është fjala, nëse Rusia duhet t’i frikësohet apo jo pasojave.
Masakra e Buçës na ka treguar se Rusia preokupohet pak, kur komuniteti ndërkombëtar e akuzon për mizori të tilla. Pyetja është, a e konsideron Rusia të nevojshëm përdorimin e armëve kimike në Ukrainë? Kur një armë kimike është një opsion efektiv në një konflikt ushtarak? Po të shohësh kohën, kur Assadi përdori armë kimike, do të shihni se nga pikëpamja operacionale dhe taktike qe e lidhur ngushtë me përdorimin konvencional. Zonat e kontrolluara nga opozita duhej të merrnin dënimin kolektiv. Kjo ndodhi paralelisht me rrethimet dhe aktet e tjera të dhunës.
Në Ukrainë ne duhet të shtrojmë pyetjen, nëse ka një luftë të zvarritur, dhe disa ekspertët ndoshta do të thonin se ajo është ndërkohë e tillë, një luftë që synon të demoralizojë popullsinë civile të palës tjetër në afat të gjatë. A mund të ketë kuptim atëherë përdorimi i armëve kimike? Sidomos nëse kostot për një mision të tillë nuk do të ishin shumë të mëdha?
Më lejoni në fund të them këtë, edhe nëse Rusia në fund nuk përdor armë kimike, duhet thënë se thjesht pretendimet e vazhdueshme false, se Ukraina po përgatit një ofensivë kimike, janë të dobishme për qeverinë ruse. Së pari, sepse mbështet narrativën e promovuar në Rusi nga propaganda ruse, se kërcënimi me armë të shkatërrimit në masë vjen nga Ukraina. Së dyti, vetëm mundësia, që Rusia mund të përdorë armë kimike, krijon frikë dhe terrorizon Ukrainën. Pra e gjitha një procedurë mjaft e përshtatshme për Rusinë, që kushton relativisht pak./DW
Rruga Press