Kurti reagon për herë të parë për rastin e ambasadorit Berishaj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar shkurt në lidhje me raportimet për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Derisa është pyetur nga kp për raportimin e skandalit në Slloveni, ku pretendohet se ambasadori ka qenë i përfshirë, Kurti thekson se Berishaj do ta padisë për shpifje mediumin slloven.
Për ambasadorin e Kosovës në Kroaci është raportuar se ka transportuar 600 mijë euro para të gatshme nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob.
Kurti: Ambasadori tregon që ato janë të pavërteta
“Zëdhënësi ynë i qeverisë e ka dhënë qëndrimin, e po ashtu ambasadori Berishaj me të cilën tregon që ato janë të pavërteta dhe se do ta padis mediumin, i cili ka shpifur asisoj”, deklaroi Kurti.
Kurti nuk është përgjigjur nëse duhet të shkarkohet Berishaj, deri në momentin që vërtetohet pafajësia e tij.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka deklaruar se duhet të jemi të kujdesshëm ndaj këtyre pretendimeve pasi po bëhen edhe në kuadër të të një gare elektorale në Slloveni.
“Ambasadori ynë në Kroaci, Martin Berishaj i ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij duke paralajmëruar po ashtu edhe padi ndaj mediumit slloven që ka bërë një raportim të tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër. Kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime. Si qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, ka shkruar Kryeziu.
Më parë ka pasur reagim edhe nga presidenca, ku thuhet se Vjosa Osmani ka kërkuar sqarim nga ambasadori Martin Berishaj.
“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër. Është me rëndësi të theksohet se institucionet e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet e Sllovenisë apo të ndonjë shteti tjetër për involvimin e z. Berishaj në ndonjë vepër penale. Në fakt, z. Berishaj ka dorëzuar dokumentacion nga institucionet e Sllovenisë se nuk ka evidencë penale”, thuhet në reagimin e presidencës.
Rruga Press